E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Censusi faktoi suksesin e modelit ekonomik

“Censusi i fundit fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark kohor 4 vjeçar, morën jetë biznese sa në 15 vjet të marra së bashku. Kemi të bëjmë me një lëvizje kuantike ose kërcim kuantik në katër vite dhe këto të dhëna i referohen viteve 2005-2009, se po të shtojmë vitet e këtij mandati, natyrisht janë edhe më të rëndësishme të dhënat”, tha Berisha.

 Kjo tregon-vijoi kryeministri-se "modeli ynë ekonomik, i bazuar në taksat e ulëta, në qeverinë e vogël, në klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset të gjejnë një mjedis më të favorshëm se më parë”. “Nuk ekziston as edhe një vend i vetëm që në një hark kohor 4 vjeçar të ketë themeluar biznese të suksesshme, është fjala për bizneset aktive më shumë se 15 vite të marra së bashku”, shtoi Berisha.

Pra, theksoi Berisha, "kjo ka vetëm një shpjegim, vetëm një arsye. Reformat e kësaj qeverie lejuan iniciativën krijuese, të lirë, të qytetarëve shqiptarë, që e kishin dhe para 2005, por u ndrydhej, u shuhej , në kalendar e korrupsionit dhe galeritë e tij".

Kryeministri vuri në dukje se modeli ekonomik ka bërë që Shqipëria në 4 vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. “Është ky model, i cili ka bërë që Shqipëria në 4 vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. Është ky model dhe ky zhvillim që shpjegon sesi ka mundësi që në këtë qeverisje nga viti 2006 në vitin 2011 janë mbledhur në arkën e publikut 7.2 miliardë dollarë më shumë taksa dhe tatime se në vitin kulmor të socializmit shqiptar. Pra janë mbledhur faktikisht mbi 3 buxhete më shumë të vitit 2004”, theksoi Berisha.  Sipas Kryeministrit, "ky model i transparencës, i klimës miqësore të biznesit, bëri të mundur që Shqipëria nga 2006-ta deri sot të 3-fishojë eksportet”.

“Shqipëria eksporton prodhimin. Statistikat tregojnë se vetëm 60 % e bizneseve në Shqipëri janë të vogla. Kjo shifër është 70%-80% në vendet në zhvillim. Pra një vend, që nuk ka shpallur si orientim themelor të ekonomisë së tij eksportin, megjithatë ekonomia shqiptare ka 3-fishuar eksportet nga viti 2006 dhe i ka dyfishuar nga viti 2009. Ka dyfishuar prodhimin nga viti 2009 dhe ka trefishuar prodhimin nga viti 2006”, tha Berisha.

Ai shtoi se “një nga kërkesat kryesore ndaj vendeve që përpëliten në krizë është privatizmi. Kjo kërkohet për të rritur kompetivitetin, prandaj edhe Shqipëria do të vijojë edhe këtë vit këtë proces". “Këtë vit do të privatizohen “Albpetriol”-i, 4 hidrocentrale të vogla dhe do të ecet gjithnjë e  më tej duke e thelluar këtë proces. Gjendja ekonomike, situata, funksionimi i ekonomisë është një premisë që këto procese të jenë të suksesshme”, përfundoi Kryeministri Berisha./Start/

                                                                                             2012-01-30 15:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›