Papa Françesku i Parë betohet në një ceremoni solemne në Vatikan
Në ceremoni marrin pjesë personalitete botërore. Të pranishëm Kryeministri Berisha e Kryeparlamentarja Topalli
Papa Françesku i Parë u betua përpara Zotit, në një ceremoni solemne në Vatikan, përpara qindra mijëra të pranishmëve dhe 150 liderë shtetesh.
I pari Papë i zgjedhur nga një vend i Amerikes së Jugut, Françesku përshendeti më parë, qindra mijëra të pranishëm entuziastë, në rrugën e përshkruar me një makinë të hapur nga sheshi i Shën Pjetrit, në bazilikën e famshme ku nisi ceremonia.
Në betimin përpara Zotit, Shenjtërisë së tij iu dorëzua edhe unaza e famshme e Papës, por që këtë herë nuk do të jetë e arte siç është zakoni, por argjend i lyer në ar, me kërkesë të vetë Françeskut.
Ndër te tjera Papa tha:
“Mos kini frike nga mirësia, dhe dhembshuria. Kujdesi kërkon mirësi, kërkon të jetosh me ndjeshmërinë, butësine. Ndejshmëria nuk është virtyt i të dobëtit, përkundrazi, ajo forcon shpirtin dhe aftësine e kujdesit, hapjen ndaj tjetrin dhe rrit aftësitë për të dashur tjetrin.
Papa i ka kërkuar favor, i është lutur kujtdo që ka rol përgjegjësie në aspektin ekonomik, politik e social, që të shndërrohen në mbrojtës të asaj që Krijuesi na ka dhënë.
“Të mbrosh punën e Krijuesit do të thotë të mbrosh çdo grua apo burrë, të trajtosh këdo me dhëmbëshuri e dashuri, është të hapësh një horizont shprese. Le t’i hapim zemrën mirësisë, dashurisë dhe dhembshurisë për çdo qënie njerëzore".
Pak pas nisjes së ceremonisë, Papa u vesh me mantelin papnor, i bardhë me kryqe të kuq dhe simbolin e priftit, të njëjtin që ka mbajtur dhe Benedikti i 16.
Me pas Papa është lutur edhe tek varri i Shën Pjetrit, në altarin qendror të Bazilikës nga ku nisi dhe meshën. Këtu ishte i shoqëruar nga patriarkë dhe arqipeshkopë të kishës katolike.
Një jezuit, Papa ka nisur drejtimin e tij me thjeshtësi, duke refuzuar shumë prej lukseve të kishës, midis të cilave edhe kryqin e artë, të zëvendësuar prej tij me një kryq të thjeshtë të hekurt.
Sipas autoriteteve italiane, numri i të pranishmëve në Vatikan mund t’i ketë kaluar një milionë persona, diçka që nuk ndodhte që prej ceremonisë përcjellëse për Papa Gjon Palin e Dytë (Karol Vojtila).
Shumë lidera shtetesh dhe personalitete ishin të pranishëm në ceremoninë zyrtare, midis të cilëve, ne emer te Shqiperise, kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Pritja për Françeskun e Parë ishte e madhe, edhe pse ai kërkoi që ceremonia të zhvillohej në mënyrë sa më modeste.
Papa i parë argjentinas kërkoi që ata që planifikonin të vizitonin Vatikanin për meshën e tij përuruese, të dhuronin më mirë shpenzimet e udhëtimit për njerëzit në nevojë.
Françesku i parë, ish-kardinali Jorge Bergoglio, u zgjodh në krye të Selisë së Shenjtë një javë më parë, nga konklava e mbledhur pas dorëheqjes së Benediktit XVI.