E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli ekonomik gjalleroi biznesin

Modeli ekonomik i bazuar në taksa të ulëta, qeveria e vogël, klima miqësore ndaj biznesit dhe lufta pa kompromuis kundër korupsionit ishin disa nga çështje kryesore në të cilat u ndal sot kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së. Kështu, duke vlerësuar këtë model ekonomik dhe të mirat që kanë buruar prej tij, kreu i mazhorancës vlerësoi se “në një hark kohor katër vjeçar gjalluan biznese sa në 15 vite të marra së bashku, kemi të bëjmë realisht me një lëvizje kuantike”.
Sipas tij, është pikërisht ky model, i cili ka bërë që Shqipëria në katër vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit.
“Në gjithë këtë realitet si klithma të së shkuarës, të një të shkuare të largët vjen dhe propaganda vulgare e drejtuesve të PS-së. Pasi u thanë shqiptarëve dy vjet rrjesht se në Shqipëri ka një million të papunë dhe nuk u thanë shqiptarëve pse mashtruan një million herë në një kohë kur krahët e punës në vend nuk janë as një million, propaganda sipas të cilës Banka e Shtetit po pret para për qeverinë, injoranca finaciare në piedestal nuk mund të vendosej ndryshe. Në një kohë kur Shqipëria mbylli vitin me inflacion ndër më të ultit në Europë, 1.7%, dhe e nxorën këtë dogmë për të justifikuar mashtrimin që u bëri qytetarëve se qeveria nuk do të ketë para për të paguar”, u shpreh kryeministri Berisha.
Njëkohësisht, kreu i ekzekutivit u ndal dhe në një moment tjetër të zhvillimeve ekonomike, e konkretisht në atë të privatizimeve.
“Kërkova që të ndërmarrim privatizimin më të thellë të pyjeve që t’i bëjm pyjet me zot, për të vendosur regjim të ri në rritjen e mbarështrimin e tyre. Grupet e punës do shkojnë të studiojnë vendet me eksperiencën më të mirë në privatizimin e pyjeve. Do të vendosim atë model që të rikthejmë fuqishëm zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri”, vuri në dukje Berisha.
Por duke sqaruar më tej këtë çështje, kreu i mazhorancës nënvizoi se “pyjet do rikthehen në aktivitetin e tyre, ky është vendi i biodiversitetit, i drurëve më të shumëllojtë, ndaj do ecim drejt këtij procesi”.
Gjithashtu, kryeministri Berisha bëri me dije se “do të privatizohen, Albetroli, si dhe 5 hidrocentrale të vogla”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›