E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ahmadinejad kërcënim real, për paqen dhe stabilitetin në botë

19-08-2012 / Leonard Quku

Kryeministri Sali Berisha dënoi dje deklaratën e fundit të Presidentit të Iranit. Duke ju referuar deklaratës së Mahmoud Ahmadinejad sipas së cilës “nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin”, e krahasoi atë me Hitlerin me të cilin ndan të njëjta qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Sipas Berishës, deklarata e Ahmadinejad është një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet, të programit nuklear të Iranit, si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot. I menjëhershëm ishte dje edhe reagimi i SHBA-së dhe OKB-së


Kryeministri Sali Berisha reagoi dje pas deklaratës së një dite më parë të Presidentit të Iranit, Mahmoud Ahmadinejad i cili kërcënoi hapur shtetin e Izraelit, për fshirjen e tij nga harta. Përmes një deklarate për mediat, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha shprehet se me deklaratën e fundit të Ahmadinejad se, nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtenantët e tij, qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha shton se me këto qëndrime, Ahmadinejad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën. “Me deklaratën e tij të fundit se nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmadinejad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtenantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Me këto qëndrime, Ahmadinejad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, u shpreh kryeministri Sali Berisha. Irani ka qenë shpesh herë në qendër të vëmendjes jo vetëm për deklaratat kundër Izraelit dhe vendeve të perëndimit, por edhe për shkak të pasurimit të uraniumit dhe ushtrimit të programeve nukleare. Në këtë drejtim, kryeministri Sali Berisha i kujton faktorit ndërkombëtar, SHBA-BE dhe vendeve anëtare të OKB, rrezikun bërthamor, duke kërkuar ndalimin me çdo kusht programet nukleare. “Deklaratat naziste e paranojake të Ahmadinejad janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot”, paralajmëron kryeministri Berisha, duke ngritur një shqetësim ndërkombëtar rreth kërcënimeve naziste të Iranit. Të premten në Teheran, Mahmoud Ahmadinejad lançoi parullën “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit!” dhe më pas mijëra qytetarë të mbledhur aty kanë përsëritur fjalët e Presidentit, i cili ka thënë se në të ardhmen e Lindjes së Mesme nuk ka hapësirë për shtetin hebre. “Tumori izraelit do të eliminohet së shpejti”, ka thënë ai në Universitetin e Teheranit, me rastin e së premtes së fundit të muajit të Ramazanit, kur në Iran festohet edhe Dita Botërore e Jeruzalemit, në solidaritet me palestinezët kundër Izraelit. “Regjimi sionist është një kancer. Shumë shpejt vendet e rajonit do t’i japin fund pranisë së pushtuesve sionistë në tokën e Palestinës. Perëndimorët thonë se duan një Lindje të Mesme të re, por në rajonin tonë nuk do të ketë më gjurmë të sionistëve”, ka deklaruar Ahmadinejad, i cili e ka mbyllur fjalimin me klithmën horror: “Vdekje Izraelit dhe vdekje Amerikës”. Irani i penalizuar nga sanksionet perëndimore, rrezikon një sulm ushtarak nga ana e koalicionit ndërkombëtar, për sa i përket çështjes së programit të tij bërthamor. Ndërkohë që revoltat popullore po rishkruajnë dhe një herë imazhin e rajonit, republika islamike po përpiqet që të ndalojë rënien e aleatit të saj më të ngushtë arab, presidentit sirian Bashar al-Assad edhe pse ky i fundit po kryen masakra çnjerëzore kundër popullsisë civile.


Presidenti Ahmadinejad dhe lideri suprem iranian, Ali Khamenei deklarata shokuese


“Ekzistenca e Izraelit, tumor kanceroz”


Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad ashpërson retorikën kërcënuese kundër shtetit të Izraelit në Lindjen e Mesme. Në koordinim të plotë me liderin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, Ahmadinejad shprehet se, “ekzistenca e Izraelit është një “fyerje për tërë njerëzimin”, ndërsa Khamenei s’vonon ta quajë atë (shtetin hebre) edhe si “tumor kanceroz”, raportojnë mediat perëndimore, duke shprehur shqetësime të hapura lidhur me kërcënimet e drejtpërdrejta të regjimit të Teheranit. Deklarata e tij përbën një nga sulmet më të ashpra deklarative ndaj shtetit hebre dhe vjen në kohën e shtimit të zërave jo-zyrtarë për një sulm nga Izraeli për shkak të programit bërthamor të Iranit. “Regjimi sionist dhe sionistët janë një tumor kanceroz. Edhe nëse një qelizë e tyre do të mbetet në një metër tokë të Palestinës, në të ardhmen kjo histori (e ekzistencës së Izraelit), do të përsëritet”, ishte kërcënimi i Ahmadinejad në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv nga Universiteti i Teheranit. Ai tha se konfrontimi me Izraelin është një përpjekje për të mbrojtur “dinjitetin e të gjitha qenieve njerëzore”. Sipas tij, shumë shpejt në Lindjen e Mesme s’do ketë më këmbë sionisti dhe amerikani. “Popujt e rajonit do nxjerrin jashtë sionistët uzurpatorë të tokave Palestineze. Do formohet një Lindje e Mesme e re. Me mbështetjen e Perëndisë dhe ndihmën e kombeve, në Lindjen e Mesme të re nuk do ketë gjurmë të amerikanëve dhe sionistëve”, u shpreh Ahmadinejad.  Ndërkaq, njësoj si Ahmadinejad mendon edhe lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei (i njohur për thirrjet e tij kundër shteteve bashkëpunuese me SHBA-të). Ai ka deklaruar se Izraeli është një “tumor kancerogjen” që duhet të largohet. Deklaratat e zyrtarëve të Teheranit kanë sjellë reagimet e diplomacive perëndimore të cilët dënojnë qëndrimet armiqësore të regjimit iranian, duke i cilësuar si rrezik serioz për garantimin e paqes në Lindjen e Mesme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›