Berisha: Buxheti i 2009-ës, garanci e zgjedhjeve të lira

Duke anashkaluar çdo deklaratë që lidhej me Kodin Elektoral, shefi i shumicës e ka përqendruar vëmendjen te buxheti i vitit 2009, i cili sipas tij do të rrisë portofolin e buxhetorëve dhe do të shtrojë një pjesë të rrugëve të Shqipërisë.
Duke e konsideruar këtë si javën e vendimeve të mëdha të Parlamentit shqiptar, Kryeministri Berisha u shpreh se “ky është buxheti i vitit të fundit të mandatit të parë të kësaj qeverie dhe shpresoj, në rast se shqiptarët do të na votojnë, edhe buxheti i vitit të parë i mandatit të saj të dytë”.
Kreu i qeverisë theksoi se “buxheti 2009 është buxheti i rritjes së shpejtë ekonomike”, ndërkohë që shprehu bindjen se “Shqipëria nuk do të shkëputet nga orbita e rritjes së shpejtë ekonomike edhe gjatë vitit në vijim”.
Sipas tij, “ky buxhet i jep mundësi kësaj mazhorance të përmbushë plotësisht premtimet e saj për rritjen e rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike të qytetarëve shqiptarë”.
Kreu i qeverisë pohoi se me këtë buxhet, paga minimale e punonjësve në Shqipëri shkon drejt dyfishimit. “Politika jonë është politika e rritjes së rrogave, pensioneve të ulëta dhe atyre mesatare.
Gjithashtu, ky buxhet përmirëson në mënyrë thelbësore treguesin e diferencës mes pagës mesatare dhe pagës minimale”, u shpreh ai.
Për sa i përket inflacionit, Kryeministri informoi se mesatarja e inflacionit në rajonin e Ballkanit është 8.4 për qind, ndërsa inflacioni i Shqipërisë është 2.8 për qind.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se “ky është buxheti i infrastrukturës evropiane të Shqipërisë, pasi është parashikuar përfundimi i një serie projektesh madhore në infrastrukturën rrugore të vendit”.
Gjithashtu, sipas tij, “buxheti realizon investimin për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe qëndron në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë”.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “buxheti 2009 garanton një mbështetje të fuqishme për reformën në arsim dhe në shëndetësi, por nga ana tjetër është edhe buxheti i integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit”.
“Ky është buxheti i zgjedhjeve të lira, pasi ai parashikon të gjitha ato fonde që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë si qytetarë evropianë”, tha në përfundim Kryeministri Berisha.