Takimi Berisha-Rama, në prag të dështimit. Mazhoranca mbledh pasdite tryezën për president
Dy krerët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së nuk kanë arritur dje të gjejnë modalitet për një takim mes dy drejtuesve kryesorë në vend
Negociatat
Negociatorët e palëve, Patozi dhe Ruçi, shkëmbyen dje vetëm një telefonatë
Fatjona Mejdini
Mazhoranca parlamentare pritet të dalë me një emër kandidati për president sot në mbrëmje, nga një tryezë që do të nisë në orën 18:30 dhe pritet të përfundojë në orët e vona të së dielës. Kjo tryezë pritet të jetë përfundimtare për sa i përket negociatave të mazhorancës parlamentare, nisur nga fakti se nesër paradite do të mbahet dhe seanca plenare, nga ku kreu i shtetit do të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash. Nga ana tjetër, dje, Kryeministri Sali Berisha ka pasur takime kokë më kokë me aleatët e tij. Burimet bëjnë të ditur për Shqip në zyrën e tij Berisha ka pritur Ilir Metën nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Shpëtim Idrizin nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Fatmir Mediun nga Partia Republikane. Dje, në takimet që kanë pasur mes tyre drejtuesit e partive të mazhorancës janë diskutuar disa emra kandidatësh, të cilët vijnë kryesisht nga bota diplomatike dhe e jurisprudencës. Emri final që do të vendoset sot pritet të ketë një profil të tillë dhe se opozita do të ketë shumë pak kohë të konsultohet për këtë kandidaturë. Nga ana tjetër, dje kanë qenë të vakëta dhe negociatat mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, që do të zgjonin shpresën për gjetjen e një emri konsensual dhe të pranuar nga të dyja palët. Burimet bëjnë të ditur se mes dy negociatorëve të partive, Astrit Patozit nga PD-ja dhe Gramoz Ruçit nga PS-ja është shkëmbyer vetëm një telefonatë. Kjo do të thotë që shanset për një takim sot, mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, për çështjen e presidentit, janë pothuajse zero. Kjo situatë pritet të çojë dhe në miratimin e një presidenti vetëm të shumicës nesër në Parlament.
Mazhoranca - Ndonëse zyrtarisht dita e djeshme është konsideruar e qetë politikisht, larg dritave të mediave, Kryeministri Berisha ka diskutuar në zyrën e tij në takime të ndara me aleatët për emrin e presidentit të ri të vendit. Burimet bëjnë të ditur se në këto takime janë hedhur për diskutim emra të cilët vijnë nga radhët e jurisprudencës dhe diplomacisë, por ende nuk është konkluduar në kandidatin e radhës së mazhorancës për president. Emri i tij do ta dalë nga negociatat e radhës mes katër drejtuesve të mazhorancës, që do të nisin sot, në orën 16:30 dhe pritet të zgjasin shumë vonë. Ashtu si në rastin e Xhezair Zaganjorit, mazhoranca do të qëndrojë e bashkuar rreth një emri të vetëm kandidati, për të votuar nesër në seancën që lejon që kreu i ardhshëm i shtetit të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë.
PD-PS - Marrëdhëniet mes dy forcave më të mëdha politike në vend, nga pritej dhe konsensusi për emrin e presidentit kanë qenë tepër të ftohta edhe dje. Burime bëjnë të ditur se mes Patozit nga PD dhe Gramoz Ruçit nga PS është shkëmbyer vetëm një telefonatë dhe prej saj nuk është përcaktuar asnjë veprim i përbashkët politik. Kjo situatë bën që takimi i pritshëm mes Berishës dhe Ramës të jetë pothuajse i pamundur për tu realizuar. Vetëm një presion tepër i madh nga ndërkombëtarët mund të bënte që mes tyre të kishte një shtrëngim duarsh dhe më pas, mbase kompromis.
Seanca - Deputetët e mazhorancës pritet të japin nesër dhe 20 firmat që kërkohen për të shpallur zyrtarisht një kandidat për president. Lista me 20 firma e shoqëruar me emrin e kandidatit pritet ti kalojë për miratim fillimisht Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe më pas të niset drejt seancës plenare, nga ku pritet të dalë dhe presidenti i ri i shqiptarëve.
Ish-kryeministri – Ish-kreu i socialistëve, Fatos Nano, ka aktualisht shumë pak shanse të bëhet pjesë e garës presidenciale, e cila do të kulmojë nesër
Një grup inxhinierësh dhe mjekësh nga i gjithë vendi i kërkuan Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, të zgjedhin Neritan Cekën president
Këshilltari i Kryeministrit Sali Berisha, Neritan Ceka, po kërkon të konsiderohet një kandidaturë e mundshme në garën për president. Kjo ambicie e ish-drejtuesit të Aleancës Demokratike është shprehur dje, përmes një letre të një grupi profesionistësh si inxhinierë dhe mjekë, të cilët i kërkuan Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, që ta konsideronin Cekën si kandidat konsensual. Në këtë letër, ata rendisin dhe një sërë arsyesh pse dy krerët e politikës duhet ta pranojnë Cekën, duke theksuar pikë së pari se ai ka një përvojë të gjatë politike.
Neritan Ceka ka përvojë të gjatë në politikë dhe si i tillë është i pranueshëm për të djathtën shqiptare, ku ka qenë një ndër liderët themelues të Partisë Demokratike me kontribute të rëndësishme në fillimet e lëvizjes demokratike. Në të njëjtën kohë, Ceka është i pranueshëm edhe për të majtën shqiptare, si pjesëmarrës në koalicion me Partinë Socialiste në ringritjen e institucioneve shtetërore, të rrënuara në vitin 1997, theksohet në letër.
Berisha do të jetë sot në mesditë në Prizren, ku do të marrë pjesë në festimin e 134-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit së bashku me drejtuesit politikë të Kosovës
Kryeministri Berisha do ta nisë sot ditën me një udhëtim drejt Kosovës, në Prizren, do të marrë pjesë në aktivitetet që do të zhvillohet në kuadër të 134-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Bashkë me kreun e qeverisë, në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë dhe personalitetet më të larta të Kosovës, siç janë Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidentja Atihfete Jahjaga. Pavarësisht situatës së ndërlikuar politike, për shkak të tërheqjes së kandidatit të mazhorancës, Xhezair Zaganjori nga gara për president, Kryeministri Berisha, në dukje i qetë, ka vijuar axhendën e tij si drejtues i qeverisë. Muajt e fundit ai ka ndërmarrë dhe vizita të ndryshme drejt Kosovës në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta që dy vendet kanë kryer, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Pak javë më parë, Berisha ishte përsëri në Prizren, për të marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar për unifikimin e Abetares mes dy vendeve.
Takimi Berisha-Rama, në prag të dështimit. Mazhoranca mbledh pasdite tryezën për president burimi: Gazeta Shqip
