Arben Imami: Azem Hajdari na dha kurajë që të përballeshim me diktaturën

Ministri i Mbrojtjes, në 50 vjetorin e tribunit të Lirisë
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, një nga nismëtarët e Lëvizjes së Studentëve që përmbysën regjimin komunist në fillim viteve 90-të ka deklaruar gjatë festimit të 50 vjetorit të lindjes së Azem Hajdarit, se ai është heroi i të gjithëve ne.
“Azem Hajdari u shndërrua në një kohë shumë të shkurtër në referencë, në frymëzim, në model të miliona shqiptarëve që iu kundërvunë zgjedhës së diktaturës komuniste, duke treguar një sens të pakrahasueshëm lirie”, deklaroi Imami.
Sipas tij, është e pashlyeshme nga mendja e kujtdo që ishte i pranishëm në atë shesh në datën 10,11 dhe 12 të dhjetorin të 90-ës.
“Ai grup studentësh i cili i printe lëvizjes studentore me në krye të të cilëve ishte Azem Hajdari. Ai kishte një forcë, një energji e cila ishte diçka e bukur, ishte diçka përtej asaj grisë që ngjyroste jetën e gjithsecilit prej nesh në terrin komunist. Vetëm një njeri i bukur i mbështetur tek disa vlera të mëdha, një njeri që kishte dashuri për njeriun, vetëm ai mundi të na frymëzonte. Ai na frymëzoi dhe ne i jemi mirënjohës për atë që ai bëri për të gjithë ne”, theksoi Arben Imami.
Më tej, Arben Imami vuri në dukje një cilësi të panjohur publikisht të tribunit të lirisë, “Azemi kishte një intuitë të jashtëzakonshme dhe një inteligjencë të lartë ku rrallë është folur për këtë aspekt të tij. Vendimet e tij të matura dhe të guximshme, veprimet politike të cilat përpiqeshin ta çanin mburojën e asaj diktature, por jo deri aty sa ta konfrontonin këtë qytet të studentëve me diktaturën. Ai nuk lejoi që lëvizja të shkonte drejt anarkisë, çka në ato kushte ishte shumë e mundshme. Ai nuk lejoi që lëvizja studentore të degradonte në nivelin e një lëvizjeje mediokre të kërkesave të ditës. Ai e zgjeroi lëvizjen që në momentin e parë dhe ju drejtuar shumë prej pedagogëve, intelektualëve, qytetarëve të Tiranës, doktor Berishës, Gramoz Pashkos etj që kjo lëvizje studentore të shndërrohej në një lëvizje popullore kundër diktaturës komuniste. Kjo ishte gjenia e Azemit”.
Ndër të tjera, Imami nënvizoi se orientimi i lëvizjes së Dhjetorit ishte mirëfilli politik. “Produkti i parë i saj ishte padyshim krijimi i Partisë Demokratike, një produkt politik që themeloi pluralizmin politik në Shqipëri dhe hapi rrugën për demokratizimin e vendit, i hapi rrugën e integrimit të vendit në europë, hapi rrugën që vendi të bashkohej me familjen mbas shumë shekujsh, familjes që i përkiste dhe ta shpirtëzonte atë slogan të madh që nuk ishte fjalë në erë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’”, vijoi ai.
L. Lita