Berisha-Dean: Përpjekja për integrim, gëzon mbështetje
Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Guvernatorin Haward Dean, i cili ka shërbyer për 6 mandate si guvernator i shtetit Vermont dhe në vitin 2004 garoi për t’u përzgjedhur kandidat për President i Partisë Demokratike në SHBA.
Kryeministri i shprehu Guvernatorit Dean mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar, gjatë gjithë kësaj periudhe.
Gjatë këtij takimi u vlerësua, liberalizimi i vizave me BE-në dhe ecja përpara me shpejtësi në projektin madhor kombëtar të integrimit në BE. Gjithashtu u theksua rëndësia që ka si për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Europën anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Guvernatori Dean u shpreh se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE do të vazhdojnë të gëzojnë mbështetje, inkurajim dhe ndihmën e të gjithë miqve të Shqipërisë dhe të rajonit, si në Europë ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke u ndalur edhe zhvillimet e fundit në rajon, ku u pohua se integrimi sa më i shpejtë i të gjitha vendeve të rajonit në BE është dhe mbetet rruga më e mirë për të ardhmen e këtyre vendeve dhe popujve të tyre.
Guvernatori Dean e falënderoi kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i shprehu atij vlerësimet më të larta për transformimet dhe ndryshimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj periudhe. “Udhëtuam nga Prishtina për në Tiranë përmes rrugës Durrës - Kukës - Morinë, e cila është një vepër e jashtëzakonshme”, u shpreh Guvernatori Dean, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për realizimin e këtij projekti, i cili ka vlerë jo vetëm për kombin shqiptar, por, sipas Guvernatorit, do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimin e mbarë rajonit.
Kryeministri e njohu Guvernatorin me reformat dhe arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit infrastrukturor në të gjithë vendin, dixhitalizimin, shkurtimin, lehtësimin dhe modernizimin e të gjitha procedurave administrative e përfshirjen e tyre në sistemet one stop shop, që ka sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, lehtësimin e jetës së qytetarëve, krijimin e kushteve më të favorshme për biznes e investime në vend, si dhe zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë. Kryeministri u ndal edhe në arritjet e rëndësishme në fushën e ICT dhe Shqipëria në moshën dixhitale, në fushën e arsimit, rritjen e jashtëzakonshme të turizmit etj.