E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Ne te gjithe vendin ndryshime te medha infrastrukturore

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së, se në të gjithë vendin po ndodhin ndryshime të mëdha infrastrukturore.

"Po çojmë rrugët të çdo qytetar shqiptar", tha Berisha, duke iu referuar vizitës së djeshme në qarkun e Dibrës, ku përuroi 6 investime infrastrukturore.

Sipas Berishës, ndryshimet thelbësore në infrastrukturë kanë zhvilluar zonat e veriut, i kanë afruar me Tiranën. "Në rast se mandati i parë u dominua nga "Rruga e Kombit", ky mandat do të dominohet nga "Rruga e Qytetarit", por në kuptimin që e para është vërtet e Kombit nuk ka diskutim, por e dyta është po kaq e vërtetë, se ne po çojmë rrugën tek çdo qytetar", tha Berisha.

"Ishte një kënaqësi e veçantë të shkoje në Zerqan, një nga fshatrat më të bukura në një vend të standardeve europiane, ndjeje në çdo pamje gëzimin, por dhe krenarinë e banorëve, të cilët më informuan mua se që kur ka përfunduar rruga, jo të paktë janë zerqanasit që po ndërtojnë shtëpitë e vjetra ose po ndërtojnë shtëpi të reja", tha Berisha.

Ai vuri në dukje se rruga në Zerqan transformonte jetën e 4 mijë banorëve dhe Zerqani ka tashmë rrugë me standarde evropiane.
Kryeministri vlerësoi interesin që qytetarët treguan për zhvillimin e arrorëve dhe siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që ta kthejë këtë ëndërr shekullore në realitet.

Berisha theksoi se zona e Dibrës përbën potencialin turistik më të fuqishëm malor, ku mund të ngrihen resortet turistike më të bukura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›