E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Del në konferencë për unitetin e Kosovës, sulmon presidentin e kreun e opozitës

Të paktë ishin ata që prisnin nga kryeministri Sali Berisha të fliste në konferencën e djeshme për shtyp për çështje të tjera përveç ngjarjeve të fundit në Kosovë. Ditën kur Kosova po ziente, Berisha ka folur për shegët dhe boronicat, duke u mjaftuar me një deklaratë të Ministrit të Jashtëm, që lau gojën duke thënë thjesht se palët duhet të dialogojnë për të zgjidhur krizën.

Dje Berisha doli me një copë letër përpara dhe lexoi një deklaratë, që në plan të parë dukej me ngjyrime të forta. I ngrysur, me qëndrimin që meriton një ngjarje e tillë, ai lexoi deri në fund deklaratën duke e ngritur rrallë kokën. Më pas, krejt papritur, ai iu drejtua gazetarëve, duke u kërkuar ta pyesin. Dhe gazetarët nuk ia kanë përtuar dhe menjëherë e kanë pyetur për krizën në fund. Në këtë moment kryeministri ka sulmuar rëndë presidentin e vendit, duke thënë se kreu i opozitës, Edi Rama, e ka në xhep atë.

Më poshtë është deklarata e plotë e Berishës për situatën e Kosovës:

Qeveria e Shqipërisë po ndjek me shqetësim provokimet  e rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Duke mbështetur plotësisht të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për garantimin  e rendit kushtetues, integritetit dhe kontrollit të plotë të territorit të saj, qeveria e Republikës së Shqipërisë  dënon aktet  kriminale të fallangave  të serbomëdhenjve në vendkalimet në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasjen e oficerit të forcave speciale të Kosovës, djegien e ndërtesave të doganave dhe sulmin e djeshëm të armatosur ndaj njësive tokësore dhe ajrore të KFOR-it në vendngjarje, të gjitha këto të mbështetura, të frymëzuara, të paguara nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit.

Qeveria shqiptare  deklaron se flakët e zjarrit dhe tymi në ndërtesat zyrtare në vendkalimet kufitare, në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasja e oficerit të forcave speciale të saj, sulmi i armatosur ndaj  njësive të KFOR-it në vendngjarje, dëshmojnë qartë  se fantazma e Serbisë së madhe paraqet sërish rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Qeveria shqiptare mbështet plotësisht autoritetet dhe popullin e Kosovës, KFOR-in dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, për vendosmërinë  e tyre për garantimin e rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe vendosjen në kontroll të plotë  në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit të të gjitha vendkalimeve kufitare të kësaj Republike. Ne jemi të bindur se çdo përpjekje për dhunim të integritetit, territorit dhe rendit kushtetues  të Republikës së Kosovës do të marrë përgjigjen e merituar. Qeveria shqiptare, ndonëse është për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe ideve dhe kundër çdo lloj embargoje, mbështet plotësisht vendimin e qeverisë së Kosovës, bazuar në parimin e reciprocitetit, për ndalimin e hyrjes se mallrave serbe në Kosovë, si vendim tërësisht i imponuar nga embargoja  disa vjeçare serbe për mallrat e Kosoves.  Ne jemi të vendosur ti japim Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe të tjera, për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj, me pasoja sa më të vogla.

Qeveria shqiptare i bën thirrje qeverisë së  Kosovës dhe qeverisë së Serbisë të marrin të gjitha masat për uljen e tensionit dhe krijimin  e kushteve për suksesin e dialogut  dhe negociatave, në kuadrin e procesit të Brukselit, si proces midis palëve të barabarta, tejet i rendësishëm për vendet e tyre, paqen dhe stabilitetin  në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›