Rama të kandidojë për Bashkinë e Tiranës

Ekonomia është si në vitet '80 që edhe kur Shqipëria lëngonte në kufijtë e mbijetesës për sa i përket ekonomisë, politika buçiste nota optimiste se gjithçka po shkonte në rregull dhe ne ishim duke shkuar në drejtimin që duhej.
Nuk mendoj se kompromiset me Sali Berishën janë afatgjata. Gjithmonë kompromiset me këtë individ kanë qenë të vështira.
Asnjëherë ai nuk është ulur në tavolinën e bisedimeve për të humbur dhe gjithmonë ka prishur kompromiset kur ka menduar se ajo shkon në kundërshtim me interesat e tij.
Majko: E pamundur të negociohet me Berishën
Majko: S'ka kompromis me Berishën
Një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste, njëkohësisht disa herë ish kryeministër i vendit, Pandeli Majko në një intervistë për Gazetën " Shekulli" tregon mundësitë e zgjidhjes së krizës politike.
Për deputetin Majko, ndonëse kompromiset me kryeministrin Berisha janë afatshkurtra dhe të vështira për t'u arritur, përfaqësuesi kryesor i së djathtës me të cilën e majta duhet të negociojë është kryeministri Berisha, pasi sipas tij në PD nuk ka asnjëlloj forumi vendimmarrës.
Lidhur me procesin e riorganizimit të së majtës për përballjet e reja që e presin, anëtari i kryesisë së PS shprehet se modeli i shkrirjes së forcës më të madhe opozitare me G99 duhet të ndiqet edhe me forcat e tjera të majta.
Zoti Majko, pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të shkuar, situata politike ka qenë tepër e tensionuar. Si e vlerësoni jetën politike në këtë muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare?
Mendoj se shpjegime të shumta janë dhënë për mënyrën se si është menaxhuar nga klasa politike shqiptare historia e pas zgjedhjeve. Është tanimë një sëmundje e re edhe e vjetër, çështja se si krijohen raportet me rezultatet zgjedhore në Shqipëri. Të gjithë e kuptojmë që është një histori e cila duhet përfundimisht të marrë fund.
Por, gjithsesi perceptimi që palët kanë për njëra-tjetrën, interesat e ditës, sidomos të palës që është në pushtet, janë një pengesë e cila në pamje të parë duket sipërfaqësore, por fshehin një thelb, i cili nuk mund të anashkalohet kurrsesi.
Ajo që dëshiroja të theksoja në këtë histori politike të zhvilluar pas zgjedhjeve të qershorit është fakti se klima e mosbesimit është kthyer në një pengesë reale për atë që po prodhohet nga politika shqiptare.
Aktualisht ajo që po prodhohet është shumë pak, po të heqim diskutimet e Kryeministrit në mbledhjen e Qeverisë dhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar, këto të paktën janë dy ngjarje politike të cilat mediat i pasqyrojnë si prodhime të ditës dhe vetëm kaq.
Gjithçka është kondensuar tek historia e negociatave politike për çështjen e transparencës së zgjedhjeve. Është një histori negociatash mjaft të vështira, e cila përbën thelbin e krizës politike sot në Shqipëri, e cila nuk mund të konsiderohet thjesht edhe vetëm si një krizë në kuptimin e parë të fjalës, në atë që ka të bëjë me marrëdhëniet midis dy palëve. Realisht është një krizë e cila në një mënyrë apo një tjetër ka prekur themelin e funksionimit të sistemit në Shqipëri.
Mospranimi i rezultatit që del nga sistemet zgjedhore po kthehet në një sëmundje, e cila rrezikon të jetë stigma më përfaqësuese e politikës shqiptare se sa evolucioni i reformave që ka kryer shteti shqiptar. Nuk mund të them se situata në këto vite ka qenë një situatë e cila është zhvilluar në boshllëk.
Janë kryer hapa të rëndësishëm të cilët kanë rezultuar edhe në marrëdhëniet e ngritura ndërkombëtare për statusin e Shqipërisë, qoftë në integrimin në NATO, qoftë edhe me ecurinë e integrimit në BE.
Por, ajo që po rikthehet në mënyrë periodike si kriza e rezultatit zgjedhor, realisht po e fokuson thuajse të gjithë energjinë e politikës shqiptare në një çështje, e cila me pak vullnet politik dhe njerëzor mund të kthehet në një drejtim tjetër, e cila mund të prodhojë më pas një energji të jashtëzakonshme për të nxitur reformat integruese të shtetit shqiptar.
Nuk dua të jem i përgjithshëm apo të flas me gjuhë leksionesh me atë që po ndodh realisht me politikën shqiptare, por mendoj se ngecja në këtë histori politike, më shumë se me aftësinë apo paaftësinë e klasës politike, mendoj se ka të bëjë me një histori mentale, e cila me pak fjalë dhe me shumë fjalë mund të titullohet postkomunizëm.
Postkomunizmi na ka mbërthyer shumë keq me mënyrën se si ai shikon problematikat dhe çështjet që ofrohen për t'u zgjidhur përballë politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Është ky postkomunizëm, i cili është kthyer në një moral demobilizues për politikën shqiptare dhe në fund të fundit e ka kapluar atë për momentin, duke krijuar pikërisht përbërësit kryesor të fenomenit krizë që ekziston aktualisht në Shqipëri. Është situatë e përkohshme...
PS ka kërkuar prej kohësh hetimin e zgjedhjeve parlamentare përmes hapjes së kutive të votimit. Ndërsa deri pak kohë më parë nuk përmendej hapja e kutive, tanimë po negociohet për mënyrën se si do të hapen kutitë.
E shikoni këtë gjë si një fitore të PS drejt transparencës së zgjedhjeve?
Nuk hyj tek njerëzit që përpiqen që në çdo rast të shikojë suksesin ose mossuksesin e një çështje të caktuar që ndjek politika, qoftë opozitare, qoftë e qeverisjes.
Ajo që shikoj me shqetësim është fakti se aktualisht më shumë se sa mund të flitet për sukses apo mossukses në drejtim të një çështje të caktuar, ne jemi më tepër të stakuar në një stacion, i cili pa diskutim që do të vinte edhe sfidues për politikën shqiptare dhe që ka të bëjë me faktin se ne vërtetë funksionojmë në një pluralizëm, në një shoqëri pluraliste, por jemi ende larg një përbërësi shumë të rëndësishëm të kësaj shoqërie për ta kthyer atë në demokraci funksionuese. Kjo ka të bëjë me marrëdhëniet e politikës me rezultatin zgjedhor.
Kemi që nga vitet '90, me ndonjë përjashtim të rrallë, palët nuk kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe kjo pastaj është kthyer në krizën, në intrigën, në problemin, në marrëdhënien më të komplikuar, e cila e ka kthyer politikën shqiptare shpesh në një kosto, e cila ka ngadalësuar tek e fundit një proces i cili është jetik për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj.
Në këtë kontekst dua të nënvizoj që për momentin jemi në një situatë të ndërmjetme, ku është ende herët për të folur për sukses dhe mossukses, pasi jemi në një situatë ku po kërkohet një negociatë, ku të dyja palët të ndihen pjesë e të njëjtit proces.
Ka pasur shumë qëndrime të ndryshme për sa i përket grevës së urisë dhe bilance të tëra. Sipas jush, cili është bilanci i kësaj greve?
Greva pa dyshim mbi të gjitha përfaqëson një fenomen njerëzor dhe më pas padyshim një fenomen politik. Ajo që doja të nënvizoja në këtë akt të jashtëzakonshëm të kolegëve të mi dhe militanteve të thjeshtë të Partisë Socialiste, është fakti se në një periudhë të shkurtër kohe arritën një nga qëllimet më kryesore, sipas mendimit tim, që kjo grevë i kishte vënë vetes detyrë, të sensibilizonte sidomos opinionin ndërkombëtar dhe të realizonte atë që nuk u realizua, apo ishte thuajse asfiksuar si iniciativë në terrenin shqiptar, uljen në tryezë të palëve për të negociuar lidhur me zgjidhjen e krizës, e kam fjalën për krizën politike të rezultatit zgjedhor të qershorit të vitit të kaluar.
Çështja me të cilën fenomeni politik që prodhoi më pas greva mendoj se duhet parë si e tillë, ajo sipas meje mbetet një vepër mbi të gjitha humane sa edhe politike. Me dimensionin e saj human.
Greva arriti ta bëjë thelbësore çështjen e asaj që nuk kemi arritur në këto vite, çështja e raportit të politikes me rezultatin e zgjedhjeve dhe përfundimisht e vuri në qendër të debatit publik dhe politik, problemin e funksionimit të sistemit politik në Shqipëri.
Krahas takimit të dy liderëve në Strasburg, ka pasur edhe dy seanca negociatash në Bruksel. Në të tria rastet nuk ka pasur një kompromis. A ka një plan PS për arritjen e objektivit të saj në situatën kur PD mohon kategorikisht hapjen e kutive të votimit?
Për fat të keq mendoj se tanimë marrëdhënia me krizën politike ka dalë deri diku nga duart e vetë klasës politike shqiptare, kjo për arsyen se ne humbëm shansin për të ndërtuar cilësinë e komunikimit, të domosdoshëm midis njeri-tjetrit.
E kam fjalën brenda radhëve të klasës politike dhe e "eksportuam" krizën në institucionet ndërkombëtare. Nuk besoj se mund të konsiderohet ndonjë arritje "eksportimi' i një krize në institucionet ndërkombëtare. Por, mendoj se ky mbeti mjeti i fundit për të realizuar një rezultat të mundshëm në negociata të cilat do të kryheshin edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Mendoj se aktualisht jemi në një histori nervash, në të cilat është ende herët për të folur me gjuhën e qartë të zgjidhjeve apo të modeleve të zgjidhjeve që do të ofrohen në tavolinë.
Gjithsesi mendoj se vera e nxehtë do të jetë një presing i madh për gjetjen e një modeli zgjidhje në vazhdim. Ajo që dëshiroj të theksoj është fakti se tanimë futja e krizës politike të Shqipërisë në një axhendë ndërkombëtare, në një mënyrë apo tjetër e ka vënë atë në një fokus të një natyre tjetër.
Ky do të krijojë në fund të fundit, një raport specifik midis Brukselit, institucioneve që në një farë mënyrë tanimë janë bërë ndërmjetëse të kësaj krize politike, në vazhdim për të pasur, shpresoj, sa më shpejt një konkluzion.
Nuk mendoj se do të kemi në fund të kësaj, një histori pa konkluzion. Pa diskutim do të ketë një konkluzion dhe ai në çdo rast do të jetë i një natyre, le ta quajmë bardhë e zi.
Do të thotë, do të ketë kompromis dhe gjetjen e një modeli zgjidhjeje që do të krijojë funksionalitet në marrëdhëniet politike midis palëve në terrenin shqiptar ose do të ketë një histori e cila ka për ta ngritur nivelin e krizës në një marrëdhënie aspak të dëshiruar, që do të ndërtohet midis palës që nuk do të pranojë kompromisin e ofruar nga ndërmjetësit dhe faktorit ndërkombëtar.
Të dyja palët do shijojnë atë që quajnë "të bardhë" dhe "të zezë" për këndvështrimin që kanë në raport me krizën. Është ende herët për të mallkuar, apo për të ngritur situata bllokimi. Mendoj se ai që e njeh sadopak doktor Berishën, e di që kompromisi tek ky individ vjen vetëm si mundësia e fundit për të prodhuar politikë.
Ju jeni një politikan me eksperiencë. Si e shikoni zgjidhjen e kësaj situate politike?
Tanimë çdo referencë për zgjidhjen e kësaj krize është në një lloj distance nga mënyra e të bërit politikë në Shqipëri. Për fat të keq, politika shqiptare është sfiduar dhe ka sfiduar vetveten me mënyrën se si nuk ka pranuar të ndërtojë një model funksionimi midis palëve.
Në këtë model funksionimi, që rezultatet zgjedhore kanë krijuar në Shqipëri, me një histori politike shumë të traumatizuar përpara viteve '90 dhe pa ndonjë trashëgimi, e cila të na ketë krijuar koordinata përcaktuese për mënyra të sjelluri, është pak e vështirë, por jo justifikuese, të mendosh se klima në Shqipëri do të vijë thjesht edhe vetëm si një kulturë e kopjuar nga fenomeni evropian. E kam fjalën tek mënyra se si politika shqiptare fillimisht e ndërtoi thelbin dhe domethënien e saj përballë shoqërisë shqiptare.
Përgjithësisht ky produkt ka qenë një kopjim i asaj që një pjesë e inteligjencës reformatore të kohës të viteve '90 shikonte perëndimin. Ne kopjuam programe të majta dhe u quajtëm parti të majta, parti të djathta kopjuan programe të djathta dhe u quajtën parti të djathta.
Por, shpesh kopja mbeti e tillë dhe thelbi që gjallonte në marrëdhëniet e klasave politike ishte një produkt, i cili vinte sa nga urrejtja e luftërave e klasave, aq edhe tek interesat vetjake, të cilat shpesh mbysnin vizionin e asaj që duhej bërë dhe që kërkohej të bëhej nga e gjithë shoqëria shqiptare. Kjo pastaj ka sjellë edhe histori të natyrave të cilat jo pa ironi vihen në dukje dhe nga njerëz të thjeshtë.
Fakti që shpesh niveli mesatar mental i politikës shqiptare është nën nivelin mental mesatar të asaj që shfaqet tek brezi i ri i rinisë, apo tek niveli normal i shoqërisë shqiptare.
Gjë që tregon se jemi në një terren rrëshqitës për politikën. Për njerëzit e thjeshtë kjo histori mërzie duket se më shumë se sa me prodhimin e një politike të vërtetë, ka të bëjë me një "psallme" të stërdëgjuar e cila reflekton interesa individësh të lodhur larg interesave të një shoqërie shqiptare kaq vitale dhe nën një ndryshim marramendës për atë që ka sy ta shohë.
Cili është vlerësimi juaj për sjelljen e kryeministrit Berisha në raport me opozitën?
Berisha duhet kuptuar si një fenomen, i cili nuk është i panjohur për publikun shqiptar. Ai tanimë është në stacionim e fundit të tij politik. Është jashtë çdo logjike që Sali Berisha mendon se do të vijë një moment kur ai do të dalë në opozitë dhe ai përsëri do të bëjë opozitarin. Nervozizmi i marrëdhënies së tij historike me kundërshtarin mbetet i pandryshuar.
Është simboli më i qartë i fenomenit të postkomunizmit për fat të keq në Shqipëri, duke mbajtur jo vetëm cilësi të cilat vlen t'i vlerësosh për ato që i ka, njëkohësisht edhe një gamë cilësish të cilat bëjnë pjesë tek historia gri e pas viteve '90 dhe që shpesh janë kthyer në problemin kryesor të krizave politike shqiptare. Nuk mendoj se kompromiset me Sali Berishën janë afatgjata. Gjithmonë kompromiset me këtë individ kanë qenë të vështira.
snjëherë ai nuk është ulur në tavolinën e bisedimeve për të humbur dhe gjithmonë ka prishur kompromiset kur ka menduar se ajo shkon në kundërshtim me interesat e tij.
Mendoj se në një mënyrë apo një tjetër është një fenomen politik, i cili sa më mirë të kuptohet, aq më qartë gjen sqarimin në këtë që po ndodh me krizën politike në Shqipëri. Megjithatë mendoj se në shumë rrafshe ai mbetet përfaqësuesi kryesor i së djathtës, me të cilët e majta duhet të negociojë.
Aktualisht kemi një PD që nuk ka asnjëlloj forumi vendimmarrës në sensin më të qartë të fjalës. Kemi vetëm një kryetar dhe një Këshill Kombëtar. Është një mënyrë shumë elokuente e asaj se si Berisha sot qeveris Shqipërinë.
Mendoj se në PD historia duhet parë siç ajo ekziston. Kemi një fenomen politik, i cili në mbyllje të historisë së tij politike është i rrethuar nga njerëzit që përfundimisht nuk e kundërshtojnë më që edhe për këtë arsye mendoj se negociata me Berishën mbetet thelbësore për opozitën.
Tanimë që kriza politike ka dalë nga axhenda e marrëdhënies së brendshme shqiptare, mendoj se përsëri Sali Berisha, për të dytën herë në pushtet, është për të dytën herë në një pozitë delikate me faktorin ndërkombëtar lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet një krizë nga më të rëndat politike për sa i përket funksionimit të demokracisë në vend.
Unë shpresoj që në vazhdim ai të mos bëjë atë që rëndom ka bërë pas vitit 2005, që do të thotë përsëritja e gabimeve të vjetra. Pranoj që fjala "shpresoj" për këtë njeri është demagogji, megjithatë...
Qëndrimi i mazhorancës ndaj opozitës duke tepër i ashpër, shpeshherë edhe me akuza drejt individëve të veçantë. Pse PS nuk ka preferuar të bëjë të njëjtën gjë, por gjithnjë si kundërpërgjigje ka apeluar për konsensus. Është kjo një strategji e opozitës?
Më tepër se sa një strategji, është një periudhë e ndërmjetme e cila ka brenda vetes negociatën që ka filluar brenda radhëve të politikës shqiptare, një negociatë e cila ka kërkuar një seriozitet maksimal dhe në një mënyrë apo në një tjetër kjo negociatë ka krijuar një marrëdhënie e cila kërkon në fund të fundit një seriozitet, një mënyrë të bërit politikë e cila ka një lloj shmangie nga mënyra normale e të bërit politikë.
Jam dakord me ju se deri diku ndihet njëlloj vakumi, le ta quajmë kështu, një lloj vakumi për një kundërpërgjigje e të njëjtit nivel nga ana e opozitës. Por, më tepër sesa shfaqje dobësie kjo mund të konsiderohet rezervim për t'i dhënë kohë kësaj periudhe të ndërmjetme për të pasur një rezultat në negociatat e filluara.
Është shumë e qartë që ka ngacmime pothuajse të përditshme, me qëllim që atmosfera politike në Shqipëri të polarizohet dhe kjo pastaj të bëhet si njëlloj prapashtese në vazhdim për mos gjetjen e zgjidhjes në tavolinën e filluar me ndërmjetësimin e Parlamentit Evropian.
Përveç krizës politike, socialistët kanë deklaruar se vendi ndodhet edhe në një krizë ekonomike. Mendoni se nëse nuk ndryshohet qëndrimi mbi përmirësimin e këtyre dy faktorëve mund të ketë pasoja fatale për shqiptarët?
Mendoj se nuk jemi duke thënë ndonjë sekret faktin që Shqipëria është duke hedhur hapa "optimist" në drejtim të krizës ekonomike.
Ajo që të bën të ndihesh keqardhje është fakti se e gjithë kjo krize ekonomike në vend nuk po ndërton një kulturë politike stabilizuese ashtu siç po ndodh rëndom në vende të tjera evropiane ku qeveritë i shpjegojnë publikut në mënyrë të qetë dhe domethënëse arsyet e një vargu hapash të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me çështjet e kursimit, apo të prerjes së fondeve në drejtime të ndryshme, apo të vendosjes së marrjes së masave me kosto sociale në disa raste, në funksion të gjetjes së një zgjidhje për krizën ekonomike në vendet përkatëse.
Ndërsa në Shqipëri ndodh një histori politike e cila kulturën e vet nuk e ka të lidhur me kulturën evropiane, por me vitet '80 në Shqipëri, e cila edhe kur lëngonte në kufijtë e mbijetesës për sa i përket ekonomisë, politika buçiste nota optimiste se gjithçka po shkonte në rregull dhe ne ishim duke shkuar në drejtimin që duhej.
Kjo histori për fat të keq vazhdon akoma në Shqipëri, a thua se nëse dikush do të dali e do të thotë që kemi krizë, a thua nëse një kryeministër apo ministër do të fillojë t'i shpjegojë publikut në terma konkret arsyet e krizës ekonomike që në disa raste nuk është krizë direkte, por indirekte që po prek ekonominë shqiptare, ky përbën një "mëkat" të madh.
Mendoj se jemi përballë të njëjtës kulturë politike, e cila në një anë nuk pranon kompromisin dhe pastaj bëhet refraktare qoftë edhe për të pranuar gabimet, të cilat në thelb nuk kanë të bëjnë thjesht edhe vetëm me atë që qeveris vendin, por kanë fatin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare si e tërë.
Kryetari i G99, Erion Veliaj, ka deklaruar vetëm pak ditë më parë se partia që ai drejton do të shkrihet me Partinë Socialiste. Si e shikoni ju këtë shkrirje dhe sa mund të ndikojë në elektorat?
Nuk besoj se lëvizja e Erionit dhe partisë së tij bëhet për të krijuar një histori elektorale. Unë e shikoj thjesht si një konkluzion politik, si një rrugëtim të natyrshëm të një grupi njerëzish të cilët realisht në zgjedhjet e fundit mbajtën një peshë të caktuar edhe në kurriz të identitetit politik të partisë së sapo krijuar, në luftën opozitare sidomos, në zgjedhjet e fundit të vitit 2009.
Në këtë kontekst, mendoj se ardhjen e Erion Veliajt dhe të G99-ës e konsideroj mëse të natyrshme, madje në opinionin tim edhe të vonuar. Besoj që jo vetëm për rastin e fenomenit politik të G99-ës, por tanimë në kontestin e zhvillimit më të gjerë politik brenda opozitës.
Aktualisht ajo, sipas opinionit tim, mund të përgatitet në një mënyrë apo tjetër, që këtë fenomen ngjizjesh të reja politike në opozicion ta strukturojë edhe më gjerë. E kam fjalën që në një mënyrë apo në një tjetër, një paralele e tillë, një ofertë e tillë politike mund t'i ofrohet edhe partive të tjera opozitare, e cila në parim mund të prodhojë në thelbin e saj një marrëveshje të re politike.
Jemi gati përballë një fakti të kryer që në një mënyrë formale, në luftën opozitare sidomos të pas zgjedhjeve të 2009 opozita shqiptare po e orienton alternativën e opozicionit në Shqipëri, sigurisht duke pasur koordinatë kryesore PS dhe për arsye të kuptueshme dhe rrethanash politike e ka vënë në presion, dhe e ka kthyer në formale marrëdhënien e kësaj partie me partitë e tjera opozitare.
Në këtë kuadër mendoj se ne mund ta prishim, mund ta thyejmë këtë kuadër formal, duke zgjeruar në thelb kufijtë jo të PS, por të konceptit të të bërit politikë të opozitës, e cila me këtë marrëdhënie të re politike, mund të ketë edhe më shumë oksigjen dhe forcë në sfidat që ka përpara.
Së shpejti po afrohen dhe zgjedhjet e ardhshme vendore. A është e gatshme opozita për një betejë kundër koalicionit LSI-PD?
Pa dyshim. Pse duhet të ndihemi të frikësuar!? Nuk besoj se në radhët e PS-së ka ndonjë intimidim. Ajo që mund të vlerësohet brenda radhëve të PS aktualisht është thjesht një moment padurimi i brendshëm i cili ka të bëjë me krizën e tejzgjatur politike dhe ekonomike që funksionon si pjesë e politikës që prodhon kjo qeverisje.
Nuk mendoj se historia 1-vjeçare e qeverisjes aktuale mund të mburret për arritje të natyrave të tilla që të diskutojë çështjen e frikës, apo të përballjes së "frikshme" me opozitën. Për arsye të natyrave të ndryshme mendoj se me pak punë, ajo që duhet të ndihet keq nuk është opozita, por qeverisja aktuale.
Beteja më e ashpër për këto zgjedhje pritet të jetë në kryeqytet. Nga ana e PD, ministri i Brendshëm Lulzim Basha është shprehur i gatshëm të kandidojë për kreun e Bashkisë së Tiranës nëse i kërkohet nga partia e tij. Cili është komenti juaj për këtë kandidaturë?
Është ende herët për të marrë seriozisht deklaratat e zotit Basha. Mendoj se PD duhet të mendohet mirë për Bashkinë e Tiranës, është jo thjesht Bashkia më e madhe e vendit, por është pjesë e atij komuniteti dhe mjedisi politik që e di shumë mirë se çfarë bëjnë, dhe si perceptohen si individ nga pamja njerëzore ata që zhvillojnë politikë sot për shoqërinë shqiptare.
Kështu që, është tepër delikate për mënyrën se si qeverisja aktuale ka prodhuar politikë për shoqërinë, që të mendojë për një përplasje të një niveli të tillë me figura të cilat sipas opinionit tim, gjithsesi qëndrojnë poshtë disa të tjerave, që funksionojnë brenda PD dhe prej shumë kohësh, qysh nga krijimi i saj. Megjithatë nuk më takon mua që të merrem me përzgjedhjen se kush do të kandidojë nga ana e PD.
A duhet të kandidojë sërish kryetari i PS, Edi Rama, në zgjedhjet e ardhshme vendore?
Sipas opinionit tim, PS nuk ka pse mendon ndryshimin e kryetarit aktual të Bashkisë. Bashkia e Tiranës mbetet fondamenti i një aksioni politik të PS dhe që lidhet në një mënyrë apo tjetër me emrin e Edi Ramës.
Kështu që, në këtë kontekst nuk mendoj se duhet vlerësuar çështja, apo diskutuar çështja, nëse duhet të kandidojë apo jo Edi Rama. Sipas opinionit tim, kjo është një çështje, për momentin, jashtë çdolloj diskutimi.
Zoti Majko, në mediat e shkruara, ndërsa janë aluduar për figura që mund të përballen me PD, ju jeni një nga individët më të përfolur nga ana e PS. Do të ishit ju dakord të kandidonit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës në emër të opozitës nëse PS e kërkon një gjë të tillë?
E përsëris është një histori e cila gjithsesi ka kohën e vet për t'u diskutuar, për një arsye shumë të thjeshtë, aktualisht jemi një vit larg nga kjo histori zgjedhore.
Së dyti, ajo që për momentin përbën axhendën kryesore politike të opozitës nuk janë përzgjedhjet e individëve për zgjedhjet lokale, por ka të bëjë me ndërtimin e një historie politike, e cila ka të bëjë me votën e lirë në Shqipëri.
Mendoj se nëse ne do të shmangeshim nga ky fokus, atëherë do të binim përsëri e asaj që ka ndodhur dhe mund të ndodhë rëndom në Shqipëri, që pavarësisht kush voton, ata që numërojnë do të bëjnë atë që kanë bërë edhe herë të tjera në këto 20 vite. Nuk e them këtë në sensin e pasjes frikë të asaj se si i mendoj unë zgjedhjet lokale për PS për qytetin e Tiranës.
Tirana dhe Bashkia e Tiranës mbeten kështjella dhe do të vazhdojnë të mbeten kështjella politike e PS. Mendoj që në këto momente që po flasim, edhe për arsye të kësaj krize politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi, në vakumin e krijuar nga kjo qeverisje, e cila përveç fjalëve është ende herët për të dhënë prova të asaj që ka premtuar qysh një vit më parë, në 2009, nuk shoh probleme të natyrave thelbësore, për mënyrën se si PS do të ballafaqohet për Bashkinë e Tiranës.
E theksoj, këtë të fundit jo thjesht për të bërë optimistin, por mendoj se shpesh për arsye të qarta dhe të paqarta zgjedhjet në Shqipëri, në thelb ka qenë një epruvetë e cila pavarësisht manipulimeve të dyanshme ka reaguar në një mënyrë shumë psikike lidhur me atë çfarë ka ndodhur dhe ndodh me të gjithë shoqërinë tonë.
Nëse ka një epruvetë e cila historikisht ka qenë e saktë për balancën psikologjike të shoqërisë shqiptare, padyshim është Tirana. Bashkia e Tiranës ka mbetur fenomeni më i qartë i asaj se si e vlerëson shoqëria shqiptare marrëdhënien politike me të ardhmen.