E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do kthejmë eshtrat e Zogut

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje që të rikthehen sa më shpejt në atdhe eshtrat e Mbretit Zog. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë, u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme, mes të cilave edhe monumenti i kësaj ngjarjeje. Duke folur në këtë mbledhje, përpara se të nisej për një vizitë njëjavore në SHBA, kreu i qeverisë u shpreh se rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog, i cili duhet të realizohet patjetër brenda një afati sa më të shkurtër kohor, duhet të shoqërohet me ndërtimin e varrezës mbretërore, sepse familja mbretërore ka pasur varreza, dhe është kryer një profani e tmerrshme, është minuar varri i nënës së Ahmet Zogut për fajin e vetëm se i dha Shqipërisë burrin që bëri gjithçka për të ndërtuar një shtet në një vend që kishte shekuj pa shtet dhe e vërteta është që ka pasur dhe një përmendore të 25-vjetorit të Pavarësisë, e cila edhe ajo ka pësuar fatin e Shqipërisë, nga 20 e ca metra e lartë kur u pushtua vendi, ajo u copëtua dhe gjatë periudhës së diktaturës u shkatërrua duke u lënë në harresë. Sipas kreut të Ekzekutivit, përveç kthimit të eshtrave, duhet të ngrihet edhe varreza mbretërore. Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, tha dje se përveç konkursit të Monumentit të Pavarësisë, janë shpallur konkurse edhe për shtatoret e Ismail Qemalit, Mbretit Zog, Hasan Prishtinës, si dhe Monumentit kushtuar Kongresit të Lushnjës. Gjithashtu janë përfunduar, por nuk janë vendosur ende, shtatorja kushtuar Azem Hajdarit, ajo kushtuar Pjetër Arbnorit, shtatorja kushtuar Presidentit Uillson dhe busti kushtuar Petro Markos, i cili do të vendoset në qytetin e tij të lindjes. Gjatë mbledhjes ku u prezantua monumenti i ri i 100-vjetorit të Pavarësisë, ministri Bumçi tha se në këtë konkurs morën pjesë 66 artistë dhe u prezantuan 73 projekte. Ai tha se projekti fitues u vlerësua si nga juria, e cila i dha 31 pikë, ashtu edhe nga publiku, ku 6453 votues online, për këtë vepër votuan 2210 qytetarë. Vepra paraqitet në formën e një kubi që hapet, duke përfaqësuar kështu idenë e një fortifikimi, pra të Shqipërisë si një vend i izoluar dhe i mbyllur, i cili më pas hapet. Monumenti i lartësisë prej 4 metrash krijon një hapësirë brenda të cilit qytetarët do të mund të kalojnë. Gjithashtu, brenda tij është e shkruar me lazer Deklarata e Pavarësisë. Duke e vlerësuar veprën të denjë dhe të gjetur artistikisht për të përfaqësuar Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, komentoi: Në rryma të caktuara besohet se kryqëzimi i linjës vertikale me horizontale jep harmoninë më të përsosur. Këtu ka një zhvendosje nga bijtë e shqipes te bijtë e librit. Natyrisht, bijtë e shqipes do të donin shqiponjën diku, por le tia lëmë kryetarit të Bashkisë të hapë një konkurs për të ngritur një shqiponjë që të bëhet simbol i Tiranës. Qytetet e kanë në tagër këtë punë. Ai kryetar që ishte nuk ngriti asgjë. Shpërndau në fund një kartolinë të Man Ray-it dhe e shpërndau jo për vlerësimin artistik të tij ose për vlerësimin e njohurive që ka për artin dadaist, aspak, por sepse ai është dadaist në politikë.

PS: Të ardhurat nga turizmi ranë në 2011
Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se megjithëse qeveria pretendon rritjen e numrit të turistëve, të ardhurat nga ky sektor kanë rënë vitin e kaluar nga 140 milionë euro, në 60 milionë. Duke folur në tryezën e programit për turizmin, të zhvilluar në Durrës, Rama tha se burimi tjetër zyrtar, ai i Bankës së Shqipërisë, thotë se pikërisht në vitin 2011 rënia e të ardhurave nga turizmi është 60 milionë euro. E, duke shkuar pak më pas në vite, nga viti 2009 në vitin 2011, të ardhurat në ekonomi nga turizmi kanë rënë me 140 milionë euro. Mospërputhja e realitetit me shifrat zyrtare të qeverisë është një fakt i përditshëm në të gjitha fushat, por këtu gjendemi përballë një mospërputhjeje që i kalon përmasat e së pranueshmes edhe bazuar në mospërputhjet me të cilat jemi mësuar. Ndërkohë që PD-ja reagoi dje duke thënë se bumi i jashtëzakonshëm turistik, pra rritja e numrit të turistëve, nga 300 mijë në vitin 2004 në mbi 4 milionë në vitin 2011, ndodhi pikërisht në vitet në të cilat kjo maxhorancë e shndërroi Shqipërinë nga Skafo-Republikë Socialiste, në të bukurën e dheut Destinacionin kryesor turistik të botës.

Edi Rama: Monument për përvjetor, i pari në botë
Kreu i PS-së, Edi Rama, reagoi dje për miratimin e Monumentit të 100-vjetorit të Pavarësisë, duke thënë: E padëgjuar në histori: qeveria bën projekt për një monument dhe pastaj thotë tani të kërkojmë për ti gjetur një vend! Injorancë e paparë. E dyta: ky do të jetë monumenti i parë në botë jo për një ngjarje, po për përvjetorin e një ngjarjeje, ndërkohë që monumentin e ngjarjes e kemi! Dhe e treta: projekti i monumentit paraqitet nga ministri në qeveri me një bllok me vizatime në dorë! Unikale edhe kjo, qesharake deri në turp!. Ndërsa deputeti i PS-së, Erjon Braçe, shkruante në faqen e tij në Facebook: Është çmendur! Po bën gjithçka të zëvendësojë Vlorën! Sali Berisha po bën gjithçka të zhbëjë nyjën historike: Vlorë-Pavarësi!.

Kreu i Ekzekutivit do takojë edhe kreun e Kongresit
Berisha në SHBA, sot takim dhe konferencë me Klintonin

Kryeministri Sali Berisha është nisur dje në mesditë për në SHBA, ku do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit. Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave bëri të ditur se gjatë ditës së sotme, kreu i Ekzekutivit do të takojë sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, me të cilën do të dalë edhe në një konferencë për shtyp. Kryeministri Berisha do të zhvillojë të mërkurën një takim me sekretaren e Shtetit, zonjën Hilari Klinton, në përfundim të të cilit, sekretarja e Shtetit, Klinton dhe Kryeministri Berisha do të dalin në një konferencë të përbashkët për median. Kryeministri do të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është njëkohësisht dhe kreu i Kongresit të SHBA, zotin John Boehner, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Kryeministri do të ketë në Uashington takime me personalitete të tjera, si senatorja Jeanne Shaheen, kryetare e nënkomitetit për Çështjet Europiane, Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi etj. Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të federatës VATRA, në Nju Jork. Me këtë rast do të zhvillohet konferenca shkencore Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, 100 vjet në shërbim të kombit, ku do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë. Kryeministri Berisha do ti drejtohet Konferencës me një fjalë, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Gjatë qëndrimit në SHBA, Berisha do të marrë pjesë në prezantimin e filmit dokumentar Besa, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington DC.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›