PO-ja irlandeze dhe shanset e zgjerimit të BE
Arshela Arapi
Kësaj radhe irlandezët nuk hezituan të votonin masivisht (67.13%) «pro» ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Kjo votë i dha fund sagës së tejzgjatur, duke bërë të mundur që Irlanda e quajtur ndryshe «Tigri Selte» t’i besojë «fatin e saj» Europës. Natyrisht Po-ja irlandeze i dha fund një periudhë të gjatë mosmarrëveshjesh institucionale, që jo rrallë kanë çuar dhe në paralizë parciale të funksionimit të Bashkimit Evropian. Pa dyshim vota irlandeze ishte e një rëndësie madhore për BE-në. Ajo përcaktoi kështu jo vetëm një hap përpara në procesin e integrimit ekonomik dhe politik të makinerisë evropiane, por dhe investoi dukshëm në përmirësimin e prezencës së BE-së në skenën ndërkombëtare. Një fakt është i vërtetë: vota irlandeze nuk ishte kaq e pafajshme sa ç’mund të duket në pamje të parë. Mirë apo keq, në mënyrë të pjesshme apo të plotë, Po-ja irlandeze është produkt i krizës financiare që ka mbërthyer mbarë globin. Eshtë e vërtetë se refuzimi që Irlanda i bëri Lisbonës 15 muaj më parë, gjatë referendumit të parë, i dha përparësi negociatave të saj me BE-në. Po aq i vërtetë është fakti që për hir të një të mire të përbashkët, komuniteti europian nuk hezitoi asnjë çast t’i garantojë Irlandës një sërë beneficesh duke filluar nga mos cenimi i neutralitetit të saj e deri në pranimin e abortit. Gjithsesi ratifikimi irlandez vërtetoi që Irlanda ishte në gjendje të peshonte riskun e një katastrofe të mundshme ekonomike duke qenë jashtë BE-së dhe mbi të gjitha ta evitonte atë. Nisur nga ky këndvështrim, Po-ja irlandeze, e cila mund të interpretohet dhe si një përdorim cinik i Europës, pati meritën të shkaktonte tek irlandezët një frikë retrospektive e njëkohësisht të dobishme. Panorama nuk i shpëton absurditetit, kur mendon se atë ç’ka Brukseli nuk arriti që prej 1957, kriza ekonomike e zgjidhi në më pak se 12 muaj.
Sa e vërtetë qe qartësia dhe vendosmëria e Po-së irlandeze, po aq i vërtetë është fakti që ajo nuk mjafton për t’i dhënë një dinamizëm të ri projektit europian. Sytë dhe veshët e europianëve janë drejtuar tashmë drejt Varshavës dhe Pragës. Presidenti polak Kazinski premtoi se do t’i nënshtrohet vullnetit të parlamentit duke nënshkruar traktatin e Lisbonës në rast se referendumi irlandez do të prononcohej pozitivisht, ndërkohë që pengesa reale është pala çeke. Euroskeptiku Klaus i vetëquajtur disident evropian, për të cilin ratifikimi i Traktatit të Lisbonës nuk është kusht sine qua non për ndërtimin dhe konsolidimin e BE-së, ka vendosur të refuzojë nënshkrimin e ratifikimit e tij, duke mospërfillur kështu vendimin e parlamentit çek. Por nga buron ky qëndrim i prerë i Klausit? Të jetë thjeshtë një kokëfortësi nacionaliste apo taktikë afatmesme?
Situata mund të kuptohet nëse zhvendosemi nga Lindja drejt Perëndimit, pikërisht në Londër, ku kreu i partisë konservatore David Cameron, i cili ka gjasa të zgjidhet kryeministër i ardhshëm në vitin 2010, ka premtuar të rishqyrtojë çështjen e ratifikimit britanik, duke propozuar madje mbajtjen e një referendumi. Të jetë vallë aleanca e heshtur Cameron – Klaus në thelb të qëndrimit çek? Një vështrim më i hollë nuk mund të mos vërejë faktin se në ndryshim nga Klaus, për të cilin pozicioni kundër Lisbonës është në përmbajtje një qëndrim ideologjik, për konservatorin Cameron kjo nuk është tjetër veçse një taktikë elektorale, e cila mund t’i sigurojë këtij të fundit një shumë jo të neglizhueshme votash.
Gjithsesi fakt i pamohueshëm është që javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e BE-së. Sado racionalë e objektivë të jenë argumentet e presidentit Klaus, ky i fundit do ta ketë të vështirë të marrë peng ëndrrën e 500 milionë evropianeve për konsolidimin e një Evrope të Bashkuar. Aq më tepër që finalizimi me sukses i këtij procesi do të këtë një impakt jo të vogël dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga ky këndvështrim ratifikimi dhe aplikimi i Traktatit të Lisbonës nga vendet anëtare është shpresëdhënës, dhe sinjalet janë tejet pozitive. Dëshmi e dritës jeshile është pikërisht rifillimi i negociatave të anëtarësimit të Kroacisë në BE. Në këto kushte nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë dhe urojmë që rasti i Kroacisë të mos jetë i vetmuar. Kjo do t’i jepte fund njëherë e mirë daltonizmit politik të BE-së në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
arshela.arapi@ymail.com