E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Bashkepunimi Shqiperi- OKB histori suksesi

Qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara shënuan sot një hap të rëndësishëm përpara nëpërmjet nënshkrimit të programit të ri të bashkëpunimit për periudhën 2012-2016.

Kryeministri Sali Berisha theksoi gjatë firmosjes së kësaj marrëveshjeje se "bashkepunimi ynë me OKB është i gjerë dhe i suksesshëm. Historia e suksesit të këtij bashkëpunimi është zgjedhja e Shqipërisë si vend pilot për të aplikuar projektin "Një OKB", projekt që po konsolidohet gjithnjë e më shumë në sajë të punës me përkushtim të agjencive të OKB-së në Shqipëri dhe drejtimin nga zonja Toumi-Benjelloun".

"Është një rast i veçantë që sot në 66 vjetorin e OKB të shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për të gjithë përfaqësuesit, ekipet, stafin e kësaj organizate, për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e tyre drejt integrimit”, tha Berisha.
"Ne kremtojmë këtë 66 vjetor me një histori të vërtetë bashkëpunimi dhe suksesi. Qindra burra dhe gra, ekspertë të OKB, këto 20 vite i kanë dhënë Shqipërisë ndihmën më të çmuar dhe të gjithanshme. Ata me kontributin e tyre janë pjesë e rëndësishme e suksesit të këtij vendi", theksoi Berisha.
"Nënshkruam këtë marrëveshje bashkëpunimi për 4 vjet, i cili përfshin fusha nga më të ndryshmet, nga teknologjia e informacionit, tek vdekshmëria foshnjore, emigracioni, turizmi, zhvillimi kulturor, etj", tha Berisha.

Ai theksoi se "programi do të jetë i përqendruar për të ndihmuar Shqipërinë për promovomin e një modeli të qëndrueshëm”.
“Shqipëria, vend i zhvilluar, është synimi ynë madhor, ëndrra më e bukur e çdo shqiptari. Kjo ëndërr gjen realizimin e saj në projektin për zhvillimin e qëndrueshëm', tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri bëri të ditur se "Qeveria është e vendosur të bëjë përpjekjet më të mëdha për një mjedis sa më të pastër. Studimet më serioze kanë faktuar që një përqindje e lartë e vdekjes përcaktohet nga mbrojtja e mjedisit. Do të bëjmë gjithçka për një mjedis të shëndetshëm. Do të jetë e afërt dita kur ujërat tona do të jenë më të pastrat e rajonit. Po punojmë për një strategji të mbrojtjes së mjedisit. Po punojmë për një pyllzim të paprecedent të vendit", tha Berisha.
Ai vlerësoi se "OKB është promotor kryesor i zhvllimit të qëndrueshëm në botë. Me mbështetjen e saj do zhvillojmë këtë vend në mënyrën më të qëndrueshme, më jeshile. Dhe kjo është në interesin e qytetarëve të këtij vendi".
Znj. Zineb Toumi- Benjelloun, e cila nënshkroi marrëveshjen në emër të Kombeve të Bashkuara, pasi vlerësoi Shqipërinë për arritjet e saj, theksoi se "programi reflekton angazhimin tonë të përbashkët për arritjen e rezultateve dhe për t’i shërbyer më mirë popullit shqiptar".
Sipas znj.Toumi- Benjelloun, "programi i ri, i drejtuar nga Qeveria e Shqipërisë dhe bazuar në pikat e forta të njëzet agjencive, programeve dhe fondeve pjesëmarrëse të Kombeve të Bashkuara, mbështet përparësitë kombëtare dhe sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal dhe politikave sociale gjithëpërfshirëse. Programi mbështet Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit evropian".

Ajo nënvizoi se "programi është produkt i konsultimeve të shumta me një game të gjerë partnerësh, duke filluar me qeverinë, shoqërinë civile dhe shumë e shumë partnerë të tjerë. Programi bazohet në eksperiencën e përfituar nga programi i mëparshëm “Një OKB”, dhe thellon më tej reformën e Kombeve të Bashkuara në vend për t’iu përgjigjur me më shumë efektivitet përparësive kombëtare”.
Programi "Një OKB" në Shqipëri përfshin agjenci, fonde dhe programe të përhershme dhe jo të përhershme në Shqipëri, të cilët kontribuojnë në mënyrë strategjike për përparësitë e zhvillimit strategjik të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›