E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do bëjmë të gjitha përpjekjet për liberalizimin e vizave me SHBA

04-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri në Vorë: Rama urrejtje klasore ndaj të pasurve

Kryeministri Berisha garanton nga Vora, ku prezantoi kandidatët e PD, se qeveria do vazhdojë kursin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE si dhe heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Edhe në Vorë kryeministri Sali Berisha ftoi qytetarët shqiptarë të votojnë për një tjetër mandat Partinë Demokratike, për të vijuar, siç tha ai, rrugën e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë, kreu i qeverisëë u shpreh se, PD ka çelur një kapitull të ri në historinë e vendit, ndërsa garantoi çeljen e 250 mijë vende të reja pune, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe liberalizimin e vizave me SHBA, gjatë katër viteve të ardhshme. “Së bashku u anëtarësuam në NATO, së bashku hoqëm vizat, së bashku firmosëm marrëveshje e stabilizim-asociimit, së bashku do të marrim statusin. Shoku i autobusit na pengoi për  një vit, por më në fund u detyrua të  firmosë, u detyrua të votojë ligjet. Ne do të marrim statusin, ne do të hapim negociatat, ne do të bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me SHBA-të. Ne jemi zotuar të bëjmë çdo gjë për punësimin e 250 mijë shqiptarëve në 4 vitet që vijnë. Për të realizuar këtë objektiv, ne hoqëm taksat mbi të gjitha llojet e kapitaleve për bizneset e të gjitha llojeve. Shqipëria nuk është kurrë më ajo që ishte pak vite më parë, në pak vite ne kemi bërë ndryshime të mëdha në Shqipëri, nga Konispoli në Vermosh, nga lindja në perëndim me mund e djersë është ndërtuar një sistem i ri rrugor, që kanë ndryshuar gjeografinë e këtij vendi. Ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla, mbi 420 sisteme kanalizimesh, 400 qendra shëndetësore dhe spitale. Në Vorë kemi ndërtuar mbi 50 km rrugë, 6 ujësjellësa dhe kanalizime, 4 shkolla, kopshte si dhe rindërtim të rrjetit elektrik, Vora është sot porta moderne e kryeqytetit të vendit”- u shpreh Berisha. Kryeministri premtoi se gjatë viteve që vijnë do ketë më shumë projekte për Vorën, ndërsa premtoi ndërtimin e rrugës së Maminasit, stadium në Vorë, shkollën në Picar. Duke iu referuar rivalit politik Edi Rama, Berisha e akuzoi atë për bllokimin e statusit të vendit kandidat. “Shoku i autobusit na pengoi për  një vit, por më në fund u detyrua të  firmosë, u detyrua të votojë ligjet”- tha kryeministri, duke e akuzuar Ramën se, është lideri që përpiqet të mbjellë urrejtje klasore. “Premton se do të ulë taksat për 95 % të shqiptarëve dhe se 5 % e shqiptarëve do të bëhen Anteu i kësaj tokë për të  mbajtur shtetin dhe shoqërinë. Në çdo vend të lirë të botës ekonomia nuk zhvillohet nga sipër poshtë, por nga poshtë sipër. Është klasa e mesme që gjeneron mbi 90% të të ardhurave në çdo vend. Të mendosh një gjë të tillë tregon se përpiqesh të mbjellësh urrejtjen klasore për të pasurit dhe se mendon se duke rrënuar të pasurit ndihmonin të varfrit. Në të vërtetë vetëm i ç’punëson ata dhe i varfëron gjithnjë e më shumë”- shtoi më tej Berisha, duke ftuar qytetarët që, “më 23 qershor së bashku le të votojmë për projektin tonë të punësimit, i cili bazohet në taksat të ulëta, në liri ekonomike më të madhe, i cili bazohet në rritjen e investimeve të huaja nga 4 miliard që morëm në këto 4 vite, në 6 miliard në 4 vitet që vijnë, i cili bazohet në trefishim e granteve, vendosjen e sistemit modern të vaditjes dhe rritjen e punësimit në këtë sektor, se bashku me rritjen në sektorin privat me 130 mijë punonjës, bazohet në rritjen e turizmit, nga 4,7 në 7 milion në 4 vite që vijnë, bazohet në ndërtimin gjatë 4 viteve që vijnë të gjigandëve të energjetikes, kaskadës së Devollit dhe më pas Kaskadës së Vjosës dhe qindra hec-ve të tjera me të cilat janë firmosur kontrata koncesionare dhe kanë filluar ose do të fillojnë ndërtimin e tyre, bazohen në dyfishimin e punësimit në teknologjinë  e lartë të informacionit, nga 13 mijë që janë sot në 26 mijë gjatë viteve që vijnë, bazohet pra, në projekte konkrete, me të cilat vetëm parqet industriale që po ndërtohen vetëm në Tiranë, dy prej tyre, me 30 mijë vende pune”.
Basha: Më 23 qershor, Vora dhe e gjithë Shqipëria do t’i thotë “po” kryeministrit Berisha/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetar i shtabit elektoral të PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit, për qarkun e Tiranës, Lulzim Basha, falënderoi në mbrëmje e djeshme, banorët e Vorës për mbështetjen që vazhdojnë t’i japin Partisë Demokratike, me votën e tyre, për të çuar përpara zhvillimin e Shqipërisë. I pranishëm të hënën në Vorë, në tubimin elektoral, në prezantimin e kandidatëve për deputetë të PD-së për zgjedhjet e 23 Qershorit, Basha tha se, Vora dhe e gjithë Shqipëria është e vendosur të ecë përpara drejt alternativës së punësimit dhe mirëqenies, me kryeministrin Sali Berisha në krye. “Jemi alternativa e ndërtimit të rrugëve, punësimit, spitaleve, udhëtimit pa viza në Be, hyrjes në NATO dhe së shpejti hapjes së negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE”, tha Basha para simpatizantëve dhe mbështetësve të shumtë të PD-së në Vorë. Basha tha se në këto zgjedhje, alternativa tjetër është ajo e cila do të çojë pas Vorën dhe Shqipërinë. “Me bllokimin që i bëri statusit të vendit kandidat për në BE, për ambiciet e tij personale, Rama bllokoi  150 milionë euro grante për Shqipërinë.  Do të kishim më shumë të punësuar në se interesat e Ramës nuk do të vendoseshin mbi i interesat e shqiptarëve", tha Basha.  Ai akuzoi liderin e opozitës se pas bllokimit të tre ligjeve, të votuara vetëm pak ditë më parë, të cilat edhe nuk i përshëndeti, Rama bllokoi amnistinë fiskale.  Në 23 qershor, Vora do t’i thotë po PD-së dhe kryeministrit Berisha, për një fitore të saj në zgjedhjet e 23 Qershorit”, tha Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›