E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Asnjë provokacion, si i Shkodrës, nuk do ta lëkundë mbështetjen e PD-së për studentët

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se asnjë provokacion, si i Shkodrës, nuk do të ndikojë në mbështetjen e opozitës për revoltën studentore.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se provokacionet ndaj Partisë Demokratike, përfshirë atë në Shkodër, nuk do të ndikojnë në mbështetjen e opozitës për protestën studentore. Ai theksoi se PD do të qëndrojë në krah të studentëve deri në fitore.

“Jam këtu për të paralajmëruar Edi Ramën se asnjë provokacion i ulët, i llojit të atij që organizoi në Shkodër ndaj Partisë Demokratike, selisë së saj, nuk do mund të lëkundë kurrë, gjer në fitore, mbështetjen e plotë dhe totale të Partisë Demokratike për revoltën studentore”, deklaroi Berisha.

Berisha, shprehu me bindje se protesta studentore do të triumfojë, duke e përmbyllur deklaratën e tij me mesazhin, “Studentët do fitojnë.”

Në Shkodër paraditen e sotme pati tension dhe përplasje me policinë gjatë protestës së zhvilluar.

Gjatë tubimit, një grup protestuesish, krahas insititucioneve të tjera, sulmuan edhe selinë e Partisë Demokratike.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›