Suedia refuzon ekstradimin e Zylfije dhe Hamdi Haklajt

Gjykata e Goteborgut ka refuzuar kërkesën e drejtësisë shqiptare që të ekstradojë dy të akuzuarit për disa vrasje, me arsyetimin se “nuk mund t’u garantohet siguria”.
Por për mbrojtjen e familjes Haklaj në Tiranë, vendimi nuk është surprizë, pasi Zylfie Haklaj është dorëzuar vetëm atëherë kur ka marrë garancinë për pranimin e kërkesës së saj për azil politik në Suedi.
Të njëjtin status kishte fituar më parë Hamdi Haklaj, megjithëse drejtësia shqiptare insistonte që dy të kërkuarit të silleshin në Shqipëri, ku do u nënshtroheshin edhe seancave gjyqësore, pasi akuzohen për vrasje.
Madje prokuroria shqiptare ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Goteborg, duke e çuar në Gjykatën e Lartë. Me qëllim marrjen e provave dhe garantimin e një procesi me të gjitha faktet, dy hetues të prokurorisë suedeze mbërritën para disa javësh në Shqipëri për të marrë të gjitha provat, madje kanë pyetur edhe pjesëtarë të familjes Haklaj.
Në organin e akuzës, sipas burimeve nga akuza qendrore, thanë se Aishe Haklaj është thirrur nga hetuesit suedezë që kishin mbërritur posaçërisht për verifikimin e të dhënave të familjes Haklaj në dosjet hetimore të policisë dhe prokurorisë.
Prokuroria shqiptare tha se nga kontaktet me përfaqësuesit e prokurorisë suedeze, mësuan se pas informacioneve për ekzekutimet e shumë pjesëtarëve të familjes Haklaj, si dhe akuzat e shumta në drejtim të tyre nga policia shqiptare, drejtësia suedeze ka konsideruar arsye madhore që pjesëtarëve të mbetur gjallë të kësaj familjeje t‘u sigurohej jeta. Por nuk kanë mbetur me kaq kërkesat e tyre, duke aplikuar edhe për azil politik.
Dosja e disa vrasjeve të pjesëtarëve të familjes Haklaj ka detyruar gjykatën suedeze të hapë një proces penal, i cili është mbyllur përfundimisht dje, duke vendosur që asnjë pjesëtar i familjes nuk do të ekstradohet në Shqipëri.
Mësohet se dy hetuesit suedezë kanë marrë të gjitha dosjet hetimore, përfshirë edhe dosjen e tërhequr të prokurorisë për Hamdi Haklajn, i cili akuzohej për një vrasje në Tropojë.
Mësohet se edhe avokati mbrojtës i Hamdiut, Asaf Hadëri, u ka paraqitur disa deklarata publike të politikanëve për pjesëtarët e familjes Haklaj.
Drejtësia suedeze ka pranuar disa muaj më parë azilin politik për Hamdi Haklajn, ndërsa ka marrë në shqyrtim edhe kërkesën e familjarëve tjerë të tij.
Prindërit, fëmijët, nipër e mbesa, gjithsej 13 vetë, janë pjesëtarët e familjes Haklaj që mund të fitojnë të drejtën e qëndrimit në Suedi. Përveç Muharrem Haklajt, statusin e azilantit e ka fituar gruaja e tij, Fatimja, e cila ka rritur jetimët, fëmijët e vegjël të djemve të vrarë.
Statusin mund ta fitojë dhe bashkëshortja e Ylli Haklajt, djalit të vogël të Muharrem Haklajt, i vrarë më 3 dhjetor 2000, brenda rrethimit të fortifikuar të kullës së Haklajve në Kërnajë të Tropojës, si dhe tre fëmijët e saj të vegjël. s.çobo