Berisha: Daul, fushatë për mua dhe për vizat
Berisha-Thaçi: Modifikimi i kufijve të Ballkanit, do të hapte një cikël të ri konfliktesh. Të njihet statusi i Kosovës"
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje ndaj qëndrimit të kryesocialistit Rama se vizita e kreut të grupit politik të Partive Popullore Evropiane, Zhozef Daul ishte një fushatë për qeverinë. Sipas Berishës, vizita e Daul ishte në kuadrin e marrjes së vendimit nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
Në këtë mënyrë, sipas tij, vizita ishte një fushatë sa për heqjen e regjimit të vizave aq edhe në aspektin personal të tij.
Berisha theksoi dje se çfarëdo lloj interpretimi i kësaj vizite është jo realiste, pasi sipas Berishës mesazhi që dha kreu i grupit politik të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, ishte më se i qartë për qytetarët shqiptarë. Deklaratat u bënë pas një takimi që kryeministri kishte në qytetin e homologun kosovar, Hashim Thaçi.
"Ai bëri fushatë për mua, aq sa bëri edhe për çdo shqiptar, që mezi pret lëvizjen e lirë të tij dhe heqjen e vizave për shqiptarët në hapësirën europiane. Nga ana tjetër, mendoj se në dallim nga ç'ndodhi disa javë më parë, Joseph Daul mori takime me të gjithë spektrin politik parlamentar shqiptar dhe dha mesazhet më të shkëlqyera të bashkëpunimit.
Çdo interpretim tjetër i kësaj vizite është jo realiste dhe shqiptarët e kanë shumë të qartë se cili ishte lajmi që u solli miku i tyre i shquar, Joseph Daul, vetëm një ditë pasi ai ishte edhe arkitekti i tij në Parlamentin Europian",- tha dje Berisha gjatë konferencës për shtyp.
Në takimin e tyre në qytetin e Durrësit, të dy kryeministrat kanë diskutuar mbi proceset integruese të dy vendeve dhe perspektivën e shtetit më të ri të Kosovës, i cili pret edhe opinionin mbi statusin e pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, u shpreh se ky takim kishte në themelin e tij, trajtimin e çështjeve për zbatimin e të gjitha kritereve demokratike, si parakusht i domosdoshëm për t'u integruar, qoftë ato kritere politike, ekonomike, apo të legjislacionit, ndërkohë që Shqipëria nuk ka zgjidhur krizën politike duke mos arritur deri më tani të përmbushë kriterin politik si kusht kryesor për integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova është në pritje të opinionit të GJND-së mbi statusin e saj.
Lidhur me këtë çështje kreu i qeverisë së Kosovës evidentoi se kjo opinioni i kësaj gjykate do të jetë në përpjesëtim të drejtë me vendimet e institucioneve të shtetit të Kosovës dhe sipas tij, asgjë nuk mund kthejë mbrapsht pavarësinë e saj dhe se për të do të ketë njohje të reja.
"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare do të jetë një opinion në përputhshmëri me vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran dhe në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu, statusi politik është një çështje e përfunduar një herë e përgjithmonë dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet i pranueshëm, i njohur ndërkombëtarisht dhe natyrisht, i paprekshëm",- nënvizoi Thaçi.
Në të njëjtin linjë është shprehur edhe kreu i ekzekutivit shqiptar, ndërsa ka specifikuar se çdokush që kërkon lëvizjen apo modifikimin e kufijve të Ballkanit do të hapte një cikël të ri konfliktesh.