E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Azem Hajdari figurë e freskët për demokracinë

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot në mesditë një vizitë në familjen e ish-deputetit të vrarë Azem Hajdari.

Në 13 vjetorin e vrasjes së ‘pishtarit të demokracisë’, kreu i shtetit gjatë vizitës së tij kujtoi me nderim e respekt të veçantë disa momente të punës e bashkëbisedimeve miqësore me të ndjerin Hajdari.

Topi në një prononcim për mediat nënvizoi se pavarësisht se vitet kalojnë Hajdari do të kujtohet në histori si njeri i veprave të mëdha.

"Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e vlerësojmë Azemin, një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar. Edhe pse kalojnë vitet, vështirë se gjendet një figurë paralele me Azem Hajdarin, për kurajon civile e qytetare, për të demonstruar në çdo lloj mjedisi se njeriu, para se të realizojë vepra të mëdha, duhet të jetë së pari një njeri i lirë. Kjo është arsyeja që ai respektohet dhe mbetet gjithmonë një figurë shumë e freskët për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare",- u shpreh presidenti Topi.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›