E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova shënojnë 134- vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeminstri Sali Berisha

Dy qeveritë shqiptare, ajo e Republikës së Shqipërisë dhe e Republikës së Kosovës janë mbledhur të dielën në Prizren për të shënuar 134-vjetorin e ngjarjes më madhore të kombit shqiptarë të shek. XIX, atë të Lidhjes së Prizrenit.

Ceremonia e 134-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit filloi me himnin e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në ceremoni ishte kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe shumë personalitete nga jeta politike e kulturore mbarëkombëtare.

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, vlerësoi se Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë, ndoshta më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. Në këtë ngjarje, Berisha tha se, personalitetet shqiptare u mblodhën me qëllimin për një komb një qëndrim.

Ai tha se Lidhja e Prizrenit, shënon ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë theksoi se Lidhja e Prizrenit shpalli integritetin e territoreve shqiptare, duke i thënë botës se shqiptarët për trojet e tyre do të vendosin vetë.

Faleminderit Kosovë se këtu lindi ushtria shqiptare për tu dalë zot trojeve të veta. Faleminderit Kosovë se këtu u organizuan kryengritjet gjigande që sollën pavarësinë e Shqipërisë. Faleminderit Kosovës që nuk u përkulët kurrë, u shpreh ndër të tjera Berisha.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Lidhja e Prizrenit me përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare është organizata më e rëndësishme politike e asaj periudhe.

Ai vlerësoi se rilindësit shqiptarë me idealizëm të rrallë vunë themelet e ndërgjegjes kombëtare.

Kryeministri i vendit, më tej tha se Kosova me gjithë fatin tragjik, e mbetur jashtë shtetit shqiptarë, vazhdoi me idealizëm përpjekjet për çlirim. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›