E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërkëmbimi im me Kostaq Xoxën

Fragment nga Letra nr. 5, e 20 shkurtit 2002, që autori i shkrimit i dërgon përgjegjësit të rubrikës së letrave në gazetën “55” dhe mikut të tij të vjetër, me përshtypjet nga vizita e tij e parë në Kosovën e çliruar nga pushtuesit serb

Udhëtimi im në Kosovë, siç mund ta marrësh me mend, i dashur Kostaq, ka qenë sa i mezipritur, aq edhe i mrekullueshëm.
Delegacioni ynë përbëhej prej afro 10 vetësh. Por, atë ditë, në aeroportin e Dyseldorfit, kishin ardhur nga Belgjika edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë, që dëshironin ta ndiqnin nga afër Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Botë apo të përcillnin, më 28 Nëntor, përmendoren e Skënderbeut nga Qafa e Morinës, në Prishtinë.
Këtu, ndërsa përgatiteshim për t’u nisur, u fol se një kosovar do të vinte në dispozicion të delegacionit e të atyre që dëshironin, një autobus me 60 vende, nga Brukseli, në Prizren, ku do të mbahej Kuvendi. Çmimi do të ishte thuajse simbolik. Do të përpjesëtoheshin vetëm shpenzimet e karburantit, taksat e autostradës dhe trageti. Edhe këto me këmbënguljen e kryetarit tonë, zotit Ramiz Zekolli, sepse kosovari ishte gati t'i përballonte vetë të gjitha.
Jo më kot e përmenda këtë fakt. Mos qofsha i gabuar, emigrantët e këtushëm kosovarë, sikundër gjithë kosovarët, kudo ku jetojnë, në vendlindje apo në diasporë, kanë një ndjenjë kombëtare ku e ku më të rrënjosur në ndërgjegje sesa ne që nuk e kemi ndier mbi zverk sundimin serb. Ata janë gati të japin ç'të kenë për Kosovën e për çështjen kosovare dhe, në përgjithësi, për çështjen kombëtare, pavarësisht ngjyrave politike. Unë, për vete, as kam qenë pajtuar, as do të pajtohem kurrë me propagandat e ndyra që kanë fabrikuar e vazhdojnë të fabrikojnë sot e kësaj dite qarqet antishqiptare ndaj vëllezërve tanë. Gjithsesi, ato zunë vend në Shqipërinë “e handakosur” nga diktatura komuniste! E dhimbshme, por e vërtetë, jehona e tyre vazhdon të ndihet ende. Kujto, i dashur Koçi, vitet e para të proceseve demokratike! Kujto kontributin modest që dha “Liria” jonë në ballafaqim me ca gazeta gjoja shqiptare, të paguara me dinarë serbë apo me dhrahmi greke! Kujto shkrimet e shokut tonë të dashur, të ndjerit Bardhyl Vuçiterna, apo të kosovarëve të tjerë!
Ata të mjerë që ranë pre e propagandave antishqiptare, duhet të jetojnë me kosovarë, pa ta kuptojnë në ç’qorrsokak kanë qenë futur. Këtë e them me rezerva, domethënë në qoftë se duan ta kuptojnë dhe në qoftë se nuk bashkëjetojnë ende me molepsjen e  ideologjisë komuniste... 
* * *
Po le të vijmë te udhëtimi për në Kosovë.
Unë nuk do të udhëtoja dot me autobus, sado që dëshirën e kisha të madhe. Jo për shkak të shpenzimeve, por sepse autobusi duhet të kalonte nga Durrësi, meqë kështu ishte e domosdoshme për kosovarët, shumica dërmuese e të cilëve, nuk mund të kalonin dot nëpër Mal të Zi, pra në Jugosllavinë e mbetur. Kurse unë, përkundrazi, si "Refugjat i Kombeve të Bashkuara me origjinë shqiptare", nuk mund të hyja në Shqipëri.
Siç të kam shkruar edhe përpara, më ka mbetur peng në zemër që s'mundëm të takoheshim bashkë në Kosovë, për shkak të vdekjes së papritur të shokut tonë të dashur, të ndierit Bardhyl.
Sidoqoftë, java e qëndrimit në Kosovë, ishte përjetësim i njërës nga ëndrrat e mia më të kahershme. Nuk di të përshkruaj çfarë ndjeva kur avioni fluturonte mbi atë bardhësi vezulluese që quhet Kosovë. "Kosova po na pret e bardhë, me zemër të bardhë, ashtu si shamibardhat dinë të presin djemtë që shtegtojnë rrugëve të botës”. Ky ishte mendimi i parë që më shkoi në mend, sa na shkelën këmbët tokën e bardhë të Kosovës, dhe që ia thashë mirditorit Nikollë Tuci, ish-i burgosur politik për pikëpamjet e tij nacionaliste e antikomuniste. Gjithë javën kishte rënë dëborë e madhe, kurse atë ditë qielli ishte xham e dielli shkëlqente ashtu siç di të shkëlqejë mbi ato vise të bekuara, larg mjegullave veriatlantike. Edhe se zhiva kishte rënë ku e ku nën zero, atmosfera e thatë, pa avuj e pa ndotje të tjera, nuk më ndillte të ftohtë, me përjashtim, ndoshta, të atij të ftohti të pranueshëm që më përcillnin fytyra dhe duart pa doreza. M'u kujtua Korça, Devolli, Babani… Pastaj fëmijëria, shtëpia në Korçë dhe oborri i mbuluar me dëborë... E thithja ajrin me gjithë fuqinë e mushkërive të mia tashmë të lodhura nga rruga, por edhe nga mosha. Ndërkohë, i gëzohesha si fëmijë dëborës së ngrirë që kërciste krak-krak nën këmbët tona. Doja të shkelja sa më shumë mbi të, si atëherë, në Korçë, kur dilja nga shkolla dhe e zgjatja atë copë rrugë për në shtëpi, duke ecur me zik-zake, deri sa i bëja këpucët ujë e këmbët akull.
E pra, dëborë bie dimrit edhe këtu, në Belgjikë, por dëbora që po shkelja në Kosovë, s'ishte si kjo. Ishte tjetër dëborë. I ngjante asaj të Korçës!…
Edhe mjedisi nëpër të cilin kalonte autobusit që po na shpinte në Prishtinë, herë-herë më kujtonte vendlindjen, fushën e Korçës, kur bie në Maliq e të shfaqet Morava përtej… Herë-herë pllajën e Kolonjës e Gramozin gjëmëmadh mbi të. Nuk mungonin as drurët frutorë oborreve të shtëpive, tashmë të zhveshur nga dimri i parakohshëm, sidomos mollët e dardhat… 
Mirë se të gjej, e lashta Dardani! Mirë se ju gjej, ju, pasardhës të dardanëve ilirë! Ju përshëndet një pinjoll i dalmatëve, a i taulantëve, a i enkeleasve... Po ç’rëndësi ka i cilit fis? Ju përshëndet një vëlla nga viset e Ilirisë së Jugut…
Pastaj, sërishmi, herë më përfytyrohej Kukësi e Shkodra,  herë Tetova e Gostivari, herë Labëria e Çamëria e ndarë këtej e andej kufirit… Gjithë Iliria e lashtë. Mos, vallë, ishte fizionomia e njohur e këmbësorëve të rastit? Mos, ndoshta, lëvizjet karakteristike, që bënin ata në ecje e sipër, aq të njohura për syrin  tim? Apo, mos kushedi, mënyra se si njerëzit qëndronin përpara një porte, përpara një shitoreje e bisedonin me njëri-tjetrin? Të tëra ishin tok e, megjithatë, asnjëra. Ishte gjaku ai që kishte ndier erën e të njëjtit gjak, të gjakut shqiptar.
Ja një dritare nën një pullaz të ri, mbuluar me dëborë. M’u bë se nuk ishte hera e parë që e shihja atë dritare. E kisha parë edhe përpara. Të fundit herë, te shtëpiza e porsandërtuar, në Myzeqe. Këtu, në pllajën e Kosovës, nën bardhësinë e pafund të dëborës. Atje, në fushnajat e Myzeqesë, nën ndriçimin përcëllues të diellit të jugut.
…Kisha shkuar në Savër për një reportazh mbi kushtet e jetesës së ish-të internuarve nga diktatura komuniste.
Të zotët e shtëpizës, një çift i ri mirditorësh ish-të internuar, kishin vendosur të jetonin atje, në vendin e internimit, por tashmë të lirë. Pse të shkonin në vendin e origjinës, ku nuk u kishte mbetur asgjë? Diktatura nuk kishte lënë gur mbi gur në trojet e tyre, pale më vëllazëri e farefis. Në fund të fundit, edhe në Savër, Shqipëri ishte e shqip flitej. Madje ata, burrë grua, atje ishin lindur, atje ishin rritur, atje ishin rropatur, atje ishin martuar e ishin bërë prindër… Atje kishin edhe varret e prindërve dhe të të afërmve. Sepse komunizmi nuk internonte një dhe vetëm një, për një faj të kryer a të marrë mend. Ai internonte familje të tëra, fise të tëra, me kuç e me maç! Atje, më në fund, çifti i ri kishte miqtë e shokët. A nuk ishin të një gjaku si myzeqari, si mirditori, si jugori, si veriori, paçka se regjimi njërit i kishte thënë mik e tjetrit armik? Armik i klasës! Kurse ata, të një gjaku ishin të gjithë, të një kombi, të një gjuhe. As bejlerë, as bajraktarë, as fshatarë të pasur, as fshatarë të mesëm, as fshatarë të varfër… Ishin të skamur, si shumica e shqiptarëve nën diktaturë, që lufta e klasave i kishte hedhur kundër njeri-tjetrit. E çë, pastaj, nëse dikur njëri kishte qenë bej a bajraktar, e tjetri fshatar pa tituj? Qoftë edhe ndonjëri "komunist", xhanëm, ani se s'dinte as nga binte komunizmi… A s'ishin shqiptarë?…
Nuk di pse ajo dritare e vogël, e posavendosur, me atë perde të ndrojtur basmeje, më kishte hedhur në Savër të Lushnjës, te çifti i ri, ish-i internuar nga Mirdita. Në Savër, në atë shtëpi të re, të pasuvatuar ende, të pashtruar dhe të sapombuluar, vetëm një kafé kisha pirë. Dhe më vjen plasje sot të mos ia kujtoj dot emrin çiftit të ri, kur këtu, në mërgim, më mungojnë të gjitha fletoret e shënimeve. Unë diçka kam shkruar për kërkesat e ish-të internuarve të Savrës, por jo për çiftin e ri që kishte vendosur të jetonte atje. Kësaj teme, që më kishte ngacmuar aq shumë atëherë, më 1995 më duket, unë kisha vendosur t'i rikthehesha në të ardhmen. Por rutina e përditshme… Pastaj 1997-a dhe gjithçka u kthye përmbys!
Dritare e vogël e shtëpizës së re kosovare! Ç'më hodhe sot kaq larg? Unë erdha tek ti me ëndrrën time të kahershme, me atë ëndërr të ndaluar e, megjithatë të përhershme, qysh se mësova për së pari emrin Kosovë, qysh se hodha sytë së pari mbi libra gjeografie a historie, mbi vargje poetësh e mbi thënie profetësh për komb e fé. Ti diç kërkon të më thuash me atë historizën tënde të re. Të re, pa tjetër, por me po ato bëma të lashta, me po ato halle, derte e gjëma. Ndaj më shtyve sot kaq larg, deri te simotra jote myzeqare?…
E ke edhe ti, shtëpizë e sapongritur kosovare, historizën tënde nga lufta që sapo ka mbaruar. Pa ajo ka lënë pas, jo vetëm jehonën e krismave e erën e barutit. Ka lënë pas plot plagë që duhen shëruar, plot gjëma që s'duhen harruar, që duhen thënë e stërthënë sot e në jetë të jetëve. Ashtu i ka lënë plagët e gjëmat flama komuniste edhe tek ata që përjetuan burgjet e kampe e internimit.
Ndaj, i dashur Koçi, edhe ne donim të thoshim aq shumë me atë "Liri-zën tonë të vogël", kur – medet! - kujtuam me aq besim se  na ishte shkulur me rrënjë e  keqja nga Shqipëria…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›