Mos harroni!
Me rastin e 63 vjetorit të ekzekutimit nga regjimi komunist te 14 martirëve të lirisë me 17 gusht 1949
Kaloj nëpër autostradën e kombit dhe më kujtohet legjenda e Rozafes. Atje u ngujua vetëm një nuse e re, kurse në themelet e kësaj rruge numri i të ngujuarve është i pallogaritshëm. Mos harroni! 63 vjet më parë në krahinën e Mirditës kryhej një nga masakrat më të përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqiptarët që vrisnin shqiptarë, ishin vetë shqiptarët që burgosnin shqiptarë, ishin vetë shqiptarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet. Kush ka qenë i rritur në ato ditë nuk mund të harrojë. Shqipërinë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte gra, burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë qëndronin luftëtarët e lirisë, demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë. Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, me urdhër të kriminelit Mehmet Shehu, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetëra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar. Burreli, Bedeni, Bulqiza, Tepelena dhe kampe të tjera janë dëshmia e kësaj kasaphane të ushtruar nga pushteti diktatorial. Po të kishin gojë ato do të tregonin për nënën mirditore së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake në një ditë në kampin e Tepelenës pasi nuk kishte me se t’i ushqente. Do të flisnin për djaloshin mirditor shtatëmbëdhjetëvjeçar që dha frymën e fundit i lidhur me tela me gjemba në shtyllën e telefonit në natën e acartë të janarit 1955 në kampin e Bulqizës.
Mos harroni! Liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. Për atë u derdh shumë gjak, u zhvillua një betejë e madhe me barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demonstratën e studentëve shqiptarë.
Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që ditën “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse natën qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.
Pandeli Majko, një ish kryeministër, që karrierën e tij e filloi me këtë post, për turpin e tij merr guximin dhe i quan “plehra” këta martirë të rënë në luftën për liri. Kush ishin plehra zoti ish kryeministër? Mos vallë fëmijët që ju, apo prindërit tuaj, i latë të vdisnin nga uria nëpër kampet e përqendrimit? Mos vallë djaloshët e rinj që dhanë frymën e fundit me emrin e atdheut dhe flamurit, të lidhur me tela me gjemba?
Ditmir Bushati, një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se ishte krenar që babai i tij paska qenë Sekretar i Parë i Rrethit në Partinë e Punës. Pikërisht ky pinjoll ka studiuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babai i tij, Sulejman Bushati dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studiuar? A e di ai se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi mijëra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme? Unë do t’u thosha: Si nuk keni turp zotërinj? Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre. Shpesh herë dëgjojmë, madje edhe nga bashkëvuajtësit tanë, se ne i paskemi falur persekutorët. Por si mund të falen ata që nuk kanë kërkuar kurrë falje, ata që vazhdojnë të na konsiderojnë ende si armiq? A do të na i lejonin të rënët tanë, të burgosurit tanë dhe të internuarit tanë që nuk patën fatin të shikojnë dritën e demokracisë për të cilën u sakrifikuan? Ndaj ne sot përulemi me respekt para kujtimit të tyre nderuar. Kështu do të përulemi vazhdimisht, pasi ishin pikërisht këta që i dhanë goditjet e para sistemit të urryer komunist.
Qofshin të paharruar!