E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Çlirimi i Kosovës, moment historik

“Kremtimi i “Ditë së Paqes,” që përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, me jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju përcjell dhe, të gjithë popullit të Kosovës urimet më të ngrohta vëllazërore për progresin e pandalshëm që ka arritur Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane”, shkruan Berisha.

Sipas tij, 12 Qershori, do të mbetet në memorien historike të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si datë historike që mbylli kapitullin e sundimit barbar serb  dhe kurorëzoi me sukses sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre legjendare për liri dinjitet dhe pavarësi. “Në këto 13 vjet Kosova ka ndërtuar jetën e saj në paqe dhe harmoni me fqinjët, duke u shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan dhe, njëlloj si të gjitha vendet fqinje, po punon intensivisht për t’u integruar në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Falë këtyre përpjekjeve titanike, Kosova po merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj, si gjithë të tjerët, do të lëvizin të lirë në Evropë. Së shpejti Kosova do të nënshkruajë edhe marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE, që do t’i japë një momentum të ri proceseve të saj integruese”, vijon mesazhi.

Kryeministri i Shqipërisë kujton se së shpejti pritej t’i jepet fund pavarësisë së mbikëqyrur. “Në këtë ditë feste më lejoni zoti Kryeministër, t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi plotësisht të vendosur e të angazhuar që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, të njohin zhvillime pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej në të gjitha fushat”, përfundoi telegrami. /Start/

                                                                                             2012-06-13 15:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›