Topi: Të zgjidhet kriza, partitë të ulen në tryezë
TIRANË- Presidenti i Republikës është gati të ulë në një tryezë Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama, në rast se këta të fundit e kërkojnë një gjë të tillë. Me qëllim nxitjen e partive politike, për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate të situatës politike, kreu i shtetit u është drejtuar dje me një letër të gjithë kryetarëve të partive politike parlamentare, si dhe partive të tjera politike, me rol aktiv në qeverisjen vendore. “Personalisht jam i gatshëm të marr çdo veprim të nevojshëm, që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpres dhe të mbështesë propozime konkrete, që bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional”, - shkruan Presidenti i Republikës. Kreu i Shtetit thekson në letrën e tij se prej muajsh, Shqipëria vijon të jetë peng i konfliktualitetit politik dhe se institucionet përfaqësuese nuk janë tërësisht funksionale, duke shtuar se ky zhvillim negativ kulmoi me ngjarjen tragjike të 21 janarit, ditë në të cilën Presidenti, veçon, se u shënuan akte dhune ndaj institucioneve të shtetit dhe humbën jetën katër qytetarë. Por për hetimin e kësaj ngjarje, Presidenti i Republikës u ka kërkuar partive politike që të lënë institucionet e pavarura, që të kenë kohën dhe hapësirën e tyre për të vepruar, duke shigjetuar në këtë rast pikërisht Kryeministrin Sali Berisha dhe zyrtarë të lartë të PD-së, të cilët thuajse çdo ditë akuzojnë Ina Ramën për hetim të njëanshëm. “Kam bindjen se ndaj me ju të njëjtin mendim, për nevojën e hetimit profesional, të plotë dhe të pavarur të këtyre ngjarjeve, me qëllim që cilido individ, i cili ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike ose profesionit, të përballet me pasojat e merituara ligjore. Shqipëria meriton të ketë institucione të pavarura, meriton që këto institucione të kenë kohën dhe hapësirën e tyre, për të vepruar në përputhje me ligjin pa ndikime e presione politike, sepse çdo problematikë duhet të trajtohet e të marrë zgjidhje ligjore e institucionale”, - shkruan Topi. Presidenti i Republikës thekson se, burimi i kësaj situate duhet kërkuar në mosbesimin e thellë midis palëve politike, mungesën e dialogut institucional, në oratorinë konfliktuale e përjashtuese politike, si dhe dominimi shpeshherë i interesave dhe axhendave politike nominale mbi ato publike e institucionale. “Për këtë arsye mendoj se problematika aktuale politike ka nevojë për një ridimensionim të sjelljes politike dhe institucionale, të bazuar në rikthimin e qetësisë, të dialogut, të sjelljes kushtetuese dhe rikthim të vëmendjes kryesore në axhendën integruese të Shqipërisë”, - thuhet në letrën e Presidentit. Kreu i shtetit apeloi te drejtuesit politikë, që të ndikojnë personalisht mbi partinë që ata drejtojnë, politikanët, median dhe mbështetësit politikë, për vetëpërmbajtje dhe sjellje larg çdo retorike konfliktuale, për respektim e mbështetje të institucioneve kushtetuese, për pjesëmarrje dhe jetë aktive parlamentare, për përmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj procesit zgjedhor të datës 8 maj. “Për këtë është mëse i nevojshëm kontributi juaj personal dhe i forcës politike që ju drejtoni, në mënyrë që procesin politik të mos ta shohim si bilanc personal apo partiak humbjeje apo fitoreje, por si një nevojë themelore për të fituar qytetarët dhe Shqipëria. Sot është koha që ky dimension pozitiv të jetë prioritar, me bindjen e thellë se ky është e do të mbetet një shërbim i çmuar për të sotmen dhe të ardhmen e projektit tonë europian. Në këtë kontekst, apeloj të shfrytëzoni çdo formë të komunikimit institucional në funksion të rivendosjes së dialogut politik, trajtimit e zgjidhjes sa më të shpejtë të problematikave aktuale si dhe kështu, në dhënien e kontributit real në arritjen e standardeve të nevojshme për një vend aspirues për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - shkruan Topi.