E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani dekreton ligjin për Licencën e Lotarisë Kombëtare

19-03-2013 / Gazeta 55

Kompania: Garantojmë përgjegjshmëri, siguri dhe besueshmëri

Presidenti i Republikës dekreton projektligjin për Licencën e Lotarisë Kombëtare, duke shënuar kështu edhe aktin e fundit formal në rrugën ligjore mbi lojërat e lotarisë.
Duke filluar nga muaji Prill 2013, “Lotaria Kombëtare” sh.p.k., do të ofrojë për të gjithë personat në moshë madhore, mundësinë për të marrë pjesë në lojërat e lotarisë, të cilat mund të gjenden në pikat e shitjes në mbarë vendin.
Në njoftimin shpërndarë për mediat nga kompania thuhet se loja e parë që do të prezantohet është produkti Loto me formulën “6 nga 39”, ku kombinohen çmime tërheqëse me probabilitet të lartë fitimi. Pagesa e të gjitha çmimeve të fituara, sigurohet nga një garanci e lartë e kapitalit të kompanisë “Lotaria Kombëtare” sh.p.k. si dhe nëpërmjet Grupit të “Casinos Austria/Austrian Lotteries”.
Shortet do të jenë publike, dhe në secilin prej tyre do të dalin numrat fitues.
Në gjysmën e dytë të vitit 2013, kompania ka planifikuar të zgjerojë portofolin e produkteve duke hedhur në treg dy lloje karta gërvishtëse, ndërsa garanton siguri dhe besueshmëri.
Përgjegjshmëri, Besueshmëri dhe Risi, janë vlerat që kompania “Lotaria Kombëtare”, pjesë e “Casinos Austria/Austrian Lotteries Group” do të sjellë shumë shpejt në treg me anë të produkteve të saj.
“Pas firmosjes së licencës, ratifikimit të saj në Parlamentin Shqiptar dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës, ne jemi tashmë të dedikuar me profesionalizëm për të ngritur Lotarinë Kombëtare duke implementuar sisteme të teknologjisë së fundit. Qëllimi ynë kryesor është të zhvillojmë lojërat e Lotarisë Kombëtare në mënyrë sa më transparente dhe të sigurt për publikun, të cilat do te monitorohen dhe mbikëqyren nga Ministria e Financave” – shprehet Z. Peter Simoner, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Lotaria Kombëtare” .

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›