E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ballagati mësimi i Ramës për zgjedhjet

Kryeministri Berisha vizitoi sot disa fshatra të bregut të Jonit, ku inaguroi një sërë veprash të rëndësishme të infrastrukturës së brendshme. I shoqëruar nga një grup deputetësh, kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano dhe në prani të autoriteteve lokale, Kryeministri Berisha inaguroi ujësjellësin e fshatit Gjilekë. Ky ujësjellës, i cili kap një vlerë prej 41 milionë lekësh, furnizon me ujë 460 familje për 24 orë gjatë gjithë vitit. Ujësjellësi siguron një furnizim të pandërprerë me ujë edhe për periudhën e verës, kur kjo zonës vizitohet nga një numër i madh turistësh.
Kryeministri Berisha duke përshëndetur banorët e zonës u shpreh:
“Dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, t’ju përshëndes ju zoti kryetar, të përshëndes deputetët e pranishëm këtu, të përshëndes të gjithë qytetarët e bregut, si dhe të shpreh kënaqësinë time të madhe se pasi inaguruam këtu vetëm pak javë më parë rrugën më panoramike të Shqipërisë, rrugën më të rëndësishme për turizimin shqiptar, që lidh Vlorën me Gjirokastrën, sot inagurojmë një seri veprash të rëndësishme të infrastrukturës së brendshme të bregut.
Sapo inaguruam ujësjellësin e Gjilekës, me një investim prej 41 milionë lekë. Së shpejti do të inagurojmë ujësjellësin e Vunoit, i cili do t’i japë ujë Vunoit për 24 orë. Ka përfunduar projekti dhe do të fillojnë punimet për ujësjellësin e Himarës. Ajo çka unë ju premtoj ju, është se qeveria është e vendosur të garantojë furnizimin me 24 orë ujë për të gjitha familjet e bregut; është e vendosur të asfaltojë çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave tuaja, në mënyrë që të lehtësojë jetën tuaj dhe t’i bëjë ato sa më mikëpritëse për turistët që vijnë nga e gjithë bota. Qeveria është e vendosur t’ju ndihmojë juve dhe të bëjë çdo investim në mënyrë që bregu të bëhet një nga zonat më të famshme në Europë për turizmin dhe një nga zonat më të bukura të saj, jo vetëm të Shqipërisë. Janë tenderuar dhe do të fillojnë punimet në rrugën e plazhit poshtë Palasës, rrugët e plazhit në Dhërmi, shëtitorja e Potamit në Himarë, rruga e plazhit në Kakome, rruga e plazhit të Jalës, rruga e plazhit të Lukovës, rruga e plazhit të Livadhës. Nuk po i numëroj të gjitha, por ju garantoj se do të asfaltohet dhe do të sistemohet çdo rrugë e këtyre fshatrave. Në Himarë po punohet për kanalizimet, është gati projekti për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Projekte të tilla do të bëhen në çdo qendër banimi, ku është e nevojshme për të garantuar standartet më të mira evropiane të pastërtisë së ujërave të bregdetit tonë.
Unë shfrytëzoj rastin të përshëndes nga bregu, zgjedhësit e Ballagatit, të cilët konfirmuan besimin e palëkundur te mazhoranca, te ndryshimi i Shqipërisë. I garantoj ata se vota e tyre do të shndërrohet në një mirësi konkrete për çdo fermer të Ballagatit. I falenderoj ata për mësimin e shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili në arrogancën e tij, në fodullëkun e tij, e ka të vështirë të nxjerrë mësime. Në asamblenë e tij, të cilën e mblodhi megjithëse është mandat humbur, deklaroi se nuk do të njihte zgjedhjet.
Unë dua t’i them zotit Rama, këtu nga Dhërmiu, këto fjalë: Në qoftë se ti, nuk njeh popullin tënd, kujdes se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti, janë limonata të përkohshme, që thartohen në verën e parë dhe kështu u thartove edhe ti. Kjo është e vërteta. Megjithatë, atë që duhet t’i themi ne, ia tha Ballagati, se pse nga parti që kishte fituar zgjedhjet dy vjet më parë, humbi me 73 përqind, mbeti me 26 përqind dhe do të shkojë drejt 17.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të bregut. Le ta lëmë Edi Ramën në banesën e humbjes, aty ku e ndrynë shqiptarët më 28 qershor. Kurse ne se bashku, lë të vazhdojmë të këndojmë këngën e fitores, duke inaguruar rrugë, ujësjellësa, kanalizime, duke urbanizuar këtë zonë, sepse ky vit është sërish viti i bumit turistik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju garantoj se çdo vit, turizmi në këtë vend do të jetë në rritje. Thirrja ime vëllazërore për ju është që të bëni edhe ju çdo përpjekje për të gjallëruar këtë zonë. Nuk ka diskutim se bregu është zona më e bukur turistike, jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por ndoshta edhe në Evropë.
Por bregu gjithashtu ka edhe prodhimet e tij të mrekullueshme, me të cilat ka qenë i njohur prej shekujsh në Evropë. Ndaj edhe ne, ju bëjmë thirrje, që të mbillnin sa më shumë ullinj dhe agrume. Dhe ju garantoj për dy gjëra: se do të financojmë çdo rrënjë ulliri dhe agrumeje që do të mbillni në këtë zonë, si dhe do të bëjmë çdo investim për të siguruar vadijen për to. Por nuk duhet që ne të heqim dorë prej tyre. Të ardhurat e turizmit janë të mëdha dhe shumë të rëndësishme, por të mos harrojmë që prodhimet tuaja në ullinj dhe agrume, mund të jenë gjithashtu për ju shumë të mëdha dhe të rëndësishme. Ndaj le t’i kthehmi atyre dhe të jetë një qëndrim kompleks ndaj zonës tuaj, sikundër do të përpiqemi të bëjmë çmos t’ju kreditojmë për zgjerimin e banesave dhe ndërtimin e banesave të reja. Turizmi këtu ka një zhvillim të madh, por potenciali turistik është shumë herë më i madh. Ndaj dhe ne do të ecim drejt shfrytëzimit të tij.
Edhe një herë ju përshëndes dhe ju garantoj se brenda vitit 2010, do të përfundojnë së asfaltuari të gjitha rrugët e fshatrave tuaja, që të çojnë drejt detit. Brenda viti 2010 do të bëjmë investimet më të mëdha në furnizimin tuaj me ujë në mënyrë që dora-dorës çdo fshat i bregut, të mund të ketë ujë 24 orë. Brenda vitit 2010, do të ndërtojmë së bashku me qeverinë vendore projektet më të mira për vaditjen, pasi këtu ka ujëra të shumta nëntokësore, të cilat mund të jenë një burim i shkëlqyer i vaditjes të tokave tuaja që i keni me pakicë, por i keni shumë të çmuara.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›