E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit zhvendosen nga Kryeministria, molotovë drejt Kuvendit

TIRANË, 19 shkurt /ATSh/ Protesta e sotme e opozitës është përshkallëzuar, ku protestuesit kanë hedhur bomba molotov dhe tymuese në drejtim të forcave të Policisë.

Gjatë zhvendosjes së mbështetësve të opozitës, nga bulevardi përballë Kryeministrisë në drejtim të godinës së Parlamentit, protestuesit gjatë rrugës u kanë vendosur zjarrin disa kazanëve të mbeturinave.

Pas mbërritjes përballë Kuvendit, protestuesit kanë nisur hedhjen e molotovëve, ndaj Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, ndërsa ka bërë thirrje për ndërprerje të veprimeve të dhunshme.

Edhe kreu i PD-së Berisha ka qenë i pranishëm pranë Kuvendit, por hedhja e molotovëve dhe kundërpërgjigja me ujë nga policia e ka detyruar të ndërpresë komunikimin me gazetarët dhe të lëvizë. Berisha vijoi të qëndrojë në krah të xhamisë.

Ndërkohë, protestues kanë vijuar hedhjen e molotovëve edhe në drejtim të makinave ujëhedhëse. Po ashtu, ata janë përpjekur disa herë t’i afrohen Kuvendit.

Hedhja e molotovëve ka vijuar gjatë gjithë kohës, ndërsa policia ka përdorur dhe gaz lotsjellës.

Po ashtu, protestuesit janë vendosur në afërsi të xhamisë së Namazgjasë ku janë shpërndarë me gaz lotsjellës. Përgjatë Rrugës së Elbasanit, turma protestuesish kanë vijuar të hedhin molotovë ndërsa policia gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Situata ka vijuar kaotike ndërsa një i ri ka humbur ndjenjat në protestë dhe është transportuar drejt spitalit.

1 nga 26

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›