E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Bashkëpunim me PS, Rama: Ligjet jo për tu hedhur hi syve

TIRANË- Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama, zhvilluan takime me shefat e diplomacise italiane dhe greke, Franko Fratini dhe Stavros Lambrinidis. Këto takime synuan nxitjen e dialogut në vend dhe përshpejtimit të reformave të nevojshmë për pëparimin e vendit në procesin e integrimit.

Shefi i qeverisë Sali Berisha në takimin që zhvilloi sot me dy shefat e diplomacisë italiane dhe shqiptare, e vlerësoi vizitën e tyre si një ndihmesë e madhe dhe i siguroi të dy ministrat se projekti Europian i vendit, mbetet projekti më madhor për shqipëtarët.

"Projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë, projekti më madhor për shqiptarët dhe e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian",- deklaroi Berisha.

Shefi i qeverisë shprehu vullnetin e qeverisë dhe mazhorancës, për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve, si dhe për të votuar bashkërisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Kryeministri theksoi se “bashkëpunimi dhe jo bllokimi, janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE“, ka thënë Berisha.

Nga ana tjetër Partia Socialiste pritet të paraqesë së shpejti në Kuvend një draft me propozimet konkrete për reformën parlamentare. Deklarata u bë nga vetë kryesocialisti Edi Rama, pas takimit me ministrat e Jashtëm italian dhe ate grek.

Edhe pse u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me mazhorancën , lideri i të majtës , tha se deputetët socialist nuk do të votojnë ligjet që kërkojnë edhe votën e opozitës , sa për t`i hedhur hi syve Brukselit.

“Nuk do të votojmë projektligje të paharmonizuara me një vizion solid të ndërtimit e të funksionimit të shtetit shqiptar dhe nuk do ta ngremë kartonin jeshil sa për t’i hedhur hi syve Brukselit me arna të quajtura rëndom reforma integruese. Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave atë do ta japim vetëm mbi një platformë të qartë, kombëtare dhe transparente, të reformimit të domosdoshëm të sistemit në fushën e drejtësisë, sigurisë e me radhë me fokus e standardet e integrimit europian”- nënvizoi Rama.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›