E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Biznesit do t’ia përgjysmojmë barrë fiskale, gjobat e vendosura do të falen

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e “PD-së Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qarkun e Lezhës.

Gjatë fjalës së tij Berisha e vuri theksin te programi i Partisë Demokratike. Berisha tha se kur të vijë në pushtet PD do të përgjysmojë barrën fiskale për biznesin.

“Bizneseve do t’u përgjysmojmë barrën fiskale. 10 për qind është taksa e mijëvjeçarëve, është taksa e librave të shenjtë, është taksa më e drejtë në botë. 10 për qind do të jetë taksa jonë. TVSH do ta ulim në 15 për qind. Nuk do munden kurrë t’i tatojnë bizneset e vogla me shumë se 1% të xhiros”, u shpreh Berisha.

Berisha tha po ashtu se “gjobat të gjitha falen me 12 maj. Gjobat e këtyre që mund të ju vej çdo epitet, por nuk dua të prish gojën, nuk njihen, por do të anulohen më 12 maj”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se “Shqipëria Madhështore do të mund të realizohet vetëm duke pastruar shtëpinë tonë”.

“Nuk ndodh më që diferenca mes rrogës minimale dhe maksimale të jetë 10-12-fish. Jo, miq! Nuk lejohet, nuk është njerëzore, sepse edhe ai rrogëlarti dhe ky rrogulti kanë fëmijë për të ushqyer. Prandaj dhe kjo diferencë do të ngushtohet, do të zbresë aty ku është në vendet e zhvilluara, aty ku ka drejtësi sociale, 1 me 4 apo 1 me 5, dhe askurrë më shumë”, tha Berisha.

Berisha tha se do të fokusohet të prodhimet “Made in Albania”, duke shtuar se duhet nxitur prodhimi vendas.

“Por Shqipëria do të jetë madhështore vetëm kur ajo të punësojë, të rrisë mirëqenien e qytetarëve të saj. Dhe një Shqipëri që punëson, është vetëm një Shqipëri që prodhon. Ndaj dhe ne ‘Made in Albania’ do ta shpallim krenari kombëtare”, tha Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›