Finalistët në Ardhje
Në finalen e Çmimit për Artin Bashkëkohor, shtatë artistë të rinj. Fituesi në Nju Jork
Çmimi vjetor për artin bashkëkohor "Ardhje" ka nesër finalen. Dihet që çmimi, përtej varësisë dhe lakut të institucioneve shtetërore i jep mundësinë një artisti të ri pamor të vlerësohet ndër të tjerë, të mbështet realizimi i projektit dhe ideve të artistit pjesëmarrës, të ofrojë mundësi ekspozimi profesionale, dhe të marrë një rezidencë 6 javore në Nju Jork.
Titulli simbolik "Ardhje" në katër vite ka krijuar një arenë të qëndrueshme, të rinjtë e dinë që ky çmim ekziston, që paraardhës të tyre janë futur nëpërmjet tij dhe kanë janë bërë pjesë e skenën aktuale të arteve pamore. Kjo ndodh sepse kriteret e vlerësimit kanë për qëllim nivelin dhe vokacionin bashkëkohës të pjesëmarrësve. Për këtë thirret një juri ndërkombëtare.
Edicioni "Ardhje 2010" i hapur prej muajit prill, është përgatitur nga një grup pune i drejtuar nga Zef Paci, profesor i Historisë së Artit në Akademinë e Arteve, i ndihmuar nga Tina Finnas dhe Valentina Koçi. Finalja prezantohet nesër në dy hapësira ekspozuese, në Galerinë Zeta ora 19.00, dhe te Hekla Center ora 19.30.
Grupi i punës bëritë ditur dje finalistët: Ledia Kostandini, Theodoraq Napoloni, Dritan Hyska, Fani Zguro, Alketa Ramaj, Enkelejd Zonja dhe Albert Brahaj.
Siç shihet, pjesëmarrësit janë emra që kanë tentuar të prezantohen në nivele profesionistësh në aktivitete të tjera, ka të tjerë të panjohur të sapodiplomuar brenda apo përtej Shqipërisë. Ka edhe nga ata që kthehen nga jashtë për të shfrytëzuar mundësinë e "Ardhjes", edhe sikur të kenë provuar disa herë në këtë drejtim.
Ledia Kostandini e diplomuar për dizajn në Akademinë e Tiranës, prezantohet me fotografi. Ajo ndalet në "vepra-metafora të fuqishme të një aktualiteti".
Theodoraq Napoloni nuk është hera e parë që konkurron në "Ardhje". Ka përfunduar tashmë studimet në AA. Prezantohet në gjininë e pikturës. Ka ardhur në finale sepse piktura e tij "duke u nisur nga një përzgjedhje së pari intuitive, zbulon një realitet të padukshëm që lë gjurmë thellë në momentet e fragmentizuara të historisë sonë. Natyra e objekteve të pikturuara lidhet me përvojat vetjake të frikës, magjepsjes, surprizës, habisë".
Dritan Hyska i diplomuar më 2005 në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia sjell nëpërmjet fotografisë "produktin e kulturës, përllogaritjeve dhe teknikës së njeriut".
Edhe Fani Zguro që rikthehet në "Ardhje", i ka përfunduar studimet në AAB të Brerës në Milano dhe viziton herë pas here aktivitetet e artit pamor në Tiranë. Konkurron sërish me video ("Broken Threads").
Zguro sjell "problematika të trashëguara prej sistemit të mëparshëm nëpërmjet dëshmive që vijnë prej filmave e librave në përballje me prurjet e një sistemi tjetër si muzika".
Alketa Ramaj ka ardhur deri në finale sepse fotografitë e saj "janë një vështrim i mprehtë i ndryshimeve të situatave urbane përgjatë një tranzicioni të gjatë".
Enkelejd Zonja është diplomuar vitin e kaluar dhe është shfaqur tanimë në edicionet paraardhëse të këtij çmimi, po edhe si fitues i "Onufri 2009" si një artist premtues. Piktura e Zonjës prezanton "një situatë njëherësh të rëndomtë dhe dramatike, në pritje të ndodhë diçka".
Me videon "Veterani" Albert Brahaj i formuar në Akademinë e Tiranës, nxjerr në pah "një realitet të banuar me personazhe që jetojnë në mënyrë paralele, shpirtërisht me stimujt moralë të sistemit të mëparshëm e materialisht me ato që i ofron e tashmja".
Fituesi shpallet në përurimin e edicionit të katërt. Organizatorët bëjnë të ditur se juria përbëhet nga Cecilia Canziani (kuratore, shkrimtare, bashkëdrejtore e Fondacionit Noma, Romë), Erzen Shkololli (artist, kurator, drejtues i hapësirës ekspozuese EXIT në Pejë) dhe Sadik Spahija (skulptor dhe Dekan i Fakultetit të Arteve Pamore pranë Akademisë së Arteve, Tiranë).
Në fund të kësaj pune, Zef Paci që është edhe kurator i ekspozitave, tha se "Ardhje ka disa vite që kërkon të informojë, dokumentojë e përhapë këtë përzgjedhje me vlerë të artistëve të rinj në artet pamore.
Ashtu si dhe vitet e mëparshme, veprat e shtatë artistëve të rinj në këtë edicion të katërt shfaqin disa prirje për të vështruar aktualitetin dinamik shqiptar duke u përballur edhe me atë që vjen nga e kaluara. Kjo gjë kërkon të nxisë një qëndrim aktiv e kritik e pjesëmarrës në situatat bashkëkohore."
Çmimi "Ardhje" u themelua më 2007 nga TICA - Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë, në bashkëpunim me FCS - Fondacionin për Shoqëri Civile në Nju Jork. Që prej vitit 2008, ekspozita e Grand Finales së çmimit ARDHJE organizohet në bashkëpunim me Galerinë Zeta. Edicioni i sivjetshëm mbështetet nga fondacioni FAVA (Fondacioni për Artet Pamore Shqiptare).