E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ata që hedhin ujë e gaz do ndëshkohen me forcën e ligjit

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike e Shqipërisë akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë ndaj protestuesve.

Duke folur për mediet, pasi protestuesit u larguan nga godina e Kryeministrisë pas hedhjes së molotovëve dhe u drejtuan drejt selisë së Kuvendit, Berisha tha se dhuna ndaj protestuesve u organizua nga Ilir Proda dhe Sokol Bizhga, të cilët sipas tij do të marrin dënimin sipas ligjit.

“Dy janë ata që hedhin ujë dhe gaz, Ilirjan Proda dhe Sokol Bizhga, dy kriminelë të klasit më të lartë, të cilët në mënyrën më absolute do ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit”, u shpreh kreu i PD-së.

Ai u bëri thirrje policëve t’i bashkohen protestuesve.

Berisha theksoi se populli ishte derdhur njëlloj si më 20 shkurt 1991 dhe se Edi Rama është i pashpresë.

“Siç pastruam bashkinë nga Erion Veliaj, do ta pastrojmë edhe kryeministrinë nga Edi Rama. Do ta ndajnë fatin me njëri-tjetrin. Nuk do të gjejnë as azil politik, të cilin po e kërkojnë”, shtoi ai.

Berisha përshëndeti besimtarët myslimanë dhe të krishterë.

“Zoti ju pranoftë agjërimin dhe Ramazanin! Zoti ju pranoftë të krishterëve, Kreshmën! Zoti ju pranoftë shqiptarëve protestën! Sakrificë, sakrificë”, tha Berisha. /j.p/

1 nga 6

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›