E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dënoj si aktet më kriminale zjarrvëniet, do bëjmë gjithçka për suksesin e protestës

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se forca që ai drejton po vijon procesin e ripërtëritjes dhe modernizimit.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha u ndal te mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila i është kushtuar ripërtëritjes së partisë dhe rolit të anëtarësisë në këtë proces.

“PD mblodhi Këshillin e saj Kombëtar kushtuar ripërtëritjes dhe rolit të anëtarit të kësaj partie në procesin e ripërtëritjes”, tha Berisha.

Sipas tij, transformimi i partisë synon forcimin e organizimit, komunikimit dhe modernizimin e strukturave, me qëllim përgatitjen e saj për një fitore të ardhshme elektorale.

Berisha tha se procesi është mbështetur edhe nga ekspertizë ndërkombëtare dhe nga puna e drejtuesve, specialistëve dhe ekspertëve të PD-së.

“Theksoj edhe njëherë, në epiqendër të së cilës duhet të qëndrojë anëtari, iniciativa dhe hapësira e tij”, u shpreh ai.

Berisha akuzoi se mazhoranca po shmanget nga përballja me qytetarët dhe protestuesit.

“Ikën dhe u shmanget qytetarëve, protestuesve, anëtarëve të saj. Në panik dhe e pashpresë, de facto ajo po shpërbëhet”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh se “protesta ka bërë dhe po bën një gjë të jashtëzakonshme në denoncimin, zgjimin, ndërkombëtarizimin e problemit të Shqipërisë”.

“Ne do bëjmë gjithçka për një pjesëmarrje sa më të madhe të demokratëve në këtë protestë me kusht të vetëm që ata të jenë aty si qytetarë, jo me simbole partiake, dhe në mbështetje të idealeve qytetare që po luftojnë prej 90 ditësh në rrugë dhe sheshet e Tiranës. Ne e konsiderojmë protestën si protestë e kauzave tona, të cilat prej kohësh kemi luftuar, dhe do bëjmë gjithçka, kemi në dorë për pjesëmarrje sa më masive të kontribuojmë në suksesin e saj”, tha Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit online, Berisha u ndal edhe te situata e zjarreve në vend duke shprehur mirënjohje, për të gjithë ata heronj të zjarrfikësve, punonjës që përballen me flakët.

Sipas tij, sakrificën e tyre është në kushtet më të vështira.

“Dënoj si aktet më kriminale, breshëritë e trafikantëve kundër zjarrfikësve.
Në një seri zonash të zjarreve të vëna me qëllim, apo që ndodhen afër arave të kanabisit, rojet kriminale të plantacioneve të kanabisit pengojnë zjarrfikësit, qëllojnë në drejtim të tyre për të mbrojtur krimin monstruoz, për të mbrojtur drogën dhe parcelat e drogës”, tha ai.

I pyetur për shkarkimin nga Erion Veliaj të kryetares së komanduar në Bashkinë Tiranë, Anuela Ristani, Berisha tha se” është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj Ramës”.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›