E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Brenda vitit tapitë, ja si do t'i zgjidhim problemet e ligjit 7 501

TIRANË-Në një bashkëbisedim me banorët e fshatit Ishëm, kryeministri Sali Berisha garantoi se brenda vitit do zgjidhë problemet që lindën nga ndarja e tokave sipas ligjit 7 501. 

Një banor iu shpreh kreut të qeverisë mbi problemin disa vjeçar të pronës së tij.
“Unë nuk dua ti hyj në hak askujt. Dua vetëm tokën time që e gëzoj prej strëgjyshërish, por nuk e gëzoj dot”.

Kryeministri theksoi se këto probleme lindën pasivisht pas ligjit 7 501. 

“Tokat e tapitë kur u ndanë me ligjin e 17501 për fatin më të keq, le ta quajmë procesin më gjeometrik të kësaj ka krijuar këto probleme që keni ju sot. Si do zgjidhet kjo? Ne do bëjmë hartën dixhitale të tokës dhe harta do të tregojë qartësisht pozicionin e çdo parcele. Ne ju kemi dhënë me dy vendime të rëndësishme, do bëjmë hipotekën në komunë në mënyrë që brenda vitit të verifikojmë dhe ndajmë tapitë”.

ISHËM, BERISHA: RRUGE, KANALE VADITESE DHE DO RRISIM POTENCIALIN TURISTIK 
Kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me banorët e Ishmit deklaroi se, këto vite qeveria është përpjekur të urbanizojë komunën e Ishmit.

“Kemi rindërtuar rrugët që ju lidhin me Tiranën, Durrësin, detin. Zotohem se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të çdo fshati kudo që të jenë. Garantoj se do të trefishojmë mbështetjen për projektet në fermat tuaja, në turizëm, blegtori, bletari, ullishte etj”, tha kryeministri Berisha.

“Do të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin e potencialit tuaj turistik të jashtëzakonshëm. Ishmi ka potencialet turistike më të mëdha të vendit”, u shpreh kryeministri Berisha, duke shtuar se, “qeveria do të bëjë gjithçka që 4 vitet që vijnë të garantojë vaditjen e tokave tuaja, nëpërmjet sistemeve ekzistuese, rindërtimit të tyre ose të reja”.

“Kemi marrë vendime t’u paguajmë me para në dorë akcizën e naftës që ta përdorni për punimin e tokës. T’iu pagujmë me para në dorë tvsh-në 20% të çdo gjëje që bleni për të rritur prodhimin e fermave tuaja. Besojmë se kjo ndihmë është më e plota që mund t‘u jepet fermerëve”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë, theksoi se, “Përpjekja jonë është të krijojmë sa më shumë vende pune kudo. Të kemi rroga dhe pensione më të larta. Këto janë projekte, por ju keni provuar se ne kemi qëndruar në premtimet tona. Kemi ndërtuar rrugë më shumë se kurrë. Kemi dyfishuar pensionet në fshat. Filluam projektin e subvencioneve. Ka funksionuar. Është një nga sukseset e mëdha të kësaj qeverie”.

“Gjithçka për të rritur prodhimin më të madh në fermat tona, për suksesin më të madh në bizneset tona. Do të përgjysmojmë taksat për të gjithë industrinë turistike. Hoqëm tatimin për çdo punonjës që merr rrogë nën 30 mijë lekë. Për çdo të ri që do të mësojë një punë, tre vite s’do ketë asnjë detyrim fiskal”, u shpreh Berisha. 

GJITHÇKA PËR KONSOLIDIMIN E RENDIT PUBLIK
"Do të bëjmë gjithçka të nevojshme për të konsoliduar rendin publik, ashtu siç e meritojnë shqiptarët", premtoi sot kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me banorët në Ishëm, të Durrësit.
Duke pranuar një rritje të numrit të veprave kriminale gjatë viteve të fundit, kreu i ekzekutivit vlerësoi se në të njëjtën kohë ka dhe një rritje të ndjeshme të zbulueshmërisë së këtyre veprave, duke nënvizuar se “niveli i zbulueshmërisë në vendin tonë është nga më të lartat në rajon.”
Po ashtu, Berisha tha se duhet një reformë e re për policinë. “Ne kemi rritur nivelin e dënimit duke ngritur tavanin nga 25 vjet në 35 vjet për vepra të ndryshme prenale. Jam dakort që duhen shqyrtuar dhe rritur sanksionet edhe për veprat e tjera penale, ashtu siç koha kërkon dhe një reformë të re të policisë, për të cilën i'u garantoj se do të bëhet. Nëse duhet shtimi i numrit të efektivëve, edhe këtë do e shqyrtojmë dhe do ta bëjmë”, tha kryeministri, ndërsa premtoi se qeveria e drejtuar prej tij në mandatin e ri “do të bëjë gjithçka për të konsoliduar rendin publik, ashtu siç e meritojnë qyetarët shqiptarë”, theksoi Berisha. 

LUMI ISHEM
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në Durrës se, "Ishmi do të bëhet një nga lumenjtë më të pastër të Shqipërisë".
Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Ishmit në Durrës, kryeministri Berisha theksoi se "lumi i Ishmit në mbledhjen e ujërave përbën numrin një, pasi aty shkarkohen ujërat e zeza të Tiranës".
"Tirana fillon shumë shpejt ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza. Ky projekt do të bëjë të mundur që ujërat e Tiranës të derdhen të pastra si kristal për ta mbrojtur Ishmin. Përveç Tiranës ne kemi një objektiv që në detra të mos derdhet asnjë pikë uji i ndotur", theksoi kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh se "ne jemi shumë të vendosur në pastrimin e ujërave dhe kemi investuar shumë, 60 impiante përpunimesh të ujërave të zeza janë përuruar e do të përurohen shumë shpejt".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›