Berisha: Askush më shumë se Azemi s’ka kontribuar për lirinë e shqiptarëve
Në 50 vjetorin e lindjes, përkujtohet “Heroi i Demokracisë”, Azem Hajdari
Përmes një ceremonie të veçantë, në godinën “Liria” të Qytetit Studenti, është përkujtuar mes familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve 50-vjetori i lindjes së heroit të demokracisë Azem Hajdarit.
Arben Imami, një nga personazhet kryesore të themelimit të Partisë Demokratike, në kujtimet e tij për atë periudhë vlerësoi si një nga aspektet më të rëndësishme të jetës se tribunit, atdhedashurinë.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha, duke folur për njohjen me Azemin dhe duke evokuar rëndësinë e ngjarjeve të fundvitit 1990 dhe fillimit të 1991, tha se njerëzve si ai, të cilët e kanë vendosur tashmë emrin e tyre me germa të arta në librin e historisë, u festohet gjithnjë ditëlindja. Një akt ky nderimi dhe vlerësimi, tha Berisha, për kontributin e jashtëzakonshëm të Azem Hajdarit në rrëzimin e diktaturës komuniste, por edhe dhe në ndërtimin e një shoqërie demokratike e të lirë, ideale për të cilat ai edhe dha jetën pak vite më vonë.
“Në një shekull janë me qindra, me mijëra shqiptarët që kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime, për lirinë e kombit. Unë kam bindjen se asnjë individ nuk ka kontribuar personalisht sa Azem Hajdari për lirinë tonë, lirinë e shqiptarëve që përjetonin shtypjen më të egër të kohërave. Lëvizja Studentore ishte padyshim lëvizja dhe përballja më e egër që regjimi komunist kishte njohur në tërë ekzistencën e tij. Në ditën kur bashku me dy miqtë e mi u nisëm për tek studentët, unë nuk e kisha njohur kurrë Azem Hajdarin. Unë isha një intelektual që kisha shprehur pikëpamjet e mia dhe shihja me keqardhje të madhe indiferencën e studentëve ndaj të gjitha zhvillimeve. Por unë, faktikisht, isha i gabuar. Në një nga lokalet e këtij qyteti të lirisë së shqiptarëve, ne do takonim Azem Hajdarin dhe një grup miqsh, shokësh e bashkëpunëtorësh të tij. Dy gjëra mbeten të përjetshme në kujtesën time: Së pari, vendosmëria e tyre e jashtëzakonshme, atdhedashuria e tyre. Djem trima, të vendosur në mënyrë absolute për të bërë sakrifica, të vendosur për përballjen më të pabarabartë, por edhe epike. Së dyti, ata ishin djem e vajza guximtarë, por asnjë prej tyre Azem nuk ishte. Ajo që bënte përshtypje më të madhe ishte autoriteti i tij mbi të gjithë studentët që e rrethonin. Vendosmëria e tij absolute ishte garancia e gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Para se ta takoj, me dy miqtë e mi u gjendëm përballë demonstratës së tyre. Ai ngrihej si hero mbi supet e studentëve dhe brohoriste: ‘Liri, demokraci!’, ‘Poshtë dinastia!’. Në atë masë studentësh, rreth 700-1000 studentë, ai ishte heroi i tyre, ishte udhëheqësi i tyre. Vite në vazhdim, tek Azemi do të spikasnin në mënyrën më të shkëlqyer forca e një lideri, vendosmëria e një lideri, guximi i jashtëzakonshëm i një lideri”, deklaroi Berisha.
Duke u rikthyer pas në kohë, tek lëvizja studentore e viteve ’90, Berisha u shpreh se detyra më imediate ishte ajo quanim vrasje frike.
“Kthehem në ato ditë dhjetori të vitit ’90, kur ai me një grup prej qindra të rinjsh nisi demonstratat e studentëve në Tiranë. Pikëpamjet për një Shqipëri tjetër, Shqipëri demokratike nuk ishin vdekur ndonjëherë në Shqipëri. Ato ishin mbrojtur me çmimin më të lartë nga dhjetëra mijëra, qindra mijëra gra e burra, intelektualë, punonjës njerëz të të gjitha fushave që kishin dedikim tek liria. Por rezultati i kësaj përpjekjeje të madhe ishte Spaçi, ishte Burreli, ishin gulagët e panumërta. Më vonë, muri i Berlinit u përmbys, perdja e hekurt ra. Në Shqipëri, intelektualët shprehën haptas pikëpamjet e tyre për një Shqipëri tjetër. Në qytete të ndryshme, në Shkodër, Kavajë, qytetarët nuk u pajtuan kurrë me regjimin dhe u ngritën. Por duhet të jemi realistë, të gjitha këto linin pak shpresa për një ndryshim. Regjimi i kohës, manu militari, mund të vepronte pa vështirësi të madhe në Shqipërinë e zhytur në harresë të tmerrshme. Si diçka qiellore, si diçka jashtëtokësore, erdhi për shqiptarët Lëvizja Studentore. Sot, pas një 20 vitesh, më mirë shumë gjëra të mos i kujtojmë nga ajo kohë. Ajo ishte kohë terrori të madh. Partia Demokratike u formua, por nuk është se mbrapa nuk pati tërhiqje, nuk është se mbrapa nuk pati dezertime. Të gjitha nga frika e terrorit, nga shpallja e saj armike e Shqipërisë. Azem Hajdari qëndroi si tribun. Cila ishte detyra më imediate, më absolute, atyre javëve? Atë qe ne quanim vrasja e frikës. Sado që mund të duket e çuditshme sot, ai ishte qëllimi ynë kryesor. Në këtë kontekst, Azem Hajdari ishte pa diskutim një tribun i jashtëzakonshëm, një lider që do ta kërkonin në të katër anët e Shqipërisë, për të dëgjuar fjalën e tij të zjarrtë që buronte nga shpirti i një njeriu të lirë, i vendosur për çdo sakrifice për idealet që ai besonte”, theksoi ai.
Azemi, vlerësoi Berisha, ishte organizatori i përmbysjes së diktaturës, e cila kulmoi më 20 shkurt me rrëzimin e bustit të diktatorit.
“Pa diskutim që 20 shkurti është dita e përmbysjes së diktaturës, por, të dashur miq, jam dëshmitar i rolit kryesor të Azem Hajdarit në inicimin dhe organizimin e lëvizjes më të fuqishme popullore në historinë tonë kombëtare që përmbysi diktaturën komuniste më 20 shkurt, në Tiranë. Historia e tij është histori e një tribuni të vërtetë lirie. E gjitha jeta e tij politike është dëshmi e një përballje të madhe në Shqipëri midis lirisë dhe shtypjes së egër, midis diktaturës dhe forcave demokratike. Ai luajti një rol të jashtëzakonshëm në fitoren e 22 marsit”.
Sipas Berishës, Azem Hajdari u martirizua që PD të mos vdiste – ndërsa vuri në pah edhe atentatin që iu bë në Tropojë, duke shtuar se ai mbështeste Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës.
“Ai ra një atentat shumë të rrezikshëm në Tropojë, ku shkoi për të ndihmuar e mbështetur qytetarët e Kosovës. Në Tropojë ai shkoi për të mbështetur me të gjitha mundësitë lëvizjen çlirimtare të Kosovës. Idhulli i tij ishte Presidenti Rugova, tek i vili kishte një besim të jashtëzakonshëm, për të cilin kishte një adhurim të jashtëzakonshëm. E vërteta është se çdo ditë, ai do të jetonte me preokupimin më të madh si ne të ndihmonim Kosovën. Një mik i imi do t’i thoshte në opozitë, pse mbështet Sali Berishën. Përgjigja e tij ishte e thjeshtë: Millosheviçi nuk kërkon asgjë tjetër, është gati ministër të më bëjë, në rast se unë i kthej shpinën atij. Sigurisht që është figurative, por ai bëri gjithçka të mbështeste lëvizjen çlirimtare të Kosovës. Ai u ndje tërësisht pjesë e saj. Në mënyrë të përsëritur kërkonte të merrte pjesë direkt, por aq sa ishte shpërthyes, energjik, aq ishte edhe i disiplinuar. Të punoje më te ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse nuk vinte asgjë më shumë përpara, sesa interesin e qëllimit që duhet të realizonte”, tha kryeministri.
Më tej për të pranishmit në këtë sesion përkujtimor, bashkëshortja e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, Fatmira Hajdari, tregoi për të pranishmit disa momente të veçanta të jetës së tyre familjare.
Në nderim të rolit të tij në përmbysjen e diktaturës dhe zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë, u shfaq edhe një dokumentar i titulluar “Azem Hajdari – Shpirt i Lirë”. Ndërsa në fund të këtij sesioni përkujtimor u vendosën lule në shtatoren e tribunit në sheshin “Demokracia”, të Qytetit Studenti.