E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentacione false per azil ne BE

Sot, nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar, pranë Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, janë referuar materialet në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve:

Faz Tahir Shabaj, vjeç 62, banues në Postribë, Shkodër, me detyrë Kryetar i Komunës Postribë, Qarku Shkodër.

Ramadan Rexhep Likaj, vjeç 45, banues në Koplik, me detyrë Kryetar i Bashkisë Koplik, rrethi Malësi e Madhe.

Këta shtetas akuzohen se, duke qenë në detyrat e mësipërme, kanë lëshuar vërtetime te falsifikuara për persona të ndryshëm se janë në hasmëri, me qëllim që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azil në Belgjikë, duke konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga nenet 248 dhe 186 të Kodit Penal.

Bazuar në informacionet e administruara nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pranë Policisë së Shtetit, ka rezultuar se shtetas shqiptar, duke përfituar nga lëvizja e lirë, pasi kanë shkuar në vendet e zonës Shengen kanë aplikuar për azil pranë organeve kompetente në këto vende. Kërkesat e tyre për azil kanë qenë të shoqëruara me vërtetime nga Komuna të ndryshme, kryesisht të Qarkut Shkodër, ku vërtetojnë se janë në konflikte dhe në gjakmarrje.

Pas verifikimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Organet Policore Belge, ka rezultuar se praktikat e dorëzuara nga shtetasit shqiptarë për të përfituar azil ishin Vërtetime të lëshuara nga Komunat ose Bashkia Koplik dhe vërtetime nga Shoqata Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar nga personat e sipërpërmendur pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore dhe në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje.

Nga ana e Policisë së Shtetit janë administruar gjithashtu dhe të gjithë dokumentet e Sekretarit të Shoqatës Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër.

Aktualisht strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›