E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, biznesi kërkon garanci nga qeveria

Projekti
Dhoma e Tregtisë së Tiranës paraqet draftin në Ministrinë e Financave

Reforma e amnistisë fiskale vlerësohet tej mase nga biznesi, por nga ana tjetër mbetet shqetësimi i penalizimit nga qeveria, pasi do të duhet të deklarojnë të ardhurat e fshehura për vite të tëra. Në këtë pikë, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë së Tiranës kërkojnë garanci që në momentin e zbatimit të amnistisë të mos ketë ndëshkime me gjoba, por t’i shkohet deri në fund projektit. Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë e ka përfunduar hartimin e projektit të amnistisë fiskale, duke ia kaluar për shqyrtim Ministrisë së Financave.
“Amnistia e përgjithshme fiskale realizon një pozicionim real financiar të kapitaleve dhe aseteve. është nevojë e ekonomisë që të vlerësohet sipërmarrja private në vlerat reale, për një ballafaqim me aktorë brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë, Eugenia Gjuraj.
Drafti i formuluar nga Dhoma e Tregtisë pas kërkesës së anëtarëve të saj ka mbërritur në tryezën e ministrit të Financave. Drejtoresha Ekzekutive e Dhomës thotë se reformat e qeverisë për të legalizuar ekonominë nuk do të ishin të plota pa një amnisti të përgjithshme.
Sa i takon garancisë, Gjuraj thotë se, “në thelb të draftit për të cilin Dhoma ka punuar është vetëdeklarimi dhe shoqërohet me mosinterpretim nga ky deklarim, me disa kushte me disa rikthime mbrapa në kohë”.
Amnistia fiskale është kërkuar nga Dhoma e Tregtisë që në fillimet e krizës ekonomike, madje duke propozuar skema të ndryshme, por ministri i Financave ka refuzuar të gjejë zgjidhje, me faktin se “nga biznesi nuk ka asnjë ide të qartë”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›