Berisha: Deklarimi i etnisë, pa komplekse
“Debati mbi regjistrimin pozitiv. Deklarimi i etnisë dhe fesë nuk sjell problem”
Regjistrimi i popullsisë mbi bazën e fesë dhe etnisë është një proces normal, i cili do të vendoset mbi rregulla të qarta ligjore dhe do të shërbej si e dhënë për shumë procese në vend. Ky ishte premtimi që bëri dje Kryeministri Sali Berisha për këtë proces, pas kritikave të shumta për sa i përket nismës së fundit të qeverisë për regjistrimin. Në mbledhjen e qeverisë Berisha i quajti të drejta debatet për këtë çështje, por theksoi se deklarimi i fesë dhe etnisë nuk do t’i sillnin asnjë problem shoqërisë shqiptare, bazuar edhe nga traditat e saj të shkëlqyera në këto fusha. Në vlerësimin e Kryeministrit nuk duhet të kemi komplekse për një regjistrim ku të deklarohet etnia. Lidhur me deklarimin e besimit fetar, Berisha theksoi tolerancën e spikatur fetare në vendin tonë. “Në këtë kontekst, të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat”, deklaroi Berisha. Sipas tij, pyetësori i cili do t’u shpërndahet qytetarëve në fillim të vitit të ardhshëm për procesin e regjistrimit, do të t’ju japë liri të gjithëve të shprehin hapur besimin e tyre, qoftë edhe po të jenë ateistë. “Nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist. Kjo është një shoqëri e lirë”, tha Berisha, duke garantuar lirinë në deklarime. Nga ana tjetër, për sa i përket regjistrimit të shqiptarëve mbi baza të përkatësisë etnike, Berisha theksoi se kjo është një praktikë shumë e përhapur sot në Europë dhe në botë. Po kështu, Berisha kujtoi, se deklarimi i etnisë, është përdorur edhe në kohën kur shqiptarët qeveriseshin nga Mbreti Ahmet Zogu.
Duke e quajtur identitetin e shqiptarëve të vendosur mbi baza të sigurta, Berisha theksoi se duhet t’i jepet mundësia edhe pakica minoritare të shprehen hapur për entin e tyre. “është absolutisht për mua jashtë çdolloj koncepti, sepse unë si qytetar i këtij vendi do të lëndohem për arsye se një qytetar tjetër do të deklarojë kombësinë e tij, greke, arumune, sllave apo së cilës i përket”, theksoi në mbledhjen e qeverisë, Berisha. Sipas tij, shumica në vend duhet të jetë e vetëdijshme dhe përmbajtur dhe nuk duhet të bëjë deklarata lënduese për minoritetet dhe grupet etnike. Por Berisha theksoi gjithashtu, se qeveria do të merrte të gjitha masat për të mos lejuar abuzime në këtë proces. Kryeministri theksoi se regjistrimi në bazë etnie nuk ishte një kusht, por Shqipëria nuk kishte asnjë arsye për të mos e huazuar atë, duke qenë se ishte një praktikë e shumëpërdorur. Por kreu i qeverisë theksoi se nuk do të lejohej që etnia e deklaruar e shqiptarëve të vendosej në pasaportat e tyre, sepse ky ishte një standard i cili mund të sillte komplikacione të mëtejshme.
#