Berisha: Autostrada Tiranë-Elbasan, gati para zgjedhjeve të 2013-s
Kryeministri përuron tunelin e Kërrabës me ngjyrime elektorale dhe sulme ndaj opozitës
Fatjona Mejdini
Kryeministri Sali Berisha, pavarësisht situatës së vështirë politike në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit përuroi dje nën një ceremoni të kuruar në detaje hapjen e tunelit të Kërrabës që lidh Tiranën me Elbasanin. I shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, deputetë të dy qarqeve dhe të zgjedhur vendorë, Kryeministri Berisha e konsideroi autostradën Tiranë-Durrës si veprën e dytë më të rëndësishme infrastrukturore në vend, pas Rrugës së Kombit Durrës-Kukës. Por duke e quajtur këtë rrugë një vepër historike, e cila ju vjen shqiptarëve në 100-vjetorin e pavarësisë, Berisha nuk harroi ti jepte dhe ngjyrime elektorale aktivitetit të djeshëm, duke vënë në dukje faktin se kjo autostradë do të ishte gati brenda gjashtëmujorit të parë të 2013-s, kohë e cila përkon me fushatën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Tuneli dhe rruga përbëjnë pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më madhore që ndërtohet në Shqipëri. Unë jam këtu për tu zotuar para jush, se gjysmën e parë të vitit 2013, Tirana dhe Elbasani do të bashkohen përjetësisht njëra me tjetrën, deklaroi Berisha pasi kishte shkatërruar në mënyrë simbolike murin që ndante dy anët e tunelit të Kërrabës. Nisur nga ngjyrimet elektorale që i dha ceremonisë së djeshme, kreu i qeverisë nuk harroi as të akuzonte opozitën në vend, se ishte përpjekur ta bllokonte këtë vepër dhe duhet ti kërkonte të falur shqiptarëve për këtë gjest. Duke folur për vështirësitë që kishin karakterizuar këtë nismë, Berisha e vuri theksin te nata e miratimit të buxhetit të vitit 2011, ku sipas tij, opozita kërkonte ta bllokonte kalimin e tij, vetëm e vetëm që të bllokonin fondet e Tunelit. Unë jam këtu për ti bërë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, mos i pengo deputetët e tu të vizitojnë tunelin dhe autostradën, siç po bën me rrugën e kombit, së dyti kërkojuni të falur publikisht qytetarëve të Elbasanit, Tiranës, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Bilishtit dhe Kolonjës, sepse vota juaj kundër fondeve të tunelit nxin dhe do të nxijë si zift i vërtetë në analet dhe arkivat e Parlamentit shqiptar, ndaj dhe kërkoni ndjesë, deklaroi Berisha. Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, tunelin e Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milionë dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim. Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra, ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel. Tuneli ndodhet rreth 13 kilometra larg qytetit të Tiranës dhe rreth 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Në total janë gërmuar 470,000 m³ shkëmb dhe janë realizuar 60 për qind e punimeve fizike. Aktualisht kanë filluar punimet e metrave të parë të betonimit të tunelit, për të vazhduar më pas me punimet elektromekanike të tij.
Berisha: Autostrada Tiranë-Elbasan, gati para zgjedhjeve të 2013-s burimi: Gazeta Shqip