E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Askush nuk mund dhe nuk do të mund të ndalë zbatimin e ligjit të lustracionit

Pas vizitës në ekspozitën “Besa”, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias në lidhje me ligjin e lustracionit. Shefi i ekzekutivit, i pyetur për arsyen e mosngritjes deri më tani të Institutit të Memories në Shqipëri u shpreh se ky Institut tashmë është duke u ngritur. “Ligji ka shkuar në Parlament, do të studiohet dhe do të shqyrtohet. Ne kemi dërguar aty një ligj, i cili është i vonuar dhe jam plotësisht dakord me ju, meqënëse e shtroni në afat kohor, por problemi është se në këtë vend janë ende të pranishëm mendësitë e mbrojtjes së krimeve kundër njerëzimit dhe parimeve barbare të luftës së klasave. Ky Institut do të ketë si një nga qëllimet më madhore, krijimin e një qëndrimi të drejtë dhe të ri që buron nga dokumente ndërkombëtare që i ka firmosur Shqipëria, siç është Konventa e Gjenevës për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, por që buron edhe nga vendosmëria e shqiptarëve për të ecur së bashku në respekt të njëri tjetrit, në harmoni, në tolerancë, në mirëkuptim, në paqe sociale dhe këto kanë kusht sin equanon dënimin e krimeve të shëmtuara kundër njerëzimit” tha ndër të tjera Berisha. Por kreu i qeverisë deklaroi sot se ligji i lustracionit do të fillojë shumë shpejt zbatimin e tij. “Të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, ky është një proces i pandalshëm. Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga ai kapitull, të cilin nuk po hyj ta trajtoj, por që shqiptarët përjetuan kohërat më të rënda që nga inkuizicioni e deri më sot” e përfundoi përgjin e tij kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›