E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Presidenti Topi është në xhepin e Ramës. Për Bashën, partia e hapur edhe për postin e kryetarit

(E PERDITESUAR)- Ndërsa ka mbajtur një konferencë për Kosovën, kryeministri Berisha iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për situatën politike në vend.

Pyetjes se a do të ketë ndryshime kushtetuese, Berisha i është përgjigjur se nuk ka arsye që të ketë, sepse ndryshimet për presidentin nuk do të kishin vlerë, pasi sipas tij, opozita tashmë e ka presidentin.

Sipas Berishës, Topi është mbështetës i Ramës dhe këtë e tregoi me votimin në zgjedhjet e 8 majit.

Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë për interesin e mazhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar, respektimi i Kushtetutës së vendit. Ju e shihni se z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta. Këta që pendohen bëjnë mirë që pendohen, por kur të takon shumë herë të pendohesh, kthehesh në pendesë. Duhet ta kuptojmë këtë, ka thënë Berisha.

Një gazetar e ka pyetur kryeministrin Sali Berisha për moszgjidhjen e nënkryetarëve dhe sekretarit të Përgjithshëm në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar. Berisha tha se nuk ka debate në Partinë Demokratike. Ai nuk dha shpjegim se përse është shkelur e do shkelet sërish statuti i partisë, por sa për të kaluar radhën tha se Këshilli Kombëtar do mblidhet sërish për të zgjedhur nënkryetarët e sekretariatin.

Brenda PD-së ka pasur, ka dhe do të ketë gjithnjë debat të hapur dhe garë të garantuar. Sapo të mbyllen përfundimisht këto zgjedhje që është data 30 në mos gaboj dhe, sapo të rikthehen edhe njerëzit me pushime, sepse njerëzit janë me pushime sepse është kohë pushimesh, do të mblidhet kryesia, do të mblidhet sërish Këshilli Kombëtar dhe do të procedohet me të gjitha zgjedhjet e strukturave. Debate ka dhe duhet të ketë, është normale. PD është një parti demokratike, që do të thonë definicion i mendimit të lirë, tha Berisha.

Ndërsa duke komentuar rezultatin e Bashës në zgjedhjet për kryesinë, Berisha tha se dyert e tij janë të hapura edhe për postin e kryetarit.

Partia Demokratike është një parti e hapur dhe postet e saj, përfshi edhe postin e kryetarit, në Kongres, janë të hapur për të gjithë anëtarët e vet. Por, dua të jem i sinqertë me ju. Me sa po kuptoj unë, preokupimi më kryesor i kryetarit të Bashkisë janë qytetarët e Tiranës.  Më thonë se ai dhe drekën e ha në zyrën e tij, pasi dëshiron që ti përkushtohet tërësisht Tiranës. Por ai i ka të hapura të gjitha opsionet, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›