E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historianët: Jo paktit detar me Greqinë

 

BLEDAR HOTI

Të 51 shoqatat atdhetare i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë që të mos e miratojnë marrëveshjen mes vendit tonë dhe Greqisë, për ndarjen e vijës kufitare detare, për shkak se cenon integritetin territorial të vendit. Gjithashtu shoqata “Labëria” i bëri thirrje dje Parlamentit dhe Presidentit të vendit, Bamir Topi, që të mos miratohet kjo marrëveshje pa u kryer më parë një transparencë e plotë me specialistët e të gjitha fushave. Rezoluta në të cilën i bëhet apel deputetëve të Kuvendit doli pas seminarit të zhvilluar dje, në lidhje me marrëveshjen më të fundit mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe që pritet të miratohet në Kuvendin shqiptar në datën 19 tetor. “Duke shprehur shqetësimin tonë nga mungesa e transparencës së nev-ojshme, nga paqartësitë që lindin prej këtej, ju lutemi që miratimi i marrëveshjes duke qenë që bëhet fjalë për problem jetësor si integriteti i vendit, të mos merret në diskutim, analizë e miratim në seancën e radhës deri sa të bëhet transparenca e nevojshme, duke shmangur edhe çdo pasaktësi të mundshme teknike në përllogaritje”, thuhet në rezolutën e drejtuar nga kreu i shoqatës, Ago Nezha. Historiani Arben Puto tha se pretendimet e palëve duhet të ballafaqohem me ato të shtetit shqiptar, pasi ajo prek interesat kombëtare. “T’i ballafaqojnë këto argumente dhe të arrihet në një konkluzion të përbashkët, një konkluzion që të respektojë interesat kombëtare. Unë që tani them se nga ballafaqimi do të dalë se kemi të bëjmë me një problem serioz, që prek interesat e vendit tonë”, tha Puto. Sipas tij, ujërat e brendshme, siç është gjiri i Sarandës, nuk mund të përfshihen si ujëra territoriale. “Nuk është se po hedhim dyshime koti, këtu është një problem serioz, mendoj se duhet parë me seriozitetin e duhur, gjykim që ka munguar”, theksoi Puto. Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi e cilësoi të turpshme një marrëveshje të tillë. “Greqia nuk njeh kufirin tonë tokësor, sepse që nga koha që kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike, por edhe që nga koha e Zogut nuk ka pranuar të nënshkruajë dy marrëveshje kuadër, siç është ajo marrëveshja për mirëmbajtjen e piramidave dhe ajo për mënjanimin e incidenteve kufitare. Po i nënshkrove këto ke njohur edhe kufirin me shtetin fqinj”, theksoi Xhufi. Historiani i njohur shtoi se “kjo puna e kufijve më kujton, në historinë e Evropës njihen disa vija kufitare që kanë siguruar mbrojtjen e një shteti nga një shtet tjetër. Vija e famshme Marzhino e Francës, apo vija  gjermane Zigfre që ngritën në Itali. Kanë qenë vija mbrojtëse për të cilën kanë lënë kokën me mijëra e miliona njerëz”. “Si do ta quajmë këtë vijën tonë këtu? Jemi dakord të gjithë, quhet vija e turpit! Por nesër jeni të bindur se historia do t’i vejë një emër konkret”, theksoi Xhufi. Ish-kolonel Myslym Pasha, i cili ka bërë një studim për këtë marrëveshje thekson se “Shqipëria, humb një pjesë të vetvetes së saj, në shtratdetin kontinental Jonik, një sipërfaqe ujore prej 354 km2, në një nga gjeohapësirat më magjepsëse, të pasura, dhe gjeostrategjike, në Jugperëndimin e Saj”.

rezoluta

• Marrëveshje cenon rëndë integritetin e vendit tonë të mos miratohet pa u bërë transparenca e plotë dhe rimatje e kufijve.
• Nuk na duket normale madje i vlerësojmë në dëm të mirëkuptim dhe të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mike, fqinje, si mbajtjen pezull dhe pa zgjidhjen ligjore nënshkrimin e dy marrëveshjen kuadër mbi kufirin tokësor
• Kjo do të sillte më në fund edhe njohjen zyrtare nga pala greke, të përcaktuar nga konferenca e Londrës në 1913, të konfirmuar në protokollin e Firences më 1926.
• Çështja çame që do të vazhdojë të qëndrojë pezull në marrëdhëniet shqiptare greke, nëse nuk zgjidhet në frymën e akteve ndërkombëtare dhe vullnetit të përbashkët për marrëdhënien miqësore.
• Çështja e pronave të qytetarëve shqiptarë të bllokuar në Greqi me ligjin e luftës 1940. Duam abrogimin e këtij ligji absurd nga ana e parlamentit grek
• Marrëveshje për rregullimin e shfrytëzimit të ujërave të brendshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›