E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët: Protesta paqësore, jo mjet presioni

Deputetët grevistë, me anë të një deklarate për mediat kanë bërë të ditur se protesta e tyre nuk është mjet presioni, por vetëm një protestë paqësore.

Në deklaratën e firmosur nga 10 parlamentarët që hyjnë sot në ditën e tetë të grevës së urisë, thuhet se “kodi i ri zgjedhor duhet të sigurojë një administrim më pluralist dhe gjithëpërfshirës në administrimin e zgjedhjeve, një administrim që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë kryesore politike”.

Duke mos i kursyer kritikat dhe akuzat ndaj dy partive të mëdha, por sidomos ndaj PS-së, në deklaratë thuhet se “PS-ja ka kërkuar komisione të depolitizuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pavarësisht se më vonë ndryshoi qëndrim”.

 “Ne, thuhet në deklaratë, kemi propozuar dhe deklaruar publikisht vullnetin tonë për këtë depolitizim të administrimit të zgjedhjeve”. Sipas deputetëve, në këtë mënyrë realizohet konsensusi opozitar dhe zgjidhet kriza parlamentare.

“Nëse PS-PD reflektojnë dhe gjejnë konsensus për këtë variant, ne mirëpresim zgjidhjen, e cila është standard në gjithë Evropën dhe botën moderne”, thuhet në deklaratë.

Ne, theksojnë deputetët më tej, kërkojmë minimumin e kohës që lejon rregullorja e Kuvendit prej 2 javësh. “Greva e urisë në sallën e Kuvendit është mjeti i fundit sensibilizues për nevojën për dialog, të konsensusit të gjerë dhe bashkëpunimit mes forcave politike në vend, dhe sidomos me PS-PD”, thuhet në deklaratë.

Për deputetët, greva e urisë nuk është dhe nuk duhet kuptuar në asnjë rrethanë si mjet presioni. Ajo është paqësore, nuk synon realizim të qëllimeve të ngushta partiake, por vetëm realizimin e standardeve evropiane për të garantuar zgjedhje të lira.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›