Berisha: Do kthejmë në Shqipëri eshtrat e Zogut
ADI SHKEMBI
Qeveria vendos të kthejë në Shqipëri eshtrat e Mbretit Ahmet Zogu. Kryeministri Sali Berisha tha dje në një konferencë për shtyp se një komision qeveritar shtetëror do të ngrihet për të bërë të mundur rivarrosjen e eshtrave në varrezën e familjes mbretërore përmes një ceremonie shtetërore. “Qeveria shqiptare merr këtë vendim, duke njohur Ahmet Zogun Kryeministër, President dhe më vonë, Mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si njërin prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar”, theksoi Berisha në daljen para mediave. Kreu i ekzekutivit vlerësoi figurën e Ahmet Zogut si krijuesin e Republikës dhe Mbretërisë në Shqipëri. “Madhëria e tij Zogu I, me përpjekje të mëdha, krijoi fillimisht Republikën e më pas, Mbretërinë, në të cilën në tërësi liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, liria e pronës, liria e besimit, liria e udhëtimit dhe liritë e tjera, u respektuan dhe u garantuan me ligj. U ndërtuan të gjitha institucionet shtetërore, në përputhje dhe në kuadër të një monarkie konstitucionaliste”, vijoi më tej Berisha. Duke përshkruar karrierën politike të Mbretit, kryeministri e vlerësoi si antishqiptar vendimin e Kongresit të Përmetit në vitin 1944 për të ndaluar rikthimin e tij në Shqipëri. “Mbreti prehet në varrezën e tij, rreth 15-20 km nga kryeqyteti i Francës, ndërkohë që familja mbretërore ka pasur varrezën e vet në kryeqytetin e vendit. Familja Mbretërore, Mbreti dhe Mbretëresha, anëtarë të tjerë të familjes, do të rikthehen të pushojnë për jetë në varrezën e tyre dhe do të nderohen gjithnjë nga shqiptarët. Ky është njoftimi im për opinionin publik”, theksoi më tej Berisha. Por sipas tij, eshtrat e Mbretit nuk do të jenë të vetmet që do të kthehen në Shqipëri. Me rastin e 100 vjetorit të lindjes të Nënë Terezës (27 gusht 1910- 17 gusht 2010), qeveria do të negociojë me autoritetet e Indisë për të rikthyer në Tiranë dhe eshtrat e Shenjtores. Të njëjtën gjë kreu i qeverisë premtoi edhe për eshtrat e Mit’hat Frashërit. “Ju keni të drejtë, nuk janë sjellë në vend eshtrat e Nolit. Por, ka edhe një problem, si primat i Kishës Ortodokse shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli frymëzoi dhe frymëzon diasporën shqiptare në atdhetarinë e saj, në dashurinë e saj të pakufishme ndaj Shqipërisë. Ndaj dhe Kisha shqiptare e Bostonit e ka Nolin realisht si shenjtorin e saj të pa shpallur. Por qeveria shqiptare do të nisë përpjekjet për të kthyer në Shqipëri burrin e madh të Kombit, Mit’hat Frashërin dhe personalitete të tjera”, theksoi kreu i qeverisë.
Reagimet
Pëllumbi: Përgjigje asimetrike ndaj PS
Ish-kryetari socialist i Kuvendit, profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, e cilëson deklaratën e kryeministrit Sali Berisha për ngritjen e një komisioni shtetëror, i cili do të bëjë të mundur riatdhesimin e eshtrave të ish-mbretit Ahmet Zog, si një veprim me sfond politik që kërkon tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik ndaj problemeve politike që opozita ka kohë që debaton. “Është një përgjigje asimetrike e zotit Berisha ndaj problemeve politike të mprehta të ditës që janë parashtruar nga opozita”, u shpreh profesori i socialistëve. Pëllumbi njihet për analizat e tij të thella, kryesisht ato filozofike, duke kaluar në skaner periudhën 20-vjeçare politike shqiptare. Pëllumbi njihet për qëndrimet e tij ndaj disa çështjeve të cekura nga qeveria në momente të caktuara politike, siç ka qenë çështja e pastërtisë së figurave të politikanëve dhe zyrtarëve, çështja e rishikimit të historisë, apo dhe ajo e heqjes së mozaikut të fasadës së Muzeut Kombëtar, të cilat i ka cilësuar të qëllimshme për tërheqjen e vëmendjes së opinionit. Pritet që vendimi i qeverisë për ngritjen e komisionit të posaçëm për të nderuar ish-mbretin Zog të nxisë debate politiko-historike në ambientin politik shqiptar.
Shehi: Kthimi i eshtrave, pozitiv
Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, u shpreh pro sjelljes së eshtrave të Mbretit Zog në Shqipëri. Në një kontakt me “Panorama”, z. Shehi tha se sjellja e tyre është një zhvillim pozitiv, edhe se e gjitha kjo ishte një detyrë e shtetit që duhet të ishte përmbushur me kohë. “Sjellja e eshtrave të Zogut nuk është vetëm një simbolikë familjare, por për mua hap udhën për interpretimin e një periudhe të rëndësishme historike të popullit tonë. Sepse ka ardhur koha për rivlerësimin e historisë. Kujtoj se kur u kthyen eshtrat e Faik Konicës u bë një rivlerësim i figurës së tij. Një rivlerësim me impakt pozitiv në popull. Kuptohet se këtë radhë rivlerësimi mund të jetë edhe më i plotë, pasi vjen ish-kryetari i shtetit. Me pak fjalë ne shqiptarëve na bën shumë mirë të rishohim me kujdes një pjesë të historisë së popullit tonë”, pohoi Shehi. I pyetur nëse një pjesë e shoqërisë ka të ngjarë të mbetet e pakënaqur, apo mund të jetë kundër sjelljes së eshtrave, Shehi tha se të pakënaqur mund të ketë, por kjo pakënaqësi vjen nga padija dhe fundja kjo pjesë ka për të shërbyer si katalizatore për një debat sa më të saktë, për veçimin e vlerave më të mira. “Bëhet fjalë për histori. Le të fillojmë ta diskutojmë edhe Ahmet Zogun me të mirat e të këqijat e tij. Fundja ai qeverisi një popull të vogël, në një periudhë shumë të vështirë”, përmbylli z. Shehi.
Zogu, si u varros në periferi të Parisit
Eshtrat e Ahmet Zogut (1895-1961), Mbret i Vetëshpallur i Shqiptarëve (1928-1939), gjenden në varrezat e Thiais, afër Parisit në Francë. Mbreti Zog mbylli sytë në moshën 66-vjeçare, në datën 9 prill 1961, në spitalin “Foch” të Parisit. Një ditë më pas, më 10 prill, arkivoli me trupin e tij u vendos për homazhe me një sallon të të njëjtit spital. Zogu gjendej në Francë pas azilit të diktuar nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe më pas edhe nga politika kundërshtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Një sërë personalitetesh të shteteve të ndryshme, përfshirë Presidentin e Republikës Franceze, Gjeneralin De Gol, i dërguan familjarëve të tij telegrame ngushëllimi. Ceremonia e varrimit u organizua më 11 prill 1961. Arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar, e i mbartur nga supet e emigrantëve shqiptarë besnikë të kauzës së tij, u çua në varrezat e Thiais, që gjenden rreth 20 kilometra në afërsi të Parisit. Në varrin e Mbretit është shkruar në gjuhën shqipe shprehja që atij i pëlqente më shumë: “Atdheu përmbi të gjitha”. Më 15 prill në sallonet e hotelit “Bristol” të Parisit, Asambleja provizore, e përbërë nga mbështetës të Mbretërisë të mbledhur nga shtete të ndryshme të botës, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, vendosi që Princi Trashëgimtar, Leka, të kurorëzohej Leka I, Mbret i Shqiptarëve. Pasuesit e Mbretit Zog, varrin në Paris, e kanë konsideruar gjithmonë si provizor duke shpresuar që eshtrat e tij të sillen dhe të rivarrosen në atdhe.
Pas Luftës së Dytë, Mbreti Zog u përpoq që të rivendosej në fronin e tij. Për këtë qëllim atë e ndihmuan britanikët, por desantimi i grupeve të ndryshme për të ngritur popullin me qëllim rrëzimin e komunizmit, dështoi. Në vitin 1997 pati një referendum për të rikthyer monarkinë, por nuk u votua në shumicë nga populli. Duke menduar se rezultati ishte i manipuluar, Mbreti Leka tentoi një kryengritje të armatosur, por dështoi.
Azili në Francë dhe pak kohë në Angli i shndërruan Mbretin Zog si dhe Mbretëreshën Xheraldinë në figura të dëshiruara për mediat. Kjo për shkak të rrethanave të largimit nga Shqipëria, mënyrës së jetesës dhe përpjekjeve për t’u rikthyer në fronin e humbur. Një batutë ku përmendet emri i Mbretit Zog është në librin “Njeriu me armë të artë”, shkruar nga Jan Fleming, me personazh kryesor Xhejms Bond. Po kështu kënga “Don Zhuan”, e kënduar më 1988 nga “Pet Shop Boys”, përmban frazën “King Zog’s back from holiday - Mbreti Zog kthehet nga pushimet”. Ndërsa tentativa për ta vrarë më 1931 është rindërtuar në filmin e 1987 “Aria”, ku roli i Zogut është luajtur nga Theresa Russell. Për Mbretin Zog, kryesisht në Francë, qarkullojnë gjithashtu shumë anektoda. Më e famshmja nga të cilat përshkruhet si e ndodhur në hotelin “Ritz”, kur portieri i habitur nga pesha e valixheve të Zogut, e pyet nëse ato përmbanin ndonjë gjë me vlerë. Zogu i përgjigjet: Po, janë plot me florinj. Fe.De