E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Absurde dhe e papranueshme ndërhyrja e Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë

21-08-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha vlerëson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor, por thekson se skenat e Përmetit kujtuan edhe modelin hoxhist të rrëmbimit të objekteve të kultit

Kryeministri, Sali Berisha, në reagimin e tij të parë zyrtar lidhur me ngjarjet në Përmet, vlerëson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor por nga ana tjetër skenat e rrëmbimit të objekteve të shenjta nga përmbarimi privat gjatë egzekutimit të vendimit gjyqësor të 11 viteve më parë, rikthyen për shqiptarët pamje të kohës së barbarisë hoxhiste mbi institucionet e kultit. “Prej dy ditësh skena jo të denja janë regjistruar në Përmet. Përmbarimi privat ka ekzekutuar një vendim përfundimtar gjyqësor te vitit 2002, me të cilin i ka kthyer Bashkisë së qytetit të Përmetit një lokal që gjatë diktaturës ka qenë Pallat Kulture, por që sipas autoriteteve kishtare të vendit më parë ka qenë kishë dhe që prej vitit 1999 është kisha ortodokse e këtij qyteti”. Sipas Kryeministrit ky ishte një ofendim i rëndë për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë. Kryeministri thekson gjithashtu se qëndrimet e djeshme të disa qytetarëve por dhe të ndonjë të kleriku ishin të gabuara. Në deklaratën për media, Berisha vlerëson dialogun e sotëm midis autoriteteve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare dhe i ka kërkuar Kryetarit te Komitetit te Kulteve që së bashku me këto autoritete të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste. Kryeministri konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke. “Shqipëria ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për t’iu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të çdo lloj”, përfundon deklarata. Ndërkaq policia private ka  rimarrë godinën e Pallatit të Kulturës së Përmetit, që prej vitesh ishte shndërruar në kishë me emrin "Shën Maria e Pazarit" dhe që para disa ditësh iu rikthye Bashkisë së qytetit që fitoi betejën gjyqësore me Kishën mbi pronësinë e objektit.  Mësohet se pasi janë larguar besimtarët ortodoksë që hynë dje forcërisht në këtë ndërtesë, policia private ka vendosur sërish kontrollin e saj mbi këtë objekt të kthyer tashmë në një mollë të vërtetë sherri.  Mësohet se pas rimarrjes së godinës nga policia private Bashkia e Përmetit ka izoluar dritaret e godinës së Pallatit të Kulturës me tulla.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›