Lufta me Rusinë, Kievi: Zelenksy gati të vizitojë SHBA-të, hapat e fundit për të arritur marrëveshjen

Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov ka bërë të ditur se autoritetet ukrainase po bëjnë përgatitjet për vizitën e presidentit Volodymyr Zelensky në Shtetet e Bashkuara ku do të takohet me presidentin Trump me qëllim finalizimin e fazave të fundit dhe arritjen e marrëveshjes së paqes.
“Ne mezi presim të organizojmë një vizitë të Presidentit të Ukrainës në SHBA në datën më të hershme të përshtatshme në nëntor për të përfunduar hapat e fundit dhe për të arritur një marrëveshje me Presidentin Trump”, theksoi ai.
Umerov vuri në dukje se delegacionet ukrainase dhe amerikane kishin arritur mirëkuptimin e përbashkët mbi kushtet kryesore të marrëveshjes së paqes.
Ne vlerësojmë takimet produktive dhe konstruktive të mbajtura në Gjenevë midis delegacioneve ukrainase dhe amerikane, si dhe përpjekjet e palëkundura të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës.
“Delegacionet tona arritën një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet kryesore të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë. Tani mbështetemi te partnerët tanë evropianë për hapat e mëtejshëm”, tha Umerov.
Pas bisedimeve midis delegacioneve të të dy vendeve në Gjenevë, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të vazhdojnë të punojnë mbi propozimet e përbashkëta për një marrëveshje paqeje.
Palët konfirmuan se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të respektojë plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe të sigurojë një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.
/rtsh.al/