Berisha: Arsimi dhe kultura, shtyllat kryesore të kombit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, z. Ramë Buja dhe delegacionin që e shoqëronte. Pasi uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha u shpreh se bashkëpunimi në fushën e arsimit midis Shqipërisë e Kosovës është themelor dhe sa më shpejt duhet të kapërcehen ndasitë e padrejta.
"Arsimi dhe kultura, tha kryeministri, janë dy shtyllat themelore të qenies së një kombi". Duke theksuar rëndësinë shumë të madhe që ka zbatimi i marrëveshjes së përbashkët ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kryeministri tha se duhet të ecet me standarde të njëjta në fushën e arsimit në mbarë kombin.
"Është e nevojshme të ecim drejt njësimit të plotë të programeve dhe teksteve, nisur nga tekstet bazë e deri tek ato që duhen përkthyer", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha e njohu ministrin Buja me reformat e qeverisë në fushën e arsimit, ndërsa u shpreh se tashmë krahas rritjes së numrit të pranimit të studentëve në universitete, e gjithë vëmendja është përqendruar tek cilësia në arsim dhe kërkim shkencor. Gjithashtu, kryeministri Berisha u shpreh se edhe për Kosovën është e domosdoshme politika e dyerve të hapura ndaj universitetit.
"Do shohim stafet më të mira dhe do të rendim drejt standardeve më të mira të vendeve të zhvilluara", tha kryeministri.
Ministri i Arsimit të Kosovës z. Ramë Buja e falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe shprehu angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së përbashkët të Ministrive të të dy vendeve. Ai u shpreh se krahas domosdoshmërisë për njësimin e programeve dhe teksteve, duhet dhe shkëmbimi i ndihmës reciproke për zhvillimin e kapaciteteve profesionale.