Shqiptarët në Shtetin Papnor
Ngulmimi i vetëm shqiptar në kufijtë politikë të Shtetit Papnor është një qëndrim i përkohshëm në një fshat të Viterbos. Të pakënaqur nga klima moçalore shqiptarët e vendosur në Viterbo do të largoheshin pak vjet më vonë drejt Mbretërisë së Napolit për të themeluar, bashkë me të huaj të
Angelo Masci në Diskutimin mbi Shqiptarët e Mbretërisë së Napolit (titulli në origjinal Discorso sugli Albanesi del Regno di Napoli, 1807, ribotuar nga Marco, Lungro 1990), megjithëse kufizon kërkimin në atë mbretëri, prek shkarazi edhe praninë shqiptare në Mbretërinë e Siçilisë, por nuk përmend atë çka kishte ndodhur mbi gjysmë shekulli më parë në Shtetin e Kishës. I vetmi emigracion shqiptar në kufijtë politikë të Papës nuk pati jehonën e duhur derisa studiuesi M. Puccini në revistën “La Lettura”, e përmuajshme e gazetës “Corriere della Sera” (prill 1915), nuk i tregoi vendit për ekzistencën e këtij ngulimi të vogël por homogjen: Fshatra shqiptarë në Lazio. Kaluan shumë vjet deri kur
Gianni Ribeca, në një tezë diplome të vitit 1948, të gjetur në vitin 2005 falë kërkimeve të Italo Sarros, trajtoi argumentin. Kaloi sërish mëse çerekshekulli dhe çështja u shqyrtua përsëri nga Luigi Fioriti, që ringriti problemin në revistën “Zjarri”: Komuniteti shqiptar i
Pianianos (1975, Nr. 1-2) dhe Emigracion shqiptar në Tuscia (1989, Nr. 33). Veç tyre, u botuan nga Elettra Angelucci, Shqiptarët në Pianiano (“Biblioteca e Società”, VII/1985 e VIII/1986) dhe më i fundit libër Pianiano-Një ngulim shqiptar në Shtetin Papnor nga i sipërpërmenduri, Prof. Sarro (S.Ed. Editore, Viterbo, 2004).
Le të shohim nga afër zhvillimin e atyre ngjarjeve që sollën në jetë epokën jetëshkurtër të Arbërisë romane, thuajse të panjohur. Në jug-perëndim të liqenit të Bolsenës, në territorin që shtrihet nga Montalto di Castro deri në Viterbo, ndeshen me intervale të rrallë fshatra të vegjël dhe kështjella. Ato i rrethon marema e Lazios. Kodra të vogla, me shpella natyrore dhe pyje, që i japin edhe sot e kësaj dite aspekt të egër vendeve të pabanuara. Fshatrat e vegjël të zonës - shkruante Puccini - “që kanë ndërtesa krejtësisht shqiptare quhen Ischia di Castro dhe Pianiano”. Kjo e fundit është një lagje e vogël dhe fraksion e bashkisë së Celleres, vendlindje e banditit legjendar antisavojard Domenico Tiburzi. Pianiano është kështjellë e ngritur mbi një shtresë shtufi me disa shtëpi. Ischia di Castro, edhe ky në provincën e Viterbos, është pranë Montefiascones (qytet i njohur për verën Est est est). Është fshat i këndshëm me rreth 2.500 banorë, mbi një shtresë shtufi vullkanik, 384 metra mbi nivelin e detit; i parë nga lindja duket si një anije e gjerë e bardhë. Kështjella e tij që i përkiste familjes Farnese është ndër më të bukurat dhe më të
lashtat e krahinës.
Le të shohim historikisht marrjen e këtyre fshatrave nga kolonia shqiptare. Në vitin 1753
një tregtar shqiptar, Anton Remani, zbarkoi në Senigallia. Këtu, në Marche, që atëherë ishte qytet i Shtetit Papnor, zhvillohej dhe vazhdon të zhvillohet çdo vit, që nga gjysma e parë e Gjashtëqindës, i famshmi Panair i Madalenës (Fiera di Maddalena). Remani, çdo vit mbërrinte me letra rekomandimi për autoritetet papnore të Arqipeshkopit të Barit dhe të Peshkopit të Shkodrës. Atë herë solli me vete, përveç rekomandimeve, një numër të madh letrash shqiptarësh që donin të braktisnin shtëpitë e tyre për shkak të persekutimit otoman: ata i kërkonin Papa Benediktit XIV (1740-1758) ndihmë dhe mbrojtje dhe ai pranoi t’ua japë. Me t’u kthyer në Shqipëri, Remani mblodhi shqiptarët më në rrezik dhe,
me të gjetur një mjet lundrues - sot do të thonim “skafistët” - tridhjetenëntë familje shkodrane, gjithsej 218 vetë, u nisën për në drejtim të brigjeve italiane. Udhëtimi
i ndërmarrë në janar të vitit 1756 zgjati 33 ditë deri kur më në fund mbërritën në Ancona. I ngarkuari i Papës në kryevendin markixhan, Corrado Ferretti, urdhëroi Golfalonierin, markezin Trionfi, t’u jepte strehë dhe ushqim të ardhurve. Remanit - që vinte nga një fis
bajraktarësh të zonës së Velipojës pranë lumit Buna, dhe që për aktin e kryer kishte humbur të gjitha pasuritë e tij, si troje, shtëpi (mes të tjerash edhe një vilë në Shkodër) dhe mallra të tregtueshëm - Papa i caktoi 8 skude në muaj. Ndërsa vëllai i tij prift, Stefani, që ndodhej në Romë në Propaganda Fide (kongregacion që kishte për detyrë organizimin e të gjithë veprimtarisë misionare të kishës), u zgjodh drejtues shpirtëror i
komunitetit i shpërblyer me 8 skude në muaj.
Pas pak kohësh këto çeqe nuk iu dhanë më, dhe Anton Remani, i katandisur në mjerim, vdiq duke lënë pas shumë fëmijë. Për mëshirë Ferretti iu drejtua Kardinalit Giovanni Francesco Banchieri, Arkëtari i Përgjithshëm i të Nderuarës Dhomë Apostolike (organi
më i lartë administrativ i Shtetit të Papës), me letrën e datës 14 tetor 1757, duke iu lutur të ndihmojë në njëfarë mënyre familjen Remani dhe të tjerat (në atë kohë në Ancona); kështu, Kardinali Banchieri mori nga e Nderuara Dhomë Apostolike në përdorim të përhershëm terrene djerrë në lagjen e pabanuar të Pianianos të shtetit antik të Castros. Lagje e braktisur krejtësisht që nga viti 1734 dhe që sillte humbje të mëdha për arkat e shtetit; situatë që do të rregullohej vetëm me mbërritjen e shqiptarëve. Studiuesi Puccini rigjeti instrumentin e këtij koncesioni, me datë 29 nëntor 1757, mes dokumenteve të
Boncompagnit, noter i Capodimontes. Kopja u shpall publikisht nga noteri Salvatori më 10 qershor 1758. Instrumenti i koncesionit është me vlerë të vyer më tepër për përmbajtjen sesa për formën. Në fakt, dhurimi nuk ishte gjë e zakonshme për atë kohë: fakti që u bë në mënyrë kaq të thjesht është kuptimplotë. Për më tepër, refugjatëve shqiptarë iu dhanë “40 krerë bagëti, si dhe mjete pune për shpyllëzim, heqjen e rrënjëve dhe për të kthyer tokën nga djerrë në të punueshme”. Në vitin 1759 u përhap fjala që familjet shqiptare do të ktheheshin në atdhe kështu që me një instrument qiraje që
ato kishin lidhur në favor të zotërinjve PietroPaolo dhe Benedetto Valdambrini, u hodh hapi i parë që, pas largimit të familjeve nga Shteti i Castros, të ishte e ligjshme për qiramarrësit marrja e terreneve. Më 28 nëntor 1760, për shkak të kushteve të pashëndetshme të zonës, që u kishte marrë jetën 76 vetëve, shqiptarët nuk u kthyen në Shqipëri por, me ndihmën e Papa Klementit XIII (1758-1769), emigruan drejt Capitanatës në Mbretërinë e Napolit, dhe bashkë me italianë e të huaj të tjerë themeluan
qytetin Poggio Imperiale, siç dëshmojnë dokumentet e Peshkopit të asokohe të Lucerës, Imzot Giuseppe Maria Foschi. Dua të kujtoj që edhe në Qefti-n (italisht: Chieuti), dy hapa nga Capitanata, kishte një komunitet shqiptarësh që prej shekullit XV. Poggio Imperiale lindi falë Placido Imperiales, Princ i Sant’Angelo dei Lombardi (në Avellino) dhe Signore i Gjenovës që jetonte në Oborrin e Napolit.
Marrë nga e përmuajshmja "Rrënjët", e diasporës shqiptare në Itali