E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Ambasadorja Kim nuk ka asnjë të drejtë të flasë për zgjedhjet

Takimet me përfaqësues të partive politike të  ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, në prag të zgjedhjeve vendore, kanë qenë në qendër të sulmeve të kryetarit të “Rithemelimit” të PD-së, Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar Bashkie të Mallakastrës, Resmi Shano, që, sipas tij, çel edhe fushatën elektorale të fitores së PD-së.

Sipas tij, ambasadorja u sul kundër PD-së, me të njëjtën egërsi si McGonigali.

“Nuk ke asnjë moral e të drejtë të flasësh ti për zgjedhjet në vend. Je e para që i urove Ramës, me urdhër të McGonigalit, zgjedhjet më të vjedhura në historinë e vendit. Shqiptarët kanë shumë probleme, por atyre nuk ua hedh dot”- deklaroi Berisha.

Sipas tij, një vit e gjysmë më parë planet për shndërrimin e opozitës dhe PD-së në një fasadë të Edi Ramës, u shpalosën dhe se, “de facto”, kjo parti po kthehej në fasadë të Ramës. Berisha sulmoi Lulzim Bashën, duke e etiketuar si “Lulzim Brava”, i cili, sipas tij, u mor peng nga Edi Rama përmes një çështjeje gjyqësore.

“Çdo demokrat duhet të ndjehet përjetë krenar dhe brez pas brezi, për kontributet, investimin dhe mbështetjen që i dha kësaj partie. PD ka bërë gabime, madje serioze, por ka qenë në meritën e saj që nuk i ka injoruar ato dhe i ka shpallur publikisht duke i korrigjuar me guxim të madh. PD, në opozitë, këto vitet e fundit, po ecte si njeriu i përgjumur. Po përfundonte si pseudo-opozitë e regjimit më të korruptuar e anti-shqiptar të krimit e drogës. Kjo do ishte një katastrofë e madhe kombëtare. Ata që u përpoqën t’u tradhtojnë do përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë”- theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›