Berisha: 520 projekte e 30.000 vende pune për rajonet e vendit
Më shumë rrugë ,shkolla dhe qëndra shëndetsore për zonat rurale të vendit. Kreu i qeverisë Sali Berisha e deklaroi këtë fakt në mbledhjen e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve.Sipas Kryeministrit janë 520 projekte që do të realizohen në mbarë vendin duke siguruar 30 mijë vende pune të reja.
“Jemi mbledhur për të miratuar 520 projekte të reja. Do të ndërtohen mbi 1200 km rrugë të reja , pa llogaritur asnjë km rrugë kombëtare, të gjitha janë rrugë rurale, rrugë dytësore që ndërtohen në përputhje me zotimin solem të mazhoracës, që infrastrukturën do t`ja ofrojë të gjitha fshatrave të Shqipërisë përfshirë dhe ato më të thella.Investimi në 1200 km rrugë bën të mundur që qytetarët shqiptarë të mund të kapin tiranën duke kursyer 70% të kohës që shpenzojnë sot.Do bëjmë gjithcka që qytetarët e këtij vendi të ndihen të barabartë në cdo skaj të vendit. Do të ndërtohen 125 ujësjellësa të rinj, që do garantojnë ujë për rreth 250. 000 banorë, edhe ky një nga objektivat madhorë të qeverisë sonë. Do të bëjmë gjithcka që të garantohet furnizimi me ujë 24 orë.Po ndërtohet një sistem i ri kanalizimesh. Janë 219 shkolla, që përfshijnë ndërtime të reja dhe rikonstruksione të atyre ekzistuese. Do të ndërtohen 44 qendra shëndetësore që do tu shërbejnë 140.000 banorë të vendit. Të gjitha këto pritet të punësojnë plot 30 000 qytetarë të vendit”tha ai.
Kreu i mazhorancës ndër të tjera deklaroi se ekonomia shqiptare ka ecur pozitivisht, pasi janë marrë borxhe vetëm për realizimin e investimeve.
“Në 5 vitet e fundit patëm rritjen më të lartë në Europë, 22%. Ekonomia nuk u zhyt në krizë, modeli shqiptar funksionoi. Qeveria e jonë ka zbatuar rregullin e artë të ekonomisë “Nuk duhet të marrësh borxh përvecse për investime”. Ne i jemi përmbajtur këtij rregulli. Nga 2008 deri më sot asnjë qindarkë nuk është marrë borxh vecse për investime”, pohoi Berisha.
Përparësi sipas Kreut të mazhorancës në investime do të kenë komunat e pafinancuara 3 vitet e fundit si dhe ato që kanë popullsi më të madhe.