Berisha: Chris LaCivita bashkarkitekt i fushatës së PD për zgjedhjet e 11 majit

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi sot në një konferencë për mediet, se Chris LaCivita, kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan dhe bashkarkitekti i fushatës së rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë një nga dy kryearkitektët e fushatës së PD të datës 11 maj.
Chris LaCivita ishte i pranishëm në konferencë së bashku me drejtuesit e partive të tjera opozitare si Partia e Lirisë, ajo Republikane, Agrare dhe e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.
Berisha tha se LaCivita mes kërkesave të panumërta, pranoi me përparësi kërkesën e PD dhe aleatëve të saj.
Kjo, sipas Berishës, ndodhi pasi “PD dhe opozita shqiptare, si dhe Shqipëria, ishin vendi i dytë pas SHBA, në të cilën e majta radikale sorosiane, ideologu i saj, armiku i demokracisë, Xhorxh Soros dhe kukulla e tij, Antoni Blinken, gënjeshtar në letrën puçiste të laptopit të famshëm, duke mashtruar kombin e tij dhe botën për interesa politike, këta bënë në Shqipëri eksperimente tragjike”.
“Bënë gjithçka për zhdukjen e opozitës konservatore, de facto pluralizmit politik dhe instalimin e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe korrupsionin”, vijoi Berisha.
Në përzgjedhjen e zotit Chris LaCivita për të drejtuar fushatën e fitores së PD, vuri në dukje ai, ka ndikuar fakti se PD dhe opozita shqiptare, përballë këtyre shantazheve dhe presioneve të jashtëzakonshme për zhdukjen e tyre, qëndruan të pamposhtura në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve që konservatorët ndajnë në të gjithë botën.
“Dhe mbi të gjitha, programi aktual i PD dhe opozitës është një program i shkëlqyer për të shpëtuar Shqipërinë”, theksoi Berisha.
Chris LaCivita: Populli shqiptar ka nevojë për më shumë nga qeveria
Chris LaCivita në fjalën e tij gjatë konferencës për mediet ku u paraqit si bashkarkitekt i fushatës së PD në 11 maj, u shpreh se “jemi sot këtu sepse dëshirojmë të zgjedhim një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA, i cili do të punojë në mënyrë të suksesshme me presidentin Trump dhe me SHBA”.
“Shumë në Amerikë, në media dhe partitë e të majtës, kanë thënë se Donald Trump nuk mund të fitonte, por ai fitoi. Pavarësisht sulmeve nga administrata Biden, populli amerikan donte më shumë nga qeveria e vet. Njësoj si populli amerikan edhe ai shqiptar, kërkon dhe ka nevojë për më shumë nga qeveria e vet. Këto rrethana të ngjashme, janë ato që na bashkuan, na sollën sot ne këtu, se ne e dimë që Berisha mund të fitojë”, tha ai.
“Çështjet për të cilat shqetësohen shqiptarët, po ato çështje që shqetësohen amerikanët, sikurse është siguria personale, puna, ekonomia, dhe duan që fëmijët e tyre, të kenë mundësi të rriten dhe të zhvillojnë familjet e tyre, brenda vendit dhe jo jashtë”, u shpreh ai.
“ǒështë më e rëndësishme ne kemi nevojë për zgjedhje të lira dhe të drejta, të mos ketë ndikime të qeverisë e të krimit të organizuar, zgjedhje transparente – që janë thelbësore në një demokraci. Dhe në një demokraci që lulëzon dhe në një miqësi të vërtetë me Amerikën, ne mund t’i kthejmë Shqipërisë madhështinë”, përfundoi Chris LaCivita.
/r.e/